Ambiciet e koalicionit AAK & PSD

 Në një situatë hipotetike edhe partitë e vogla të grumbulluara në koalicione, mund të jenë në pozicione të favorshme për t’u bërë pjesë e një qeverie. Gjasat mund të shtohen edhe më tepër, po qe se bëhen pjesë e koalicioneve. Ky duket që të jetë qëllimi kryesor i koalicionit AAK & PSD, anëtarët e së cilit shprehen të bindur që Ramush Haradinaj do të jetë përsëri kreu i qeverisë së ardhshme – shkruan Gazeta e Re.

Shumë e kritikuan e shumë e cilësuan si akt të domosdoshëm nga ana e PSD-së. Po të mos bëhej pjesë e këtij koalicioni, sipas disave, ky subjekt do ta kishte të vështirë ta kalonte edhe pragun zgjedhor.

Sipas analistit Blerim Burjani, nuk ka qenë hap i mençur koalicioni i PSD-së me njeriun «i cili nuk ka parti por është individ i vështir dhe i komplikuar për të negociuar për të zgjidhur probleme, çfarëdo qofshin ato, jo vetëm çështjen e dialogut».

Sipas tij «Shpendi nuk e njeh atë dhe nuk e din çka ka bërë. Është gabim i Shpendit me bë koalicion me Ramushin për shkak të dialogut me Serbinë, gabim më i madhe është me besua në kryeneçësinë e Ramusht, i cili thotë ‘Jo!’; por qysh duhet me zgjidhe një problem, fare nuk din».

Muharrem Nitaj nga AAK-ja, mbrëmë në Pressing, u shpreh i bindur që ky koalicion do të dalë fitues në këto zgjedhje. Sipas Nitajt këtë opinion ai dhe mbështetësit e Haradinajt, e kanë formuar duke u mbështetur edhe në sondazhet e fundit, të cilat tregojnë që AAK e ka shtuar numrin e përkrahësve. Sipas tij në rritjen e votave do të ndikojë edhe koalicioni parazgjedhor me PSD-në.

«Në një sondazh të 31 korrikut, AAK si e vetme ka dalë vetëm 2% përfundi partisë së parë. Tani me lidhjen e koalicionit jemi të parët». Sipas tij, veç votave të shtuara: «PSD ka sjellë edhe vlera të reja në parti».

Por Blerim Burjani parashikon një koalicion të gjerë pas zgjedhjeve, i cili do të jetë shumë i nevojshëm për ta mbyllur marrëveshjen me Serbinë.

«Kosova do të ketë koalicion të gjerë pas zgjedhjeve për shkak se duhet të votohet marrëveshja me Serbinë. Saktësisht me 2./3 e votave të deputetëve. E çuditshme është pse Shpendi ka pranuar një kryeministër të padijshëm. Shpendi është larg më i përgatitur për shtetin, Ramushi nuk ka njohuri e as talent për politikë, PSD ka shkuar në koalicion për shkak të frikës që nuk mund ta kalojë pragun zgjedhor.»

Megjithatë, sipas Burjanit, bashkimi i këtyre dy subjekteve mund të grumbullojë deri në 12% të votave.

Ua kujtojmë që sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) «të gjitha partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës se afati i aplikimit për certifikim ka filluar më 27 gusht dhe përfundon më 6 shtator 2019.»

 Por për koalicione parazgjedhore KQZ ka vendosur që data e fundit të jetë 30 gushti. Ndërsa shumë njohës të zhvillimeve politike konsiderojnë që gjasat për të nënshkruar marrëveshje të tilla të gjera ndërmjet subjekteve politike, janë të mëdha. Shumë nga ta thonë se koalicionet pritet të ndodhin, dhe nuk është çudi që ato të bëhen në minutat e fundit të parapara sipas afateve ligjore./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet