Ali Dula: Gjithëdija nuk është epiteti i njeriut

Profesor Ali Dula në reflektimet e tij ka shfaqur një sens të hollë, përherë kritik. Mbase kjo ia ka plotësuar apetitet shoqërisë, e cila nuk shquhet për vetëdije kritike, dhe në këtë mënyrë është bërë i njohur.

Ai u lind më 21 mars të vitit 1981 në Rahovec. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse në vitin 1999 atë të mesme – Medresenë “Alauddin” në Prizren. Ka studiuar për jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës, por paralelisht edhe për Gjuhë e Letërsi Shqipe, në po të njëjtin universitet.  Është graduar me titullin: Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në vitin 2005. Ka punuar edhe si mësimdhënës.

Së fundi, në Universitetin Publik ‘Marmara’, në Stamboll, i vijoi studimet pasdiplomike në fushën e komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun. Ai është një kandidat për doktoraturë në këtë fushë.

Një seri shkrimesh të natyrës publicistike, i janë publikuar gjithandej në mediumet shqiptare. Në këtë intervistë për Gazeta e Re profesor Dula, ka shqyrtuar disa dukuri të cilat janë shfaqur si anomali në kulturën tonë. Ndikimi i medias në shoqëri, raportet ndërmjet disa segmenteve kulturore etj, përbëjnë thelbin e kësaj bisede.

GER: Në një shkrim të mëhershëm tuajin, të cilin pata rastisur ta lexoja para disa vitesh, trajtonit atë që sociologët, antropologët dhe përgjithësisht njohësit e kësaj fushe, e quajnë: kulturë masive. “Prodhimi i saj”, si të thuash, është i dedikuar për t’i ushqyer masat. A të duket që tashmë industria informative, gazetat, televizionet dhe sidomos prtalet, na kanë futur në një rreth vicioz, i cili nuk na lejon të ndërgjegjësohemi e të vetëdijesohemi, në mënyrë që të ngrihemi në një tjetër nivel, më të lartë kulturalisht?

A.Dula: Si studiues i komunikimit, në prizmin e informimit, klima publike që produkohet nga kjo industri informative, sidomos ajo e portaleve, gati pa asnjë rezervë mund të themi se kemi një kontaminim të komunikimit publik me sulme politike, raportime joprofesionale, militantizëm politik e deri në prezantimin e sferës kulturore në vendin tonë, por ka dhe  përjashtime. Për sa i përket rrafshit kulturor kemi një trend të zhvillimit të produkteve të asaj që quhet kultura masive. Kultura masive, e cila do t`i plotësojë dhe kënaq mentalitete nga më të ndryshmet. Sot kultura masive ka shtrirë ndikimin e saj në shumë fusha të jetës dhe të veprimtarisë së njeriut, si për kulturë të jetës, për kulturë politike, për kulturë të sjelljes, për kulturë të komunikimit, për kulturë të shkrimit, muzikës e artit në përgjithësi. Ndikimi i saj është aq i prekshëm sa mund të paraqet një kërcënim, ku me formën e saj më të lartë mund jo vetëm të deformojë çdo shije, por edhe t`i brutalizojë ndjenjat. Ky ndikim në përhapje me mjete teknike të massmedias i drejtohet gjithnjë masës shoqërore. Kulturologu francez Edgar Moren thotë se ajo kështu po kryen “një rikolonizim të dytë” shoqëror, duke e gllabëruar globin dhe duke imponuar një sistem normash, i cili me entuziazëm po pranohet. Shprehja e kulturës masive në periudhën e industrializmit epet si burim zbavitës dhe ku shundi dhe kiçi jepen si zëvendësim për mungesën intelektuale dhe arsimore. Kjo ndodh edhe me kulturën shqiptare ku imitohet tendenca që e tërë krijimtaria kulturore, bile edhe ajo elitare, të bëhet pjesë e kulturës masive.

 

GER: Është pikërisht kjo – kultura masive, e cila ia ka zënë frymën vlerës. Ndoshta problemi më i madh me të cilin ballafaqohemi është ky: definimi i sistemit të vlerave? Më askush nuk e di se çka është vlerë, e çka jo… ç’mendoni ju?

A.Dula: Nocioni kulturë përmban vlerat fisnike të jetës së njeriut në marrëdhënien e tij me botën. Kurse sot vrapimi masiv pas disa veprimeve të masës është trendi më joserioz, manipulativ, kurse kulturalisht neveritës e herë, herë grotesk. Fakti se po jetojmë ne epokën e dominimit global të industrisë së zbavitjes e spektakleve, e nën ndikimin e kësaj, shpesh bëhemi pjesëmarrës e viktimë të këtyre proceseve boshe e jodobiprurëse. Fusha e kulturës e ndan fare mirë kufirin midis kualitetit dhe jocilësisë. Kulturë nuk është estradë e pashije. Në sensin e sistemit të vlerave, vlerat kulturore duhet shikuar si ideale abstrakte, pra ideale që kurrë nuk mbërrihen, sepse nëse mbërrihen pajtohemi me stagnim. Ideali abstrakt gjithmonë synon ta tejkalojë ekzistuesen. Siç kishte tejkalimet dikur me humanizmin dhe renesancën, më pas vijoi impresionizmi, pastaj modernizmi…

GER: Cili është shtegu i ngushtë i cili na nxjerr nga ky pellg?

A.Dula: Me modesti maksimale nëse mundem të jap një përgjigje… Të jemi më kritikë, jo shoqëri spektakli me vetëdije të nënshtruar e parazitje totale. Relacionin shoqëror ta ndërtojmë me mentalitet kreativ dhe veprim të kohës. Më larg kulturës konsumatore me botëkuptim estradesk, sepse sipas kritikut Guy Debord ky këndvështrim a qasje, është materializuar në masë të madhe duke marrë një ekspansion global.

GER: Le të provojmë t’i rikthehemi edhe njëherë gjenezës së problemit. Tony Blair, ish kryeministër britanik, gjatë fushatës së tij të famshme zgjedhore, më saktë kur kërkonte mandatin për herë të parë nga populli, thuhet se i kishte bërë tri premtime si prioritete, në kuadër të programit qeverisës të tij: arsimi, arsimi dhe arsimi. Çka do të ndodhte sikur në skenën tonë politike, do të dilte një kandidat i tillë për kryeministër?

A.Dula: Në thelb porosia e premtimit të Tony Blairi-t ishte më se domethënëse. Arsimi është direku themeltar i një shoqërie. Përmes arsimit arrihen të gjitha përparime të një vendi. Gjatë komunikimit politik fushator kandidatët politikë në Kosovë me slogane për arsimin kanë hiperbolizuar e abuzuar. Porse krahasimi është kompleks. Nuk është identik ky komunikim politik në Kosovë me atë të vendeve të zhvilluara perëndimore. Sot në Kosovë si sfidë të komunikimit politik mund të themi se kemi të bëjmë me një komunikim të njëanshëm, e që me këtë nënkuptojmë se për fat të keq ajo kryesisht paraqet vetëm pjesën ku politikani i drejtohet votuesit, kurse pas zgjedhjeve nuk e jep fare feed-back-un ndaj premtimit që i është dhënë (pritjes konkrete dhe reaksionit të mëvonshëm të qytetarit). Pra, nuk kemi një komunikim të dyanshëm, ku qytetarëve askush nuk ua thotë dhe shpjegon se në fakt partitë politike janë servis i tyre dhe jo e kundërta. Në vende perëndimore, komunikimi politik paraqet atë fuqinë e krijimit të urës midis dëshirës-kërkesës së qytetarit dhe politikanit, mandej doemos epet feed back-u dhe llogaridhënia e saktë për kontratën elektorale me votuesit. Ndërkaq te ne ajo paraqet vetëm forcën-pushtetin. Në vendin tonë partitë politike qytetarin e perceptojnë vetëm si votë të mundshme. Ky është një tip komunikimi joracional politik, sidomos kur aplikohet gjatë fushatave zgjedhore dhe ku përdoren, fjalë-premtime, intelektualizma, supozime e të tjera për një botë tjetër, e krejt këto premtime politike realizohen para opinionit publik përmes atyre formave stereotipe me skemat e përgatitura nga rregullat e mediatorit, kurse veprimi e njohuria politike e qytetarit mbetet në terr prapa kësaj skeme. Një pjesë e këtij komunikimi irracional te ne, e mban edhe vet stadi i interesimit dhe njohurisë politike nga qytetari. Lidhur me këtë teoricienti i njohur i komunikologjisë Walter Lippmann në librin “Public opinion” njohuritë politike të njeriut mesatar e krahasoi me një njeri që shkon në teatër, ku është futur në mes të pjesës së tretë të shfaqjes dhe largohet para mbylljes së perdes.

GER: Ka një mori problemesh që manifestohen në rrafshin kulturor. Ato janë të ndryshme e të ndërliqshme. Mbase disa nuk përsëriten për çdo vit. Megjithatë, ka një konflikt të çuditshëm i cili këtu e pasluftës, ka ngritur krye pothuajse vit, për vit. Për të mos e zgjatur, përse një pesë e të vetëquajturve laikë e sekularë, në vijimësi kanë provuar ta sulmojnë dimensionin fetar, si pjesë të kulturës?

A.Dula: Një sinkron i shfaqur që moti, por që në kohët e fundit i shfaqur si më padurues. Të tillët siç i quajtët dhe ju, janë altoparlant e zëri përkrahës i disa dukurive (anti) kulturore, të cilave as vet nuk u takojnë, por dimensionin fetar e atakojnë. Këtë dukuri romani “Mbreti i xhindeve” i shkrimtarit francez Michel Tournier, sqaron se si popujt lartësojnë si virtyte të veta pikërisht ato që nuk i kanë. Shtiremi “francezë” pa qenë!  Është bërë modë, sa edhe demode, që në debatet publike të atakohet besimi, sa herë që vendi kalon nëpër mjegullnaja politike. Krijimi i një PR-i të tillë është e pabesueshme që të mos jetë edhe një agjenda setting nga sistemi politik. Ama ka një standard dual në këtë turr laikësh e sekularësh, sepse aversionin ndaj fesë më shpesh e kanë te Islami. Për këta, elementi krishter është pjesë e çmuar dhe e rëndësishme e identikut kulturor, kurse çdo element islam apo oriental, shihet si relikt brenda historisë e kulturës tonë. Pra, krejt padrejtësisht akcentrohet një despotizëm oriental-islam. Këto janë karaktere servile me qasje selektive e ksenofobe. Një qasje e këtillë nuk gjendet te asnjë nga rilindësit tanë. Intelektualë me integritet nuk cenojnë baraspesha fetare në një shoqëri multifetare. Të tri besime historikisht shqiptarëve u kanë sjell mirëkuptim e harmoni. As Islamit nuk i duhen mbrojtës miopë, sepse atë më së miri e mbron themeli i tij, Kurani, dhe kultura e vet mijëravjeçare. Për ta përfunduar me këtë, lirisht themi se feja te shqiptarët ka zënë vend si guri n`themel t`shpisë. Andaj, aktet e atakimeve kundrejt saj janë kundër krejt kombit shqiptar, dhe ngjasojnë në ata pranuan të injektoheshin me ideologji komuniste dhe pastaj nuk njihnin fe as Zot, familje e as traditë.

GER: Kur jemi te kultura fetare, për fat të keq, edhe një pjesë e besimtarëve, manifestojnë mungesë të njohjes së fesë. Si shpjegohet kjo?

Ka dy perspektiva të shfaqjes së këtij fenomeni, përqafimi mekanik dhe prezantimi pa kompetencë. Në të parën nuk është kuptuar dhe as respektuar postulati i parë hyjnor, ndaj dhe tek ky grup gëzohet vetmjaftueshmëria. Te e dyta është interesant se njeriu duke qenë qenie sociale kur bëhet fjalë për fusha sociale, secili fare pa pritue niset të japë interpretime e kualifikime nga më të ndryshme, madje edhe me krejthuqje. E kur i pyet për fusha ekzakte p.sh diç nga Kimia, Fizika, Astronomia… atëherë përgjigje direkte dëgjojmë: aaa atje mos m’pyet se ku di unë për “hidrokarburet e ngopura e t’pangopura se çka janë!” Po pra, si për çështje sociale e ato shkencore duhet njohuria e përgatitur për të dhënë interpretime, ndryshe jemi joseriozë e sharlatan. Postulati epistemik i Sokratit “di sa nuk di gjë” ka dhe një porosi përmbajtësore që duhet të kuptuar drejt nga individi, kjo është secilin bashkëbisedues e ka detyruar ta vërtetojë atë çfarë thotë. Mençuri e kulturë është të heshtësh atëherë kur nuk di, sikundër që nuk është kulturë injoranca. Aktivizimi dhe implikimi i rrahagjoksëve fetarë në debatet publike pa kualifikime për subjektin është dëmtues. Gjithëdija nuk është epiteti i njeriut. As se dija dhe njohuritë duhet të jenë ekskluzivitete për të caktuarit, por se duhet kuptuar saktë nocionin kompetencë.

GER: Për ta përmbyllur… jeni optimist, shihni perspektivë në vendin tonë, për të rinjtë tanë?

Nuk jam dakord me maksimën “Rinia është e ardhmja e një vendi”, rinia është forca dhe promotori i së tashmes për vendin. Në ambientin politik të krijuar nga realpolitika ogurzeze e 20 viteve të fundit, viktima më fatkeqe është rinia. Ka 20 vite që fytyrat e njëjta politike e kanë gllabëruar sferën publike, pa i dhënë asnjë shans e hapësirë veprimi jo vetëm rinisë, por edhe shumë mendjeve të ndritura me kualifikimeve dinjitoze. Rezultat i kësaj, pjesa më vitale e shoqërisë po zbrazet nga vendi. Është më shumë se e dhimbshme kur mendja e tyre pushon vetëm me ëndrrën e ikjes. Një shoqëri pa rini është e destinuar për shuarje. Perspektiva e saj nuk shihet askund, por që të jem pesimist do të thotë të jem antihuman. Po optimizëm, por bashkë me të doemos ngritja e koshiencës qytetare drejt aksionit serioz për ndryshime. Ndërkaq me vazhdimin e statusit pasiv qytetar, mbetemi vetëm në stadin e ankimit./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmeLajmet Kryesore

Të ngjajshmet