Analistët skeptikë: Nuk pritet shumë në ‘Takimin e Berlinit’

Asgjë nuk është e qartë për sa i përket traporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Paqartësia mbi to, po i paraprinë edhe ‘Takimit të Berlinit’. Megjithëse sinjalet janë të mira, analistët politikë shpresojnë fare pak në rezultate të mëdha – shkruan Gazeta e Re.

Në një tension të shtuar diplomatik, që nga marrja e vendimit për taksë 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake, përfaqësuesit më të lartë politikë në Kosovë e Shqipëri, janë ftuar që të marrin pjesë në një takim në Berlin, ku do të priten nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Tabloidi serb Srbie Danas (SD), e ka përshkruar situatën si të vështirë, duke thënë se Presidenti Aleksandër Vuçiq do të jetë “kundër të gjithëve në Berlin” ndërkaq Macron dhe Merkel do të përgatisin një ultimatum ndaj Serbisë, duke kërkuar që “dialogu të vazhdojë, pa u larguar taksa”.

Spekulimet për presion ndaj Beogradit zyrtar, qarkullojnë nëpër të gjitha mediat serbe, duke i shtuar dyshimet në opinionin publik serb se: “Përtej ftesës së Gjermanisë dhe Francës për të mbledhur presidentin shqiptar, përkatësisht kryeministrin serb në Berlin më 29 prill, si dhe përfaqësues të administratës së Prishtinës nën moton e bashkëpunimit rajonal, një motiv tjetër mund të vihet në dyshim –Beogradi ka ranë dakord të vazhdojnë dialogun me Prishtinën pa u anuluar taksa mbi produktet serbe në Kosovë” – thuhet në një artikull të këtij tabloidi.

Analisti Albinot Maloku, për Gazeta e Re ka shpjeguar se situata, megjithatë, mbetet e komplikuar dhe përkundër sinjaleve të mira që na vijnë nga Berlini, nuk duhet shpresuar shumë.

“Gjermania ka qenë konstante në qëndrime, që nga njohja e pavarësisë e këndej, në raport me çështjen e Kosovës. Rasti i Berlinit tregon qartë që vendet më me ndikim në kontinentin e vjetër (Gjermania dhe Franca), po duan ta manifestojnë fuqinë e tyre përbrenda vet Bashkimit Evropian, duke tentuar që t’i mbyllin disa çështje, përpara mbajtjes së procesit zgjedhor në BE, proces i cli pritet të mbahet në maj. Por a pritet diçka konkrete pas këtij takimi? Shihni, shteti gjerman vazhdimisht ka treguar interes në raportet BE – Ballkan Perëndimor, në kuptimin e rehabilitimit jo vetëm të raporteve, por edhe shuarjes së mundësisë së konflikteve të reja, prandaj përkundër shpresës së vogël, këto janë sinjale të mira.”

Sipas Malokut, ky angazhim gjermano-francez, vjen pas zbehjes së rolit të BE-së mbi Ballkanin Perëndimor, sepse “procesit të Brukselit i ka dalë ngjyra, prandaj Berlini rishtazi po do t’i jap një formë përfundimtare procesit të ndërprerë”. Në prononcimin e dhënë për mediumin tonë, Maloku reflektoi edhe mbi variantin e spekuluar të shkëmbimit të territoreve, lëvizjes apo ndryshimit të kufijve:

“Përtej asaj që nuk ka definicion të qartë për sa u përket nocioneve të lakuara, meqë Vuçiqi e ka cilësuar si përkufizim ndërsa Hashimi korrigjim, fatkeqësisht kjo tregon që nuk po vdes ideja e tillë ( e korrigjimit, shkëmbimit apo ndryshimit të kufijve).”

Një shpjegim të ekzagjeruar, ndërkaq, e ka dhënë analisti Januz Bugajski, i cili në një opinion të publikuar në mediat shqiptare ndër të tjera ka shkruar se “Qeveria e Serbisë mund të jetë duke planifikuar eliminimin e ekzistencës së shtetit të Kosovës duke mbështetur një projekt të ‘Shqipërisë së Madhe’.”

Sipas tij, të gjithë liderët serbë, që nga Sllobodan Milosheviq-i e deri te këta të fundit, janë përpjekur ta anashkalojnë Prishtinën, duke preferuar që për çështje të Kosovës të pyetet Tirana.

“Beogradi do të marrë në konsideratë pothuajse çdo alternativë për të shmangur njohjen e Kosovës si  shtet i pavarur. Pasi ka dështuar për riintegrimin e territorit në Serbi apo për ta skualifikuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, ai i është kthyer konceptit të një “Shqipërie të Madhe” që do t’i shërbente interesave serbe. Ndarja e Kosovës dhe bashkimi i shumicës së territorit me Shqipërinë do të arrinte disa objektiva” – ka shkruar ndër të tjera Bugajski.

Por në Takimin e Berlinit, i cili pritet të mbahet më 29 prill, përveç liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimorë, do t’i mirëpriten edhe zyrtarët e tjerë të lartë perëndimorë si Jean Claude Junker, President i Komisionit Evropian si dhe Frederica Mogherinin, përfaqësuesen e lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.

Edhe e përjavshmja britaneze The Economist ka shkruar mbi pritshmëritë e këtyre zhvillimeve, duke parashikuar se me gjithë koordinimin ndërmjet Francës dhe Gjermanisë për negociatat Kosovë – Serbi, nuk pritet një përparim konkret në politikën e zgjerimit të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, veçanërisht para qershorit të këtij viti./ImerTopanica/Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet