Aliu: Grafiti dëshmon pranimin e vrasjes së Astrit Deharit (Foto)

Vendosja e një grafiti prapa Teatrit Kombëtar të një shishe mjalte me mbishkrimin, “I’m not a gun”, ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje këtë të sheh si ndërlidhje me siç thonë atavrasjen e aktivistit të ndjerë të tyre, Astrit Dehari dhe kërcënim për gjithë anëtarësinë e tyre.

Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu përmes një konference për media ka prezantuar këtë grafit, ku tha se dëshmohet se ajo shishe ka qenë arma e vrasjes së Astritit dhe pranohet vrasja e tij.

Aliu, po ashtu konsideron se kjo mund të jetë kërcënim dhe për vrasje të reja.

Aliu: Ky grafit dëshmon pranimin e vrasjes së Astritit

“Dikush u përkujdes dhe një herë se Astritin na kanë vrarë në burg, grafiti në objektin e teatrit paraqet shishen që është vrarë Astriti në burg dhe në shishe shkruhet, I’m not a gun, pra unë nuk jam armë, bëhet fjalë për këtë grafit. Ne as nuk mund të imagjinojmë se si ndihet familja e Astritit kur të shohë këtë grafit në formën bizare të rikujtimit të vdekjes. Ky grafik në këtë kohë dëshmon dy gjëra, dëshmon pranimin e vrasjes së Astritit dhe njëkohësisht mbase mund të jetë dhe kërcënim për vrasje të tjera që dikush mund ti ketë në mendje”, tha ai.

Kohën kur ka ardhur ky kërcënim, sipas deputetit Aliu paraqet një situatë kur në prag të marrëveshjeve madhore, pushteti mundohet të dëmtojë Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas tij, grafiti paralajmëron vrasje të reja, ndaj atyre që po i prishin planet e pushtetit.

Aliu: Pushteti që një kohë ka provuar të dobësoj Lëvizjen Vetëvendosje

“Kur vjen ky kërcënim, pse bash tash tani në prag të përpjekjeve për marrëveshje, pra para synimeve që të ketë koncesione të reja kundrejt Serbisë, pushteti që një kohë ka provuar të dobësoj Lëvizjen Vetëvendosje në shumë forma dhe këto forma mbase ju kanë dështuar…ky grafit thotë se përdorimi i asaj shishe do të vazhdoj sepse nuk është armë. Ky grafit paralajmëron vrasje të reja, ndaj atyre që po prishin plane, po i prishin planet e atyre që e mbajnë këtë vend të ngulfatur politikisht dhe ekonomikisht” shtoi deputeti nga radhët e VV-së.

Aliu kërkoi nga institucionet e drejtësisë të hetojnë dhe të gjejnë lidhjen, sepse siç thotë ai kushdo që i ka bërë grafitet mund të dërgojë tek vrasësit e Astrit Deharit.

Aliu: Policia edhe Prokuroria duhet të veprojnë menjëherë

“Shkrimi i atyre grafiteve duhet të hetohet menjëherë me urgjencë, po ashtu policia dhe prokuroria duhet të veprojnë menjëherë pas kësaj që ne po e konsiderojmë kërcënim”, përfundoi ai.

Përkundër kësaj, Liburn Aliu tha se këto kërcënime nuk mund të ndalin Lëvizjen Vetëvendosje në përpjekjet e tyre./E.Zeqiri

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet