Arabia Saudite jep edhe 100 milionë dollarë për bashkëpunimin SHBA-YPG/PKK

Qeveria e Arabisë Saudite e cila po kalon ditë të vështira për shkak të reagimeve rreth rastit me gazetarin Jamal Khashoggi, në orët që sekretari amerikan, Mike Pompeo, ka mbërritur në Rijad ka transferuar 100 milionë dollarë në llogaritë amerikane për t’u përdorur në rajonet që organizata terroriste YPG/PKK ka pushtuar në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit në gazetën “New York Times”, gjatë vizitës që Pompeo zhvilloi në Arabinë Saudite, qeveria e Rijadit ka transferuar në llogaritë e qeverisë së SHBA-ve ndihmën me 100 milionë dollarë të cilën ajo e kishte premtuar që të japë për rajonet e çliruara nga DEASH-i në Siri.

Qeveria Trump këtë ndihmë financiare e ka kërkuar që prej një kohësh, por ka tërhequr vëmendjen se dhënia e kësaj ka përkuar me vizitën që Pompeo zhvilloi në Rijad në lidhje me zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll.

Po ashtu “New York Times”, ka përmendur edhe deklaratën e një zyrtari nga qeveria amerikane që drejton politikën për Sirinë, por i cili nuk dëshiron identifikimin, ku ai ka theksuar se “Nuk është aspak një koincidencë”.

Në lajmin e gazetës janë përmendur edhe deklaratat e përfaqësuesit special të presidentit Trump për luftën kundër DEASH-it, Brett McGurk, i cili ka mohuar që pagesa të ketë lidhje me vizitën e Pompeos. Ai ka mbrojtur idenë e tij se sauditët ndihmën në fjalë e kanë premtuar në muajin gusht dhe se ka qenë e planifikuar që pagesa të bëhej në vjeshtë.

– Rijadi edhe më parë ka paguar një shumë prej 100 milionë dollarësh

Ministri i shtetit të Arabisë Saudite, Samir es-Sebhan, në tetor të vitit 2017 me zyrtarë amerikanë vizitoi rajonin Ajn Isa dhe disa fshatra të Rakka, e cila ndodhet nën pushtimin e YPG/PKK-së.

Pas vizitës qeveria e Rijadit bëri një ndihmë prej 100 milionë dollarësh për rindërtimin e Rakka-s e cila u shkatërrua pothuajse tërësisht në sulmet e SHBA-ve dhe YPG/PKK-së gjatë operacioneve kundër DEASH-it.

YPG/PKK-ja e cila në tetor 2017 me mbështetjen e SHBA-ve mori nën kontroll Rakka-n, aplikon një rend terrorizues dhe presioni në rajonet e tjera që ka nën pushtim. Po ashtu YPG/PKK-ja e cila nuk u dorëzon civilëve shtëpitë që i ka konfiskuar, nuk ofron asnjë shërbim për civilët në qytet të cilët përpiqen t’i riparojnë shtëpitë me mundësitë e tyre.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet