Aprovohet kërkesa e KQZ-së për zgjatje të orarit të lëvizjes në dy komunat ku do të mbahen zgjedhje

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Podujevës të dielën do të kenë mundësi të lëvizin edhe dy orë më gjatë sesa qytetet e tjera në zonën e kuqe ku ora policore fillon në ora 19;00.

Kjo ka ndodhur pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e cila është aprovuar nga institucionet përkatëse.

Zgjatjen e orarit të lejimit të lëvizjes për këtë ditë në dy komunat ku mbahen zgjedhjet për lajmi.net e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Është aprovuar kërkesa e KQZ-së që të zgjatet orari i lëvizjes në komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, të cilat aktualisht janë në zonën e kuqe dhe masat kufizuese të lëvizjes fillojnë në orën 19:00. KQZ-ja ka kërkuar zgjatjen e orarit të lëvizjes edhe për të paktën dy orë të tjera për votuesit, ndërsa për aq sa do të jetë e nevojshme për stafin zgjedhor dhe vëzhguesit.”, tha Elezi.

Në anën tjetër, në kategorizimin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë për komunat me rrezikshmëri, 21 komuna janë në zonën e kuqe, 15 në zonën e verdhë dhe 2 në zonën e gjelbërt.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi