Ambasadori i Kosovës në Ankara përpiqet t’i njohë vendet ku punon me aparatin e tij fotografik

“Në mesin e njerëzve që kontaktoj ka shumë që kanë lidhje me Kosovën. Ose ende kanë të afërm atje ose kanë migruar këtu pas tragjedive të ndryshme. Ka shumë shembuj mbresëlënës”, tha Dugolli.

Ambasadori i Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli thotë se fotografia, të cilën e ka hobi, i mundëson që t’i njohë më mirë vendet ku ai punon.

Dugolli i cili u emërua në këtë pozitë në fund të vitit 2019, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregoi për jetën e tij në Turqi, interesin ndaj fotografisë dhe udhëtimin e tij për të mësuar turqishten.

Ai tha se pasi ka qenë ambasador i Kosovës në Bruksel dhe Stockholm është emëruar ambasador në Turqi. “Dimë shumë gjëra në lidhje me Turqinë, kemi shumë lidhje. E njohim Turqinë por ka shumë gjëra për t’u zbuluar. Një vend shumë i pasur në aspektin kulturor dhe me potencial shumë të lartë turistik, vend me shumë trashëgimi kulturore”, u shpreh Dugolli.

Prania e shumë njerëzve me origjinë nga Kosova dhe shqiptarë në Turqi ka ndikuar atë, shpjegon Dugolli duke theksuar se: “Në jetën e përditshme përballem me shumë surpriza. Në mesin e njerëzve që kontaktoj ka shumë që kanë lidhje me Kosovën. Ose ende kanë të afërm atje ose kanë migruar këtu pas tragjedive të ndryshme. Ka shumë shembuj mbresëlënës. Nuk pritja kaq”.

Duke folur në lidhje me karakteristikat e përbashkëta dhe të ndryshme mes Kosovës dhe Turqisë, ai tha se:

“Në Kosovë kemi shumë besime të ndryshme. Gjuha jonë është shqipja që del në pah me strukturën e ndryshme nga gjuhët tjera. Këto janë burim krenarie për ne dhe tipare që jemi përpjekur t’i ruajmë gjatë historisë. Edhe në Turqi keni një trashëgimi shumë të madhe historike të shumë civilizimeve. Nuk patëm mundësi për të zbuluar më shumë për shkak të pandemisë por ka shumë gjëra që mund të zbulohen përtej Ankarasë”.

“Fotografia, mjet për të kuptuar vendet ku ndodhemi”

Dugolli më tutje tregon se aparati fotografik me të cilin është takuar në moshën 10-vjeçare ka marrë përsipër rol të rëndësishëm në jetën e tij profesionale.

Ai fotografinë e cilëson si një mjet të rëndësishëm shpërqendrimi në jetën me punë dhe plot angazhime. “Në shumicën e rasteve më hapë horizonte të reja. Mundëson që të shoh çdo send më me vëmendje. Gjithashtu fotografia është një mjet që ne ta kuptojmë më mirë vendin ku ndodhemi”, tha ambasadori i Kosovës në Ankara.

Dugolli tha se kënaqet nga fotografimi i rrugëve, peizazheve dhe strukturat arkitekturore.

Fotografitë e tij, me mbështetjen e fotografëve profesionalë janë shndërruar në një ekspozitë, por për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) është anuluar.

“Njerëzit në Ballkan kryesisht e kuptojnë turqishten”

Ai gjatë detyrës së tij në Turqi e mëson edhe turqishten. Dugolli thotë se për shkak të intensitetit të punës nuk mund të marrë pjesë në ligjërata por se mundohet të mësojë me përpjekjet e tij.

“Procesi i mësimit nuk është i lehtë. Turqishtja është shumë e bukur”, tha ai duke shtuar se nuk ka shumë kohë.

Ambasadori kosovar gjithashtu tërheq vëmendjen se mes shqipes dhe turqishtes ka shumë fjalë të ngjashme. “Për shembull fjala ‘kollaj’. Kjo fjalë përdoret edhe shqip por e kuptojnë edhe turqisht. Natyrisht që gjuhët janë ndikuar nga njëra-tjetra, por njerëzit në Ballkan kryesisht e kuptojnë turqishten”, tha Dugolli.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi