Ambasadori i Turqisë në Uashington reagon ndaj artikullit skandaloz të “Washington Post”

Turqia reagoi ndaj artikullit skandaloz të gazetës amerikane “Washington Post” kundër Turqisë.

Ambasadori i Turqisë në Uashington, Serdar Kiliç iu përgjigj artikullit të gazetarit David Ignatius për “Washington Post” që akuzon Turqinë për radikalizëm dhe vendet si Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite i cilëson si “zëra të moderuar që ngrihen në botën islame”. Artikulli i publikuar më 4 shtator mban titullin “Pse administrata Trump po mundëson (lejon) Turqinë e Erdoganit?

Në artikullin e shkruar për “Washington Post” Kiliç kritikon shprehjet në artikullin Ignatius duke iu përgjigjur se “Këto akuza janë të pabazuara dhe irracionale dhe injorojnë kontributin e Turqisë në luftën kundër terrorizmit, në aleancën e NATO-s dhe në sigurinë rajonale”.

Kurse komentit se Turqia “nxit radikalizmin” iu përgjigj duke shkruar: “Kjo është false dhe çorientuese. Ne ishim ndër të parët dënuam dhe hodhëm hapa kundër atyre që abuzojnë me islamin për të realizuar objektivat e tyre të dhunshme. Ne ishim një ndër vendet e para që njohëm DAESH-in dhe al-Nusran si organizata terroriste”.

Ai bëri të ditur se organizata terroriste DAESH ka cilësuar Turqinë si krye armiken e saj dhe kjo organizatë terroriste, pas Irakut dhe Sirisë ka vrarë më shumë njerëz të pafajshëm në Turqi. “Të pretendosh se Turqia nuk ka luftuar kundër kësaj organizate terroriste është e pabazë dhe komike”, shkroi Kiliç.

Ai iu përgjigj edhe komentit që cilëson Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite si “zëra të moderuar që ngrihen në botën islame”.

“Ignatius lavdëron ata që nxisin të ashtuquajturën moderim por që janë vetë ata që masakruan Jamal Khashoggi (gazetarin saudit), një prej zërave të moderuar në plot kuptimin e fjalës në botën islame”, shkroi Ambasadori i Turqisë në Uashington.

Kiliç u shpreh se forcat turke kanë neutralizuar më shumë se 4.000 terroristë të organizatës terroriste DAESH në rajonet Jarabulus, Al Bab dhe Dabik në Siri dhe gjithashtu citoi raportin e fundit të inspektoratit të përgjithshëm të Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon) ku bëhet e ditur se “operacionet turke kanë ndikuar seriozisht aftësinë e terroristëve të DAESH-it për të kontrabanduar luftëtarë, fonde dhe furnizime ushqimore”.

Duke bërë të ditur se në këto kohë të vështira Turqia si një partnere e NATO-s do të qëndrojë në frontin e parë kundër kërcënimeve të sigurisë kolektive, Kiliç shkroi: “Dikush mund të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të provojnë vlerën që i jep Turqisë duke ndalur mbështetjen politike, ekonomike dhe ushtarake që Amerika i jep fraksionit të PKK-së në Siri (PYD), një organizatë terroriste kjo që ka vrarë 40.000 qytetarë turq të çdo etnike”.

 

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet