Albulena Haxhiu: Brenda PAN-it, ka figura që mund ta marrin përkrahjen e VV-së

Albulena Haxhiu është politikane. Studimet i ka përfunduar pranë Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Ajo është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në shtatorin e vitit 2010. Në zgjedhjet e fundit të mbajtura me 11 qershor, ajo fitoi mandatin e tretë si deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në legjislaturën e fundit, ajo ka drejtuar Komisionin për Legjislacion. Haxhiu konsiderohet të ketë qenë një nga deputetet më aktive në Kuvendin e Kosovës.

Në një intervistë për Gazeta e Re, Haxhiu flet për bllokadën e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit në zgjedhjen e institucioneve të reja, raportin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA, kushtin e Lëvizjes Vetëvendosje për të mos votuar kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit, si dhe për dialogun të brendshëm serb të iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq për Kosovën.

Kur flet për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, Haxhiu thotë se “Mendojmë që brenda koalicionit PAN, ka figura që mund të marrin përkrahjen e deputetëve tanë”. Ndërsa në lidhje me dialogun e iniciuar në Serbi nga presidenti Vuçiq, ajo pohon se “Qëndrimet tona nuk i ndërtojmë bazuar në deklaratat e Beogradit”.

GeR: Znj. Haxhiu tanimë po bëhen dy muaj që kur u mbajtjen zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ende nuk i kemi institucionet e reja të vendit. Sipas jush kush është fajtori?

Haxhiu: Zgjedhjet e 11 qershorit ishin zgjedhje tejet të rëndësishme. Ishin referendum. Këto zgjedhje shënuan një kthesë të madhe në Republikën e Kosovës. Qytetarët votuan për ndryshim. Lëvizja VETËVENDOSJE!, u rendit si subjekt i parë në vend me 32 deputetë në Kuvendin e Republikës, dyfish më shumë se në mandatin e kaluar. Po ashtu, kandidati jonë për kryeministër, Albin Kurti, mori mbështetjen më të madhe nga qytetarët. Janë bërë dy muaj që nga dita e zgjedhjeve dhe fatkeqësisht ende s’i kemi të themeluara institucionet. Këtu më duhet të shpreh kundërshtimet e mia mbi aktgjykimin e padrejtë të Gjykatës Kushtetuese të nxjerrë në vitin 2014. Ky aktgjykim i jep të drejtën vetëm koalicionit apo subjektit që ka më së shumti vota për të bërë propozimin për të parin e Kuvendit, kjo në shpërputhje të plotë me praktikat e vendeve demokratike. Por pavarësisht kësaj, ndonëse i padrejtë ne e kemi obligim ta respektojmë.  Koalicioni PAN, menjëherë pas zgjedhjeve përmes deklaratave thoshte se i kanë numrat. Sot po del e kundërta. Pra ata kanë mashtruar qytetarët sepse as format më të pista që i kanë përdorur, nuk ishin të mjaftueshme për t’i bërë numrat. Koalicioni PAN është në panik për shkak të humbjes së pashpresë dhe të njëjtit mbajnë vulën e përgjegjësisë për situatën e krijuar.

GeR: Ka mendime se ndër arsyet e kësaj zvarritjeje për formimin e institucioneve të reja janë edhe zgjedhjet lokale. A mund të konsiderohet edhe kjo arsye?

Haxhiu: Deri më tani janë mbajtur tri seanca konstituive. Për shkak të mungesës së numrave, Kadri Veseli po e mban peng Kuvendin. Nuk mund të paragjykoj arsyen. Ajo çfarë dihet me siguri është që koalicioni PAN nuk i ka numrat për Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë.
Ne konsiderojmë që Kuvendi duhet të konstituohet sa më parë. Koalicioni PAN duhet të ndërpresë bojkotin dhe pazaret, të vijnë në Kuvend dhe të japin propozimin e tyre. Kosova nuk ka kohë e as para për të humbur.

GeR: Si mund ta emëroni raportin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA dhe a mund të kishte një koalicion qeverisës mes këtyre dy forcave politike?

Haxhiu: Menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve, ne kemi pasur kontakte dhe takime me përfaqësuesit e LAA. Si Lëvizje jemi të angazhuar që rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit ta jetësojmë. Mesazhi i qytetarëve është i qartë. Ata e duan PDK-në në opozitë dhe çdo ditë e jona do të jetë angazhim për t’i ndalur të dëmet dhe për ta kthyer zhvillimin, mirëqenien, drejtësinë e barazinë. Jemi dakorduar që diskutimet me koalicionin LAA, të nisin për programin.

GeR: Qysh në seancat e para partia juaj ka thënë se nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryetar kuvendi, por që nuk është se e keni refuzuar ndonjë tjetër nga koalicioni që do ta propozonte Veselin, pra PAN-i. A mund të konsiderohet kushtëzimi parimor përderisa nuk ju pengon programi e ndonjë pjesëtar tjetër i PAN-it?

Haxhiu: Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qëndrim të prerë sa i përket Kadri Veselit. Kryetari i Kuvendi duhet të jetë një person që përfaqëson unitetin e Kuvendit dhe jo një figurë përçarëse që fyen e kërcënon deputetët. Natyrisht se ne nuk mund të bëjmë refuzime në pako. Mendojmë që brenda koalicionit PAN, ka figura që mund të marrin përkrahjen e deputetëve tanë. Ky është kompromisi ynë për të dalë nga situata e krijuar.

GeR: Dihet se Kosova po humb në shumë aspekte si pasojë e mos pasjes së institucioneve të reja të vendit. A e konsideroni se edhe partia juaj duhet të ndjehet përgjegjëse për gjendjen në të cilët ndodhet Kosova?

Haxhiu: Të vetmit përgjegjës për humbjet eventuale janë koalicioni PAN, me theks të veçantë Ramush Haradinaj e Kadri Veseli. Këta po e mbajnë peng Kuvendin dhe vendin për shkak të pazareve dhe interesave të tyre të pista. Ne jemi treguar shumë të hapur dhe parimor. Presim që këta njerëz të reflektojnë dhe të zhbllokojnë institucionet.

GeR: Dhe për fund, do të donim të ndërronim pak temën e bisedës. Ditë më parë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi e nisi një fushatë mbi një dialog të emëruar si dialogu i brendshëm serb për Kosovën. Cili është qëndrimi juaj karshi kësaj iniciative të presidentit serb?

Haxhiu: Qëndrimet tona nuk i ndërtojmë bazuar në deklaratat e Beogradit. Ne konsiderojmë që Kosova ka humbur jashtëzakonisht shumë nga dialogu pa kushte dhe pa parime. Secila marrëveshje që është nënshkruar bie ndesh me interesat e qytetarëve tanë dhe Republikën. Në fillim të këtij procesi negociator janë dhënë dy premtime publike. E para ka qenë integrimi i serbëve dhe premtimi i dytë, njohja nga Serbia. Asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur. Përkundrazi Serbia ka vazhduar politikën e saj hegjemoniste e shoviniste. Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qëndrim të qartë. Nuk ka dialog pa kushte për Serbinë. Ajo për çfarë do të angazhohemi është dialogu me serbët e Kosovës për t’u integruar në jetën shoqërore dhe atë përmes zhvillimit e prodhimit. /Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTA JAVORELajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet