Ambasadori Amerikan: Shumë institucione në Kosovë nuk po bëjnë punën e tyre

Në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë është themeluar Njësiti për Luftimin e Mashtrimeve, me anë të ndihmës të dhënë nga USAID-i. Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur se me anë të kësaj njësiti po dërgohet porosia se do të luftohet dhe do të vihet në dukje çdo mashtrim dhe korrupsion që ndodhë në Institucionet e Kosovës.

Duke përmendur rezultatet e këtij njësiti, diplomati amerikan tha se deri më tani ky njësit ka zbuluar 38 raste të mundshme të mashtrimit, dhe kjo, sipas tij, është një fillim premtues që i dëshmon qytetarëve se institucionet nuk kanë asgjë për të fshehur.

“ Me themelimin e njësitit kundër mashtrimit, Zyra e Auditimit po dërgon porosi se nuk do të zbrazet. Përkundrazi po dërgon mesazh se po shton përpjekje për të vënë në dukje korrupsionin dhe mashtrimin edhe pse sot po e shënojmë zyrtarisht fillimin e punës së kësaj zyre, njësiti është aktiv se disa muaj dhe ka shënuar sukses të hershëm. Deri tani ky njësit ka zbuluar 38 raste të mundshme të mashtrimit bazuar në raportet e auditimit në vitin 2017, ky është një fillim premtues për qytetarët për institucionet për të dëshmuar se institucionet nuk kanë asgjë për të fshehur”, shtoi ambasadori Kosnett.

Ambasadori, Philip Kosnett, kishte kritika rreth mos realizimit të rekomandimeve të Zyrës së Auditorit, ngase vetëm një e treta e rekomandimeve të tyre janë realizuar gjatë vitit të fundit.

Problemin për këtë, ai e konsideron tek Kushtetuta e Kosovës, që nuk jep hapësirë për t’i ndëshkuar institucionet që i shpërfillin rekomandimet.

Kosnett fajtor e la dhe Kuvendin e Kosovës, që siç deklaroi,  po shpërfillë Zyrën e Auditimit.

“Shumë Institucione të Kosovës thjesht nuk po e bëjnë punën e tyre për të vepruar sipas ligjit dhe Zyrës së Auditimit. Më vjen keq që e them, por vetëm një e treta e rekomandimeve të kësaj zyre janë realizuar gjatë vitit të fundit. Problemi qëndron se Kushtetua i jep të drejt zyrës vetëm për t’i audituar gjitha agjencitë qeveritare, por pastaj nuk ka ndëshkim nëse një institucion i shpërfill, apo si pranon këto të dhëna. Dhe Kuvendi i Kosovës që e mbikëqyr Zyrën e Auditimit dhe është konsumatori kryesor i raporteve  të saj është bashkëfajtor në këtë shpërfillje”, tha ai.

Diplomati Amerikan, mes tjerash, tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë udhëheqës në institucione që përfaqësojnë plotësisht transparencën dhe llogaridhënien.

Ndërsa, i bëri thirrje edhe policisë dhe Zyrës së Prokurorit që të kenë bashkëpunim më të madh për të ndihmuar Zyrën e Auditimit.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se kjo është një njësi e veçantë që ka për detyrë të ndihmojë auditorin, që të ketë një urë lidhëse me sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, me ndihmën e USAID-i kanë trajnuar rreth 60 auditor për të pasur më të lehtë në aktivitete kundër mashtrimit.

Osmani, duke përmendur raportin e auditimit për vitin 2018, tha se në fund të qershorit pritët të dalin gjithsej 135 raporte.

“Me ndihmën e USAID-s ne kemi trajnuar rreth 60 auditor në aktivitete të veçanta kundër mashtrim. Kemi trajnuar në mënyrë të veçantë dy auditorë që do të shërbejnë si back ofis dhe që do të ndihmojnë auditorët e tjerë. Dhe kemi pasur mundësinë që me ndihmën e USAID-i të kemi dhe auditorë të tjerë që për një kohë janë trajnuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo çka po bëjmë sot me Ambasadorin së bashku është t’i takojmë këta njerëz dhe t’i  mbështesim për punën e mëtutjeshme… momentalisht jemi në fazën e fundit të auditimit për vitin  2018 dhe shumë shpejt pritët që të dalin raportet e para dhe se deri në fund të qershorit do të dalin gjithsej 135 raporte”, u shpreh Osmani.

Ndryshe, përmes Komunave Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, USAID-i  është duke i mbështetur  dhe ndihmuar Organizatat e Shoqërisë Civile në përcjelljen e shpenzimit të parasë publike nga qeveritë lokale dhe ajo qendrore.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet