Arabia Saudite dhe Pakistani nënshkruan marrëveshje për mbrojtje të përbashkët, përfshirë edhe armët bërthamore

Arabia Saudite dhe Pakistani, i armatosur me armë bërthamore, nënshkruan të mërkurën një marrëveshje formale për mbrojtje të ndërsjellë, duke forcuar ndjeshëm partneritetin e tyre shumëdekadësh në fushën e sigurisë, në një kohë tensionesh të rritura rajonale.

Forcimi i lidhjeve mbrojtëse vjen në një moment kur shtetet arabe të Gjirit Persik po shfaqin gjithnjë e më shumë dyshime për besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si garantuesi i tyre tradicional i sigurisë. Sulmi izraelit ndaj Katarit javën e kaluar i ka shtuar këto shqetësime.

“Kjo marrëveshje është kulmi i viteve të tëra diskutimesh. Nuk është përgjigje ndaj ndonjë vendi apo ngjarjeje të veçantë, por institucionalizim i bashkëpunimit të thellë e shumëvjeçar mes dy vendeve tona,” tha një zyrtar i lartë saudit për Reuters, i pyetur për kohën e nënshkrimit.

Përpjekja izraelite për të vrarë udhëheqësit politikë të Hamasit me sulme ajrore mbi Dohan, teksa diskutonin për propozimin e armëpushimit ku Katari ndihmonte si ndërmjetësues, ka zemëruar vendet arabe.

Marrëveshja mund të ndryshojë llogaritjet strategjike në këtë rajon kompleks. Aleatët e Uashingtonit, monarkitë e Gjirit, kishin tentuar të stabilizonin marrëdhëniet me Iranin dhe Izraelin për të zgjidhur problemet e vjetra të sigurisë.

Por lufta në Gaza e ka përmbysur situatën rajonale, ndërsa Katari gjatë vitit është goditur dy herë drejtpërdrejt – një herë nga Irani dhe një herë nga Izraeli.

Një zyrtar i lartë saudit, që foli në kushte anonimiteti, pranoi nevojën për të balancuar marrëdhëniet me rivalin e Pakistanit, Indinë, e cila gjithashtu zotëron armë bërthamore.

“Marrëdhënia jonë me Indinë është më e fortë se kurrë. Do të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë marrëdhënie dhe të kontribuojmë në paqen rajonale në çdo mënyrë,” tha ai.

I pyetur nëse Pakistani do të jetë i detyruar t’i ofrojë Arabisë Saudite “ombrellë bërthamore” sipas këtij pakti, zyrtari u përgjigj: “Ky është një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbrojtjeje që përfshin të gjitha mjetet ushtarake.”

Televizioni shtetëror pakistanez transmetoi pamje ku kryeministri Shehbaz Sharif dhe princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman, de facto sundimtari i mbretërisë, përqafoheshin pas nënshkrimit të marrëveshjes. I pranishëm ishte edhe komandanti i ushtrisë pakistaneze, feldmarshall Asim Munir, i cili konsiderohet si personi më i fuqishëm në vend.

“Në këtë marrëveshje, që pasqyron përkushtimin e përbashkët të të dy kombeve për forcimin e sigurisë si dhe arritjen e paqes në rajon e në botë, synohet zhvillimi i bashkëpunimit mbrojtës dhe forcimi i kapaciteteve të përbashkëta për të penguar çdo agresion. Marrëveshja përcakton se çdo agresion ndaj njërës palë do të konsiderohet agresion ndaj të dyja,” thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit pakistanez.

Kategoritë
BotaLajme