Analizë – Kriza e Kapitalizmit në Ballkan

Vendet e Ballkanit edhe vitin 2016 e kaluan me vështirësi ekonomike. Përveç Greqisë, e cila nuk ra për asnjë çast nga agjenda botërore me problemet e saj ekonomike, edhe në vendet e tjera të rajonit, problemet ekonomike dhe problemet e tjera shoqërore të ndërlidhura me këtë vazhdojnë të jenë një pikë e rëndësishme e rendit të ditës. Popujt e rajonit presin nga udhëheqësit e tyre përmirësimin e nivelit të mirëqenies në vendet e tyre. E parë në këtë aspekt, në përgjithësi liderët e të gjitha vendeve të Ballkanit japin mesazhe se në periudhën e ardhshme ata do të fokusohen më shumë tek ekonomia.

Në vitin 1910 niveli i të ardhurave reale për frymë në Gjermani nuk e kalonte dyfishin e nivelit të vendeve ballkanike. Kurse sot ky dallim arrin deri në 7-8 herë. Nga ana tjetër sipas parashikimeve të FMN-së, niveli i GDP-së totale (të ardhurat kombëtare bruto), i llogaritur sipas paritetit të fuqisë blerëse, për 10 vendet e Ballkanit në vitin 2015 ka qenë sa 85% e GDP-së së Turqisë, i llogaritur me po të njëjtën mënyrë. Vetëm ky përcaktim flet për një rënie të mirëqenies në vendet e Ballkanit. 

Vetëm se rënia e mirëqenies në vendet e Ballkanit ka shumë arsye. Para së gjithash luftërat që ndodhën në vitet 1990-të në hapësirën gjeografike të ish-Jugosllavisë, sollën shkatërrime të rëndësishme ekonomike në rajon dhe konsumimin në masë të rëndësishme të burimeve që mund të përdoreshin në investime. Nëse duhet dhënë një shembull për këtë, shkatërrimi i drejtpërdrejt dhe i tërthortë që i sollën vitet e luftës ekonomisë së Bosnjë-Hercegovinës mendohet të jetë 115 miliardë dollarë. Në fund të luftës së Bosnjës niveli i GDP-së reale të këtij vendi ishte sa 20% e periudhës së para luftës. Kurse dëmi që i është shkaktuar industrisë dhe infrastrukturës së Serbisë për shkak të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 është llogaritur 29,6 miliardë dollarë. Luftërat që u bënë në vitet 1990 në hapësirën gjeografike të ish-Jugosllavisë patën ndikime të mëdha edhe në strukturën demografike të vendeve të rajonit. Luftërat, përveç vdekjes së qindra-mijëra njerëzve, kthyen në refugjatë ose të shpërngulur me forcë rreth 3 milionë njerëz. Sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, rreth 450 mijë njerëz në vendet e Ballkanit, të cilët janë në statusin e refugjatit ose të atyre të shpërngulur me forcë, vazhdojnë të presin për zgjidhje më të qëndrueshme.

Përveç luftërave dhe konflikteve, vitet 1990 ishin vite të regresit ekonomik në Ballkan edhe për disa shkaqe të tjera. Procesi i zhvillimit ekonomik i vendeve të Ballkanit është ndikuar negativisht edhe për shkak të faktorëve të tillë si: mos-zhvillimi mjaftueshëm i institucioneve që do të sigurojnë funksionimin e ekonomisë së tregut, mbetja në nivel të kufizuar e lirisë ekonomike, bërja e investimeve jo-produktive, përdorimi pa rendiment i donacioneve, vonimi i privatizimeve, dhënia më shumë prioritet objektivave politike se sa atyre ekonomike. Pasi Shqipëria me Bullgarinë dhe Rumaninë, edhe pse mbetën jashtë aventurave të luftës, për shkak të destabilitetit politik dhe ekonomik niveli i mirëqenies në këto vende vazhdon të jetë i ulët edhe në ditët e sotme.

Vitet 2002-2008 janë vitet kur ekonomitë e vendeve të Ballkanit kanë njohur një gjallëri. Raporti mesatar i rritjes së GDP-së reale i vendeve ballkanike në këtë periudhë ka qenë mbi 5 për qind.

Ndërsa duke filluar nga viti 2009 efektet negative të krizës ekonomike globale nisën të ndjehen edhe në vendet e Ballkanit dhe këto efekte vazhduan pothuajse për 5 vite me radhë. Edhe pse viti 2016 flet për raporte pozitive të rritjes në aspektin e Ballkanit, shpëtimi nga kushtet e mirëqenies së ulët do të vonojë një rritje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë.

Për ta kuptuar më mirë se në çfarë niveli është mirëqenia në vendet e Ballkanit do të ishte e dobishme të bëjmë krahasimin ndërmjet GDP-së që i takon një personi në këto vende, e llogaritur kjo sipas paritetit të fuqisë blerëse, dhe mesatares së 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Pasi mesatarja e nivelit të GDP-së për person në vendet e Ballkanit, me përjashtim të Greqisë, në vitin 2015 korrespondon me 40% të të njëjtës mesatare në 27 vendet anëtare të BE-së. Siç kuptohet edhe nga shifrat në krahasim me mesataren e vendeve anëtare të BE-së, vendet e Ballkanit realisht kanë të ardhura për frymë 60% më të ulëta se ato të BE-së.

E parë në aspektin e vlerës GDP-ja për njeri në vendet e Ballkanit nuk ka një strukturë homogjene brenda vetes. Për shembull: po të krahasojmë GDP-të e vendeve të Ballkanit, që janë llogaritur sipas paritetit të fuqisë blerëse, shihet se Rumania në vitin 2015 ka një të ardhur të barabartë deri në 45% të shumës totale të GDP-ve të 9 vendeve të tjera.

Nga ana tjetër po të shikojmë pjesën që zënë GDP-të e llogaritura sipas paritetit të fuqisë blerëse brenda shumës totale të GDP-së së 10 vendeve të Ballkanit, vëmë re që 31% i takon Rumanisë, 29% Greqisë, 11% Bullgarisë, 9% Serbisë dhe 8% Kroacisë. Ndërsa Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ndajnë mes tyre rreth 12% të pjesës së mbetur të GDP-së totale të rajonit.

Për shkak të nivelit të ulët të mirëqenies në vendet e Ballkanit, liderët e rajonit gjatë përcaktimit të politikave ekonomike nuk duhet të mendojnë për një të ardhme afatshkurtër dhe duhet të distancohen nga praktikat që sjellin zgjidhje provizore. Në vend të kësaj do të ishte e dobishme përcaktimi i politikave që përshpejtojnë përmirësimin ekonomik dhe synojnë rritje ekonomike në përqindje të larta në një të ardhme afatgjatë.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet