Antigonea “Qyteti i Dashurisë” në projektin e 100 fshatrave

Antigonea antike ka mbërritur deri në ditët tona me emrin e një përmbledhje fshatrash me emërtime dëshmorësh si  “Arshi Lengo” dhe “Asim Zeneli”, por qyteti antik i Antigonesë u themelua nga Pirro, mbreti i Molosëve, në vitin 295 para Krishtit.

Qytet që u ngrit nga dashuria dhe u shemb nga urrejtja. Dihet historia e dashurisë së Pirros me Antigonën e Ptolemejve, dashuri e cila ngriti këtë qytet që jetoi vetëm 100 vjet dhe u shkatërrua nga romakët si hakmarrje ndaj përkrahësve të Aleksandrit të Madh.

Molosët ishin një nga tre fiset e Epirit në jug të Shqipërisë së sotme dhe veriut të Greqisë.

Antigonea u zhvillua si një qendër e rëndësishme ekonomike, sociale, kulturore dhe politike
dhe në fund të shekullit të 3-të dhe në fillim të shekullit të 2-të para Krishtit mori formën e “polis” (qytet – shtet) dhe u kthye në një nga vendet më të rëndësishme të antikitetit.

Pirroja i vuri emrin qytetit “Antigonea”, sipas emrit të gruas së tij të parë, vajza që mbante në damar gjakun e Ptolemejve në oborrin e të cilëve u rrit Pirro dhe ku u njoh me Antigonën.

Përveç gruas së tij, Pirroja nderoi edhe vjehrrën, Berenisën duke i vënë emrin e saj një qyteti të Epirit.

Antigonea, qyteti që lindi nga dashuria dhe u dogj nga urrejtja romake, sot përfaqësohet nga një grumbull rrënojash murale në kodrat e buta e pjellore të Luginës së Drinos.

Rreth parkut antik, janë ngritur disa fshatra me emra të ndryshëm por që në themel kanë Antigonenë e Pirros.

Sot, themelet e qytetit dhe rrënojat e tij shërbejnë si dëshmi e një historie  të lavdishme të zotërimeve të qytetit të “Dashurisë”.

Vizitorë të shumtë ngjiten drejt tij për të parë nga afër lavdinë e dikurshme të këtyre rrënojave.

Ndodhet fare pranë qytetit të Gjirokastrës dhe rruga drejt këtij parku arkeologjikë është mjaftë e mirë.

Mbështetja dhe zhvillimi ekonomik i këtyre fshatrave dhe në veçanti i Antigonesë, do të sillte mjaft vizitorë të huaj dhe vendas, që të shikonin nga afër themelet ku u ngrit qyteti i dashurisë dhe se si trashëgimtarët e Pirros jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë trashëgiminë e tij.

Në Luginën e Drinos ka dhe mjaft fshatra të tjerë që janë pjesë e projektit të 100 fshatrave me prioritet në zhvillimin e tyre ekonomik dhe turistik.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet