Ardian Muhaj: Gjuha e politikës dhe kishës serbe nuk ka qenë asnjëherë nacionaliste, por shoviniste

Ardian Muhaj i ka kryer studimet universitare në Shkodër, kurse studimet e masterit dhe doktoraturës në Portugali. Ai është anëtar i Akademisë Portugeze të Historisë dhe fitues i çmimit të kësaj akademie për monografinë më të mirë të historisë së mesjetës në Portugali për vitin 2008.

Gjatë viteve të studimeve të doktoraturës ka qenë kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Historike, të Universitetit të Londrës. Pjesëmarrës në tubime shkencore dhe me artikuj shkencorë të botuar jo vetëm në Tiranë e Prishtinë, por edhe në Portugali, Spanjë, Itali, Angli, SHBA, Poloni, Turqi, Maltë e Hungari. Aktualisht ai është studiues në Institutin e Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Fushat e specializimit dhe angazhimit janë: Historia e shqiptarëve në Mesjetë dhe Kohën e Re, historia ekonomike e Evropës, historia mesdhetare dhe ballkanike.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ka folur për kontekstin historik ballkanik, pikëpamjet e tij mbi nacionalizmin, shqiptarët dhe rolin e tyre në gadishull, si dhe perspektivën e vendeve tona.

GeR: Zoti Muhaj, në një kontekst ballkanik ku tehet e shpatave të nacionalizmave vazhdojnë të përplasen, cili është roli i vërtetë i shqiptarëve?

Muhaj: Pikësëpari, duhet theksuar se ndryshe nga perceptimi i Gadishullit Ballkanik si vend nacionalizmash, realiteti është se nacionalizmi në këtë pjesë të Evropës është i pamundur të ekzistojë dhe se nuk ka ekzistuar deri më sot. Në se nacionalizmi nënkupton, sipas përkufizimit të E. Gellnerit, përpjekjen për përputhjen e njësisë politike me atë etnike, në Ballkan, ekzistenca e tij deri tash ka qenë e pamundur. I vetmi rast ku nacionalizmi mund të ishte një projekt, është rasti i shqiptarëve. Mirëpo, shqiptarët kanë hequr dorë nga nacionalizmi përpara se t’u jepej mundësia për t’u bërë nacionalistë. Pra, në rastin e tonë përputhja e njësisë politike me atë etnike është i mundur, por jo i dëshiruar me aq sa shihet. Ndërsa në rastin e popujve të tjerë, kjo është e dëshiruar por e pamundur për shkak të tejpërmbushjes së qëllimit nacionalist. Maqedonasit për shembull nuk synojnë përputhjen e njësisë politike me atë etnike, por përkundrazi mospërputhjen e tyre. Përndryshe, edhe në bazë të të dhënave të manipuluara të Shkupit zyrtar, Maqedonia do të ishte shumë më e vogël se sa është sot, përderisa vetëm 64 për qind janë të deklaruar maqedonas. Pra, një rast i tillë ndodh kur njësia politike e ka tejkaluar njësinë etnike. Maqedonasit gëzojnë më shumë hapësirë politike se sa ua lejon kuadri teorik i nacionalizmit. Njëlloj edhe Serbia me 80 për qind të deklaruar zyrtarisht si serbë. Politika dhe kisha serbe janë krejt të vetëdijshëm se i kanë tejkaluar me kohë synimet nacionaliste dhe se njësia e tyre politike përfshin shumë më tepër se sa do u binte për hise nga nacionalizmi. Me kutin e nacionalizmit këto shtete do u duhej të ngushtoheshin ca sepse petku i nacionalizmit do u rrinte shumë ngushtë. Po ashtu edhe Mali i Zi, ku malazezët edhe në bazë të të dhënave zyrtare nuk përbëjnë as shumicën, pra vetëm 45 për qind. Pra, në rastin e Malit të Zi, rroba politike është dyfish më e madhe se sa shtati etnik. Në se fqinjët i kanë tejkaluar synimet edhe më maksimaliste të nacionalizmit, shqiptarët, nga ana tjetër nuk kanë arritur as ato më minimaliste, që do të ishte që të paktën gjysma e njësisë etnike të përputhej me atë politike. Njësia politike shqiptare e njohur ndërkombëtarisht si e tillë, mbulon më pak se gjysmën e njësisë etnike. Në këtë rast është e kundërta e fqinjëve tek të cilët rroba politike shkon përtej përmasave të trupit etnik, ndërsa tek ne rroba politike nuk mbulon as gjysmën e trupit etnik.

Në rastin e Ballkanit, teoritë e njohura mbi nacionalizmin nuk pinë ujë. Teoricienët e nacionalizmit që nga Hobsbaumi, Gelneri etj, mbesin në klasë. Në shek. XIX fryma e nacionalizmit në Evropë, që synonte përputhjen e njësisë etnike me atë politike ka qenë e realizueshme dhe u realizua në rastin e Italisë pothuajse tërësisht, ndërsa në rastin e Gjermanisë në pjesën më të madhe. Në Ballkan, përkundrazi me përjashtim të shqiptarëve asnjë shtet apo lëvizje kombëtare nuk pas si synim këtë përputhje, këtë përmbushje. Duke filluar që nga grekët, e duke vazhduar me malazezët, serbët, bullgarët e maqedonasit, nuk është synuar për asnjë moment përputhja e njësisë politike me atë etnike, por përputhja e njësisë politike me atë mitohistorike. Për këtë arsye në Ballkan ka qenë e pamundur të vihet në zbatim e drejta e vetëvendosjes, me përjashtim të rastit shqiptar ku është e mundur të zbatohet kjo e drejtë. Në Ballkan është zbatuar e drejta e zhvendosjes së popujve të caktuar dhe ajo mbivendosjes së popujve të caktuar në popujt e zhvendosur. Në se ky është nacionalizmi, atëherë më mirë mos qoftë dhe në se shqiptarët nuk kanë qenë nacionalistë të tillë, është për t’u përgëzuar dhe jo për t’u hidhëruar. Kjo është një arsye për të qenë krenarë për të kaluarën tonë, për t’i parë fqinjët tanë drejt e në sy, sepse nuk mbajmë mbi supe peshën e fajit të pseudonacionalizmit ballkanik, sepse nuk guxon të na akuzojë askush se kemi kryer masakra kundër fqinjëve, se kemi planifikuar e vënë në zbatim projekte gjenocidale për shfarosjen e zhvendosjen e fqinjëve.

Në këtë kontekst nacionalizmi shqiptar edhe nëse do të ishte veprues, do të karakterizohej si një soft-nationalism, me synime realiste në raport me kuadrin teorik të nacionalizmit dhe për më tepër duke qenë një nacionalizëm fetarisht tolerant dhe etnikisht joagresiv, mund të thuhet se do të ishte nacionalizëm i pranueshëm edhe për Evropën e shekullit  XXI.

GeR: Më konkretisht institucionet e serbe vazhdojnë ta kultivojnë një gjuhë obskurantiste në raport me çështjen e Kosovës, si duhet ta kuptojmë atë?

Muhaj: Gjuha e qëndrimi i politikës dhe kishës serbe nuk janë, as nuk kanë qenë asnjëherë nacionaliste, por shoviniste, farë-shfarosëse ndaj shqiptarëve dhe këtë duhet ta kuptojmë si gjuhën e vërtetë, të pastër, të kulluar të këtyre institucioneve serbe. Natyrisht ka edhe shumë serbë që nuk e flasin këtë gjuhë dhe as nuk duan ta flasin, por ata nuk kanë peshë në shoqërinë serbe. Flas këtu për serbët e thjeshtë edhe pse të paktë, që nuk kanë mbështetur qëndrimet e politikës farë-shfarosëse, jo për shoqërinë civile të OJQ-ve që janë pjesë funksionale e së njëjtës gramatikë të gjenocidit. Fakti që këto institucione dhe elita serbe vazhdojnë ta kultivojnë një gjuhë të tillë nuk tregon asgjë tjetër përveç se politika dhe kisha serbe është shumë e brengosur, që nuk ia doli t’i zhdukë e t’i dëbojë shqiptarët nga Kosova në vitin 1999. Tregon se, në vend që t’u vijë keq për nxitjen e kryerjen e përsëritur të masakrave ndaj shqiptarëve, përkundrazi, u vjen keq që nuk u lejuan nga bashkësia ndërkombëtare që ta çojnë deri në fund gjenocidin që po zhvillonin me të gjithë energjitë e forcat e tyre.

GeR: Të qëndrojmë edhe pak te këto narracionet e mëdha, si është t’i shikosh raportet Shqipëri – Kosovë, nga pikëpamja e një historiani?

Muhaj: Nga pikëpamja e një historiani, në numrin njëjës, raportet Shqipëri-Kosovë i shoh si raporte Shqipëri-Shqipëri. Ndërsa më konkretisht mund të them se për periudhën e para copëtimit politik, gjeografia administrative është krejt e ndryshme nga gjeografia politike e periudhës së copëtimit. Për shembull, ndarja në Kosovë e Shqipëri nuk ka kuptim për shekujt të cilët studioj. Për rreth katër shekuj, Shkodra dhe Peja, duke përfshirë këtu edhe Ulqinin e Gjakovën, ishin pjesë e së njëjtës ndarje administrative, pra e Sanxhakut dhe më pas e Pashallëkut të Shkodrës. Për një periudhë të madhe të kësaj kohe pushteti politik ka rënduar herë në familjet e Begollëve të Pejës, herë në atë të Bushatlive të Shkodrës, që për më tepër ishin familje të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj të studiosh Shkodrën e shekujve XV-XIX pa marrë parasysh Rrafshin e Dukagjinit dhe anasjelltas është të blasfemosh kundër metodologjisë dhe praktikës historiografike. Katër shekuj përkatësi e njëjtë administrative e politike nuk zhbëhen me një shekull copëtim politik edhe sikur të bëhej fjalë për njësi të ndryshme etnike. Mirëpo në rastin tonë njësimi administrativ katërshekullor përkon dhe përforcohet nga njëtrajtshmëria etnike. Në aspektin gjuhësor, e folmja e zonës së Shkodrës është më e afërt me të folmen e Gjakovës e Pejës se sa me atë të Mirditës apo Bulqizës.

GeR: Kur bëhet fjalë për identitetin, për të kaluarën, historiografia jonë vjell nga mitet e legjendat, a besoni që një brez i ri i historianëve, si të themi, do të mund ta bëjë diferencën?

Muhaj: Historiografia nuk ka lidhje me mitet dhe as me legjendat. Në historiografinë shqiptare nuk ka as mite as legjenda. Ato që rëndom kohët e fundit kanë nisur të quhen si mite në historiografi, nuk janë mite. Kjo është një mënyrë e sofistikuar për të paraqitur falsifikimet, mashtrimet, me një fjalë më të pranueshme, më të bukur: mite. Pra është pjesë e falsifikimit të historisë edhe prirja për të quajtur rrenën, mit. Rrena është rrenë dhe nuk mund të jetë tjetër, kurse miti mund të jetë ose të mos jetë rrenë. Mit e konsideroj eposin e kreshnikëve, pasi shënjon një të vërtetë edhe pse të mjegulluar nga ndeshtrashat e kohës. Mirëpo, koncepti i mitit në historiografinë shqiptare po përdoret më shumë në rastin e Skënderbeut dhe të krijimit të shtetit. Në rastin e Skënderbeut nuk ka mite. Ka histori të Skënderbeut dhe falsifikim të historisë së tij. As instrumentalizomi i një figure historike nuk është mit. Nga ana tjetër, ky abuzim me termin mit shkon deri aty sa që dramat apo pjesët teatrale që kanë si subjekt Skënderbeun të konsiderohen si mit, ose si pjesë e mitit. Ato janë letërsi dhe të ngatërrosh letërsinë me mitin, do të thotë të mos marrësh vesh as nga letërsia, as nga miti.

Skënderbeu është një figurë reale historike, që qëndron drejt mbi veprat e veta, pa pas nevojë për t’u mbajtur, as lartësuar me paterica të rrejshme. Ishte një shqiptar i mirë dhe mbi të gjitha i dobishëm. Qëndroi në trojet e të parëve dhe u përpoq sa mundi për mbrojtjen e tyre, deri sa armiku e vrau dhe ia zaptoi ato dhe ia përndoqi e dëboi edhe familjen. Nuk doli jashtë trojeve shqiptare për të luftuar kundër askujt. Prandaj abuzimi dhe zhurma me figurën e tij, që bëhet për të transferuar vëmendjen tonë nga masakrat e fqinjëve serbë e grekë, duke e zhvendosur armiqësinë e tyre të dëshmuar vazhdimisht gjatë gjithë shekullit XX, larg në hapësirë e mbrapa në kohë, është në dëm të shqiptarëve. Sado që përmes dokumentacionit dhe metodave historike mund të krijojmë një ide mbi mënyrën e jetesës e të luftës, mbi zhvendosjet e popullsisë e të ushtrisë në shekullin XV, asgjë nuk mund të krahasohet me përvojën jetësore që e kemi përjetuar vetë, në vitin 1999, me vrasje e masakra kundër shqiptarëve, me kampe plot me refugjatë e çadra, me tanke e aeroplanë, me përdhunime dhe ekzekutime. Edhe falsifikimi dhe abuzimi me figurën e shquar të Skënderbeut është pjesë e këtij agresioni kulturor, që synon harrimin dhe amnistimin e agresionit ushtarak serb e grek. Agresori kulturor ka mashat e veta përmes të cilave synon që përmes shpikjes së rrëfimeve mbi gjoja masakrat e Skënderbeut, të krijojë amnezi mbi masakrat e këtij agresori kulturor të përjetuara nga vetë ne, qoftë në luftën e fundit të Kosovës më 1999, qoftë nga baballarët e gjyshërit tanë në Çamëri. Agresorit kulturor dhe përçuesve të tij ndër ne, nuk i bëhet vonë në se zhvendosja në hapësirë e armiqësisë bie në lindje apo në perëndim, në shek. XV apo më herët. Thjesht i intereson që agresionin e tyre ushtarak ndaj nesh, ne ta harrojmë sa më shpejt e sa më shumë. Në se në rastin e Skënderbeut zhvendosja në hapësirë e armiqësisë priret të shkojë drejt Stambollit, në rastin e krijimit të shtetit shqiptar të copëtuar, kjo zhvendosje shkon në perëndim drejt Londrës. Agresori kulturor na ka përsëritur idenë e gabuar se ishin fuqitë e mëdha evropiane që i copëtuan trojet shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Këtij agresori i intereson që ne ta zhvendosim armiqësinë ndaj tij, në drejtim tjetër, drejt Evropës. Të fajësojmë Evropën për copëtimin tonë politik dhe kurrsesi të mos na shkojë ndër mend, që në kohën kur ambasadorët e Fuqive Evropiane ishin mbledhur në Londër për të vendosur mbi kufijtë e shtetit të ri shqiptar, fqinjët tanë serbë, malazezë e grekë kishin një vit që kishin pushtuar çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare dhe po kryenin një gjenocid të hapur. Pra sikur të ishte për fqinjët, për këto fuqitë e vogla ballkanike, shteti shqiptar nuk do të kishte ekzistuar fare. Megjithatë, nganjëherë ne e përkujtojmë dhe e përshkruajmë këtë periudhë, jo si periudhën e pushtimit nga agresorët fqinjë, por si periudhë të copëtimit të trojeve tona nga Evropa. Dora evropiane që përvijon vija në hartë për të shmangur viktima të mëtejshme, nuk mund të vihet në të njëjtën përgjegjësi e shkallë faji, sikur dora e agresorit fqinj ballkanik, që ngul bajoneta në trupat e shqiptarëve. Për agresorin kulturor nuk është e rëndësishme se a armiqësohemi me Turqinë apo me Evropën, me Amerikën apo me këdo tjetër, por vetëm e vetëm që ne ta harrojmë agresionin ushtarak, ekonomik e politik shekullor, të harrojmë madje edhe shpërnguljen, masakrat e gjenocidin që e kemi përjetuar vetë ne personalisht.

GeR: A është utopi çështja e bashkimit të trojeve etnike?

Muhaj: Edhe termi bashkim duhet qartësuar sepse ka marrë një ngarkesë kuptimore të shtrembëruar dhe që shtrembëron pastaj edhe perceptimin tonë për bashkimin. Në këtë aspekt mendoj se duhet të flasim më shumë për fundin e copëtimit se sa për bashkimin. Pra, bashkimi është natyrshmëri, kurse copëtimi është panatyrshmëri. Trojet dhe populli janë të bashkuara, thjesht janë muret e copëtimit që duhen shembur. Trojet dhe populli aty kanë qenë, aty janë dhe aty do të jenë, pavarësisht mureve e gardheve politike. Kufijtë politikë janë hendeqe që janë hapur përdhuni në trupin e këtij populli dhe që kanalizojnë limfën jetëdhënëse të zhvillimit ekonomik, kulturor, shpirtëror drejt destinacioneve të tjera jashtëtrupore, ose drejt asgjësë. Pra, duhet të flasim për zhbërjen e copëtimit më shumë se sa për bashkim. Shqipëria dhe Kosova duhet të integrohen në një shtet shqiptar. Çdo zgjidhje tjetër është vetëm bjerrje kohe dhe neglizhim i përgjegjësisë që kemi ndaj fëmijëve tanë për t’u lënë trashëgim një botë më të mirë se sa e gjetëm nga prindërit tanë. Nuk ekziston asnjë rrugëdalje dhe as rrugëhyrje tjetër përveç integrimit të dy shteteve në një shtet të vetëm. Çdo ide tjetër është thjesht iluzion dhe pamundësohet nga realiteti. Sa më shpejt që të realizohet aq më shpejt dalim nga spiralja e dështimit shtetëror që na ka gllabëruar. Natyrisht, qasjet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të gabuara, sepse shtresat tona politike nuk e kanë tejkaluar akoma shekullin XX, madje disa janë krijesa që shëmbëllejnë shekullin XIX. Mijëvjeçari i ri akoma nuk ka mbërritur në shtresat politike e intelektuale tonat. Vazhdojmë të jemi të vetë burgosur në shekullin XX. Kjo vetë burgosje bën që edhe grupi politik më i përparuar në kohë e në konceptim, LVV, ta ketë të vështirë të bëjë hapin e madh të kapërcimit të shek XX. Gjithë energjitë e shqiptarëve duhen përqendruar në jetësimin e pavarësisë së shtetit të Kosovës. Pa një Kosovë të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht si të tillë, nuk mund të ketë integrim mes shteteve shqiptare. Jam kategorikisht kundër çdo ideje që pretendon se pavarësia e Kosovës shkon në dëm të integrimit e bashkimit. Përkundrazi, pavarësia e shtetit të Kosovës dhe sovraniteti i plotë i saj janë kushte bazë për fillimin e procesit përbashkues. Përmes pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të shtetit të Kosovës, gardhi që kemi mes veti në veri të Drinit, bëhet gardh mes nesh dhe fqinjëve serbë në veri të Ibrit. Nuk mund të bashkohemi mes veti pa u ndarë nga fqinjët. Pavarësia e Kosovës, na ndan nga fqinjët. Pavarësia e Kosovës nuk është ndarje nga Shqipëria, por nga Serbia. Pa u ndarë nga Serbia, nuk mund të imagjinohet bashkimi as integrimi. Nga ana tjetër bashkimi është i pashmangshëm dhe është tërësisht i përcaktuar nga dy faktorë që shkojnë përtej fuqisë sonë. Këta dy faktorë determinues janë gjeografikë dhe historikë. Në rastin e Shqipërisë, faktori gjeografik është determinues. Mes detit në jugperëndim e Kosovës në verilindje, Shqipëria nuk ka asnjë opsion tjetër përveçse të bashkohet me Kosovën. Nuk besoj se ka ndonjë teori ose që ka ekzistuar ndonjëherë një teori që të preferojë bashkimin e një pjese etnike me sardelet e levrekët e detit, përpara se me pjesën tjetër të njësisë etnike. Edhe integrimi evropian i Shqipërisë ngec përballë këtij paradoksi. Në se nuk jemi në gjendje të integrohemi mes vëllezërish nuk mund të jemi në gjendje të sfidojmë gjeografinë që na ndan nga Evropa e na bashkon me njëri-tjetrin. Vetëm të bashkuar mund të tejkalojmë këtë sfidë gjeografike. Nga ana e Kosovës bashkimin e determinon faktori historik. Mes Shqipërisë në jug e Serbisë në Veri, Kosova nuk ka asnjë zgjidhje tjetër veçse bashkimin me Shqipërinë. Historia e dhimbshme e masakrave të përsëritura, e gjenocidit të tentuar disa herë dhe pamundësia e serbëve për të dalë jashtë vetvetes, e bën ndarjen mes shqiptarëve e serbëve akoma edhe më të madhe se sa ajo mes nesh e peshqve të Adriatikut.

GeR: Ju jeni specializuar që ta studioni të kaluarën dhe të nxirrni mësime nga ajo, si i shihni shtetet shqiptare pas 50 viteve?

Muhaj: Shtetet shqiptare pas 50 viteve i shoh si shtet shqiptar. I shoh ashtu sikurse jemi, sikur na sheh edhe bota, si shqiptarë. Një shtet i realizuar shqiptar në vend të shteteve të dështuara shqiptare, natyrisht do të ishte shumë i zymtë dhe i mangët pa kontributin e pakicave etnike duke filluar që nga serbët, boshnjakët, romët, grekët, vllehët, turqit e bullgarët. Pakicat në çdo shoqëri janë pasqyrë e shumicës. Aty pasqyrohen më qartazi, në dritë të diellit vlerat dhe veset e shumicës. Një shoqëri ku pakicat respektohen është një shoqëri e njerëzishme dhe njerëzorja është vlera që mbizotëron mbi çdo vlerë tjetër. Feja, gjuha, kultura, ngjyra janë që të gjitha pa asnjë vlerë, në se nuk janë për të mirën e njeriut.

GeR: Për fund, me çka po merreni gjatë kësaj kohe?

Muhaj: Gjatë kësaj kohe në fakt po merrem me atë që merrem gjatë gjithë kohës, me përjashtim të faktit se intensiteti i punës është i madh. Po merrem me disa punë kryesore, që kanë të bëjnë me fushën e angazhimit. Po punoj për një libër mbi historinë ekonomike të Evropës në mesjetë, në kuadër institucional po punoj për një projekt monografik mbi historinë e Shqipërisë në fillet e Kohës së Re, dhe ëndërroj të kem kohë të mjaftueshme për të përfunduar fletët e fundit të një vëllimi me tregime të cilin e kam shtyrë padrejtësisht gjithnjë për më vonë, edhe pse pothuajse është gati. Gjithashtu edhe ribotimi i dy përkthimeve nga spanjishtja dhe portugalishtja të cilat edhe ato janë plotësisht gati, sa të bëhem unë gati. Natyrisht, fakti që studimet universitare i kam kryer në Shqipëri kurse ato pasuniversitare në Evropë dhe që aktualisht jam rikthyer në Shqipëri është një kombinim i përsosur për të më mbajtur në dy nivele angazhimi, pra në atë të studimeve albanologjike dhe ato të historisë evropiane. Edhe artikujt në revista shkencore dhe pjesëmarrja në projekte e tubime shkencore ndahet në mes këtyre dy gjeografive dhe niveleve të studimit. Publicistikën dhe letërsinë të cilat i kam dashur që herët, vazhdoj t’i dua e t’i lëvroj, pasi i shoh si thelbësore për tejthellimin dhe zgjerimin e dëshirës për njohje. Viktima e vetme e këtyre angazhimeve është përkthimi, të cilin ka kohë që nuk e kam lëvruar./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet