Arben Qirezi: Fatkeqësisht, faktori ndërkombëtar në Kosovë konsiderohet më i rëndësishëm sesa vota e qytetarëve

Arben Qirezi është njohës i proceseve politike. Ai ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, kurse në Holandë ka vijuar studimet në fushën e politikës, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut gjatë vitit 1996. Në po këtë vit ka filluar punën në Qendrën për Studime Ndërkombëtare në Prishtinë.

Pas kthimit nga studimet Master të bëra në Spanjë gjatë viteve 1998-1999, ka punuar në institucione ndërkombëtare, siç janë Friedrich Ebert Stiftung dhe ka qenë zyrtar politik në Zyrën e Qeverisë së Kanadasë në Prishtinë deri në fund të vitit 2014, kur ka pranuar ftesën e ish-kryeministrit Haradinaj që të marrë postin e këshilltarit politik dhe zëdhënësit të zryeministrit/Qeverisë së Kosovës, post nga i cili dha dorëheqje pas shkuarjes së Haradianjt në Hagë. Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ekipit Negociator (2005), dhe anëtar i grupit punues për çështje kushtetuese. Po ashtu edhe në vitin 2006 u emërua këshilltar i lartë politik i ish-kryeministrit Agim Ceku. Ka qenë anëtar i AAK-së, por ka dhënë dorëheqje në vitin 2009, pasi i vijoi studimet e doktoratës në shkenca politike në Irlandë, të cilat i kreu në vitin 2014. Aktualisht është mësimdhënës i lëndëve të shkencave politike dhe politikave publike e njëkohësisht merret me kërkime shkencore në fushën e politikës dhe sigurisë. Është bashkëpunëtor i shumë organizatave me seli në vend. Ka mbajtur ligjërata në disa universitete të jashtme ndërsa aktualisht është bashkëpunëtor i rregullt i BIRN të Ballkanit, në të cilin boton rregullisht analiza lidhur me proceset politike në Kosovë.

Kur flet për “detyrimet” që i ka Kosova ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve, Qirezi thotë se  “këto çështje do të duhej të ishin çështjet e fundit që do të duhej të përdoreshin si kriter për të mbështetur njërin opsion politik apo tjetrin”. Mirëpo shton ai, kritere për të vlerësuar politikat e partive do të duhet të ishin ato se “cila qeveri do ta luftojë korrupsionin, se cila qeveri do të ofrojë programe qeverisëse më të mira”. Duke përmbyllur atë se “qytetari duhet të jetë në qendër të vëmendjes e jo “obligimet ndërkombëtare”.

GeR: Z. Qirezi tanimë kemi një proces paszgjedhor i cili duket se po zgjatet. Për atë se kush është fajtori ka mendime të ndryshme, mirëpo ajo që duket të jetë më e rëndësishme është humbja që po i shkaktohet vendit. Sipas jush çka po humbë Kosova dhe qytetari i saj nga të gjitha këto stërzgjatje?

Qirezi: Kosova dhe qytetarët e saj po humbasin shumë nga demokracia sepse proceset e stërzgjatura dhe pastaj edhe diktatet gjyqësore që mëtojnë të orientojnë procesin politik sipas interesave të partive të caktuara i humbin kuptimin votës së lirë, nocionit të shumicës dhe obligimit demokratik për të respektuar verdiktin e shumicës. Paketimi i të ashtuquajturave “shumica” apo “fitues” të zgjedhjeve në një sistem zgjedhor proporcional ku askush nuk është fitues dhe askush nuk ka shumicën dhe ku shumica zakonisht formohet në parlament në periudhën paszgjedhore, e që vendimi i Gjykatës Kushtetuese e hodhi poshtë si koncept dhe si praktikë për Kosovën, ka qenë i dëmshëm dhe do t’i sjell Kosovës pasoja të mëtutjeshme. Pra humbjet janë të mëdha dhe ato do të rriten në qoftë se nuk bëhet korrigjimi i domosdoshëm që lejon rrjedhjen normale të procesit politik.

GeR: Siç e dimë nga legjislatura dhe ekzekutivi i kaluar Kosovës i kanë ngelur obligim disa çështje si Demarkacioni e Asociacioni i Komunave me Shumicën Serbe, e që të njëjtat konsiderohet edhe si kushte për Kosovën nga ana e BE-së. Çfarë lloj përbërje e Qeverisë mund t’i përfundojë këto detyra?

Qirezi: Unë nuk pajtohem me mënyrën e tillë të konceptimit të politikës me diskursin në të cilin mbizotëron qasja subordinuese e institucioneve të Kosovës dhe ku përmenden terme si “marrje e obligimeve (ndërkombëtare),” apo “detyra,” sepse kjo tregon mungesë të kreativitetit dhe të iniciativës për politika që është karakteristikë e politikës dhe qeverisjes në Kosovë. E dyta, këto çështje do të duhej të ishin çështjet e fundit që do të duhej të përdoreshin si kriter për të mbështetur njërin opsion politik apo tjetrin. Se cila qeveri do ta luftojë korrupsionin, se cila qeveri do të ofrojë programe qeverisëse më të mira, këto duhet të jenë kritere. Qytetari duhet të jetë në qendër të vëmendjes e jo “obligimet” apo “obligimet ndërkombëtare.”
Për sa i përket çështjeve konkrete që i ngritët, mendoj se do të jetë e vështirë të kalojë demarkacioni në çfarëdo përbërje parlamentare-sepse demarkacioni do të duhet të kalojë në parlament, pra nuk është më çështje e ekzekutivit. Prandaj, besoj se do të ketë një konsensus të heshtur në mes të forcave politike që kjo çështje të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar. Për sa i takon çështjes së Asociacionit të Komunave Serbe, edhe kjo do të jetë vështirë e realizueshme nga akëcili ekzekutiv. Në legjislaturën e kaluar kemi pasur një koalicion të dy partive – PDK dhe LDK – që së bashku kanë kontrolluar gati 2/3 e votave dhe asnjëra prej këtyre çështjeve nuk kanë mundur të realizohen. Prandaj, këshilla e ime për cilindo lider politik të Kosovës është që mos të luajë në letrën e zotimeve të cilat nuk do të mund t’i realizojë apo për të cilat vendi dhe subjekti politik përkatës do të paguajnë çmim të madh, për të marrë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, i cili në Kosovë fatkeqësisht, konsiderohet më i rëndësishëm sesa vota e qytetarëve.

GeR: Qytetari i Kosovës është i vetmi nga vendet e rajonit që nuk e ka të drejtën të udhëtojë pa viza në vendet e BE-së. Nisur nga situata dhe proceset politike në vend, edhe sa kohë do t’i duhet të pres qytetarit tonë për liberalizimin e vizave?

Qirezi: Liberalizimi i vizave është një lehtësim i udhëtimit të njerëzve në BE dhe asgjë më shumë. Liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë përderisa në BE shohin rrezik nga flukset e azilkërkuesve nga Kosova dhe skenarë siç ishin ata të vitit 2014-2015. Pra, parakushti kryesor për liberalizim të vizave është qeverisja e mirë, përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe rikthimi i shpresës tek qytetarët e vendit, gjë të cilën asnjëra prej forcave politike të ashtuquajtura shtet-formuese nuk ia kanë ofruar qytetarëve të vendit. Nuk e besoj se demarkacioni do të rezultojë me liberalizim të vizave, kjo i është shitur qytetarëve të Kosovës nga ish-qeveritarët, të cilët e keqinterpretonin kërkesën e BE-së lidhur me këtë çështje duke u përpjekur të fshihnin kërkesën thelbësore që është luftimi i korrupsionit dhe respektimi i parimeve të qeverisjes së mirë, të cilat qeveria e kaluar dhe as ato para saj nuk i kanë respektuar aspak.

GeR: Dhomat e Specializuara të Kosovës tanimë veç se e kanë filluar punën e tyre. Sipas jush a do të ketë ndonjë të mirë Kosova nga kjo? Nëse po çfarë është ajo ose e kundërta?

Qirezi: Qytetarët e Kosovës i kanë dhënë mbështetjen më të madhe Dhomave të Specializuara sesa partitë politike. Edhe pse do të ishte shumë më mirë që Kosova të shtrëngohej nga bashkësia ndërkombëtare që të forcojë gjyqësorin dhe që rastet e ndjeshme të krimeve të luftës dhe të dhunës politike të pasluftës të ndiqen dhe të gjykohen nga prokuroria dhe gjyqësori kosovar. Pra, krijimi i Dhomave të Specializuara tregon mosbesimin e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe mungesën e arritjeve në fushën e sundimit të ligjit dhe duke qenë se qytetarët e dinë gjendjen ata edhe e kanë mbështetur krijimin e këtij institucioni. E mira e kësaj është se do të adresohen dyshime mbi krimet e ndodhura gjatë luftës dhe mbi dhunë politike të pasluftës. Nëse puna e këtyre dhomave do të jetë serioze, mund të shkaktohen dridhje të mëdha, sidomos nëse dalin raste të dhunës politike, pra të krimeve në të cilat janë targetuar oponentët politik. Por, kjo është një gjë nëpër të cilën shoqëria e jonë duhet të ballafaqohet, sado e dhimbshme që mund të jetë. Është po ashtu shumë më mirë sesa pluhuri të fshihet nën qilim.

GeR: Dhe për fund do të donim të dinim vlerësimin tuaj për iniciativën e presidentit serb për të ashtu quajturin dialogu brenda serb për Kosovën. Çka mund të jetë synimi i presidentit Vuçiq me këtë dialog?

Qirezi: Kjo është çështje e brendshme e Serbisë dhe do të mund t’i shërbente Serbisë dhe popullit serb të ballafaqohet me të kaluarën e vet dhe me krimet të cilat shteti serb i ka bërë në emër të qytetarëve serb në Kosovë, kundër shqiptarëve, kryesisht njerëz të paarmatosur, në mesin e të cilave ka pasur gra, fëmijë, të moshuar etj. Ky dialog besoj se është iniciativë e mirë, por të cilën e shoh me një dozë të arsyeshme të skepticizmit, duke e pasur parasysh se 100 vjet indoktrinim anti-shapitar dhe 100 vjet të një politikë shoviniste, nuk mund të zhbëhen brenda javëve apo muajve. Kjo ndoshta tregon se edhe serbët kanë filluar të mësohen të flasin atë që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të dëgjojë – ashtu siç bëjnë shpeshherë edhe politikanët e Kosovës. Pra, mund të jetë një iniciativë e cila ka për qëllim që të krijojë favore për Serbinë dhe për Vuçiqin në raport me Bashkësinë ndërkombëtare, por që nuk do të ketë përmbajtje në raport me adresimin e çështjes së Kosovës dhe përgjegjësisë së shtetit serb për krimet të cilat ky shtet nuk ka dhënë fare shenja të pendimit./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet