Albinot Maloku: Hashim Thaçi ka ditur t’i shfrytëzojë gati të gjithë akterët politikë, përjashto deri më tani Albin Kurtin

Albinot Maloku është një njohës i shkëlqyer i zhvillimeve politike, sidomos atyre në Ballkan. Ai është autor i librave: ‘Pavarësia e Republikës së Kosovës në shtypin ditor të Bosnje dhe Hercegovinës’; ‘Momente politike të kohës’, si dhe i librit që vetëm pak kohë më parë e pa dritën e botimit, i titulluar: ‘Në vitin tjetër në…’. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, ndërsa ato pasuniversitare në Fakultetin Juridik, Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare, në kuadër të Universitetit ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë.

Analizat, komentet dhe opinionet e tij, përveç në të përditshmet në Kosovë e Shqipëri, i janë publikuar edhe në shtypin serbo-kroat në Serbi, Mal të Zi, Bosje e Hercegovinë e Maqedoni. Ai ka komentuar edhe për mediat e njohura ndërkombëtare, si fjala vjen Al Jazera.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, ai ka folur rreth gjendjes aktuale politike, rreth alternativave të mundshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të dalë nga kriza, iniciativave të presidentit në kuadër të dialogut me Serbinë, si dhe çështjeve të tjera që e preokupojnë opinionin publik.

GER: Z. Maloku, nuk mund t’u shmangemi zhvillimeve aktuale politike, prandaj pyetjet e para të kësaj interviste po i fillojmë me to. Parlamenti, siç e dini, është buzë kolapsit total. Për këtë kanë dhënë “kontribut” mazhoranca e opozita. A mendoni që zgjedhjet e parakohshme janë opsioni i duhur për këtë situatë?

Maloku: Keni të drejtë kur e cilësoni gjendjen e legjislaturës aktuale si buzë kolapsit total. Nëse ju kujtohet, që prej zgjedhjes së kësaj legjislature, çdo gjë ka shkuar në teh të shpatës dhe kjo ka reflektuar në vet punën e Kuvendit të Kosovës. Zgjedhja dhe formimi i Qeverisë Haradinaj, votimi i demarkaciont si dhe e çështje të tjera të rëndësive të ndryshme, janë raste që tregojnë mjaftueshëm për ta vlerësuar (pa)punën e përbërjes aktuale të kuvendit. Edhe më e komplikuar u bë situata në kuvend, kur nga Lëvizja Vetëvendosje iku ky grupi që e ri-ngjalli Partinë Social Demokrate dhe përbërja e strukturës së partive politike në legjislativ u grimcua edhe më shumë. Nga përvoja politike e Kosovës, në momentin që kemi kaluar në kriza politike  e institucionale, si adresa e vetme për zgjidhje të problemeve është përmendur procesi zgjedhor. Në qoftë se nisemi nga po e njëjta përvojë, mund të themi se, nuk është se kemi dalë më të kënaqur si popull, pas proceseve të tilla. Gjithsesi, në këto demokracitë e vendeve në tranzicion, është mirë që ka zgjedhje edhe para orarit kushtetues e ligjor. Kjo së paku nuk i lë rehat pushtet-mbajtësit. E rrugës do të ishte që votuesi të tregohej më i kujdesshëm e mos të harronte aq shpejt, sa harron zakonisht. Ky mos-harrim do të ishte shenja kryesore që me të vërtetë zgjedhjet janë alternativa që sjell shpresë reale e të prekshme. Ajo që do të ishte ideale për vendin dhe nevojat e tij në të gjitha rrafshet, është që të kishte një fitore të forcave të caktuara politike, jo si kundërpeshë e të pa bërave të të tjerëve që ishin në pushtet, por thjesht e qartë, si alternativë e mirë e cila shkon përtej pritjeve të votuesit të Kosovës.

GER: Para pak ditësh e cilësuat presidentin si mashtrues të madh, ndërsa politikën që po ia mundëson atij realizimin e “aventurave”, si politikë pakurrizore, pra sikur keni dashur që barrën më të madhe të fajit t’ua ngarkoni institucioneve të tjera, përkatësisht zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror, si dhe liderëve politikë opozitarë?

Maloku: Thënë të drejtën, nuk e kam përdorur termin “mashtrues” gjatë deklarimit tim për mediumin e caktuar ndaj presidentit Hashim Thaçi, edhe pse nuk është se distancohem nga ky cilësim edhe aq. Thaçi, në të gjitha pozicionet politike që i ka pasur, për interes të vetin, ka ditur t’i shfrytëzojë gati të gjithë akterët politikë, përjashto deri më tani Albin Kurtin.  Për pasojë kjo ka rrjedhë si mungesë e një boshti politik të subjekteve politike që kanë tanguar me të. Faji nuk është krejtësisht i tij, sa është i atyre që kanë mundur të jenë ndryshe, e nuk kanë qenë. Për shembull, Lidhja Demokratike e Kosovës tingëllon shumë patetike kur tani reziston t’i ofrojë mbështetje institucionit të presidentit, e që në këtë rast është i votuari i LDK-së. Qeveria e drejtuar nga Haradinaj nuk është se mund të manovrojë edhe aq për t’ia ndalur yryshin presidentit Thaçi, e kjo ngase njëri nga partnerët e AAK-së, pra Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga Kadri Veseli ende nuk ka krijuar identitet dallues nga koha kur PDK drejtohej nga Hashim Thaçi. Kurse, në këtë mes të partnerëve të koalicionit është Fatmir Limaj që edhe pse tentoi të krijonte një identitet të vetin, sikur mori në thua, – që me sa duket e mori në qafë Milaim Zeka – duke ju bashkangjitur farsave me këtë Ekipin e Grupit Negociator. Aq sa duket cinike, aq është edhe ironike të vijmë deri te një situatë ku ta vendosim Limajn e Thaçin në ballë dialogut. Nuk e kuptoj se ku i krisi diga Limajt që të lejojë vazhdimin e pozicionit të kukullës në proceset politike të vendit? Këta të PSD-së së Shpend Ahmetit, me siguri do të jenë për një përdorim, ose duhet t’i ngjiten ndonjë vagoni tjetër politik. Në këtë fotografi forcash politike, përfitues do të jenë disa Dardan Gasha që i ka politika e Kosovës, por jo edhe shteti e qytetari.

GER: E dini që një grup qytetarësh, bashkë me një pjesë të shoqërisë civile, të revoltuar me skandalet që shpërthyen në sistemin e drejtësisë, kërkuan ndër të tjera, shkarkimin e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Megjithëse kërkesat e tyre qenë të qarta, pak qytetarë iu përgjigjën iniciativës për protesta, si e shpjegoni ju këtë? A kaq shumë është “copëtuar” ndjesia e qytetarisë, aq sa populli të mos i zë besë askujt për asgjë?

Maloku: Rrjedha e ngjarjeve rreth sistemit të drejtësisë, sidomos pas shkuarjes në SHBA të ish-prokurorit Elez Blakaj është shumë e koklavitur. Paqartësitë janë të mëdha, aq sa qëndrimet janë të ndryshme, çoftë nga instancat vendore, apo edhe nga ato ndërkombëtare. Ambasadori amerikan Dalawie e konsideroi rastin, përkatësisht ish prokurorin, si i kërcënuar, kurse instancat vendore e quajtën “mashtures” e “gënjeshtar”, bile edhe “qyqan”. Sipas meje Aleksandër Lumezi do të duhej të largohej sa më parë nga pozita e tij, sepse vet ikja/largimi, pavarësisht arsyeve, të njërit nga prokurorët e Kosovës, në formatin se si ka ndodhur, konsiderohet përgjegjësi e kryeprokurorit. Ndërsa, nëse flasim për numrin e pjesëmarrësve në protestat e organizuara për ta larguar kryeprokurorin Lumezi, besoj se aty janë ata që dinë çka duan dhe për këtë masa është aq sa është. Pra, protestat e tilla kryesisht marrin vëmendjen e atyre që janë konkret në të drejtën e tyre. Në demokracitë e mirëfillta ku në pushtet janë të ndërgjegjshmit, shumë më shumë do të jepnin efekte konkrete lloji i këtyre protestave sesa ato masovike. Në anën tjetër, po, është bërë problematike shumë çështja e besimit të qytetarëve ndaj akterëve të cilës do fushë a sektor në Kosovë. Kontribuues për këtë humbje besimi janë edhe politikanët vendorë edhe ndërkombëtarë.

GER: Në këtë kontekst, a ka vend për një subjekt të ri politik?

Maloku: Sipas meje, në hapësirën politike në Kosovë është provuar lloj-lloj eksperimenti. I mendimit jam se kjo hapësirë ka vend për subjekte të reja politike mirëpo jo më për eksperimente. E thash edhe në fillim të kësaj interviste për mediumin tuaj, ideale për vendin dhe nevojat e tij në të gjitha rrafshet është që të kishte një fitore të forcave të caktuara politike, jo si kundërpeshë e të pa bërave të të tjerëve që u ndodhën në pushtet deri më sot, por thjesht e qartë si alternativë e mirë e cila shkon përtej pritjeve të votuesit të Kosovës. Kosova nuk është se nuk ka rendiment të mirë politik, pra me njerëz që jo se janë premtues, por e duan vetën dhe e duan vendin e tyre të zhvilluar ekonomikisht por edhe ligjor që është më kryesorja. Gjithsesi, konstelacionet e forcave politike aktuale, por edhe mediale, e kanë mbyllur maksimalisht ambientin politik, mirëpo i bindjes jam se asgjë nuk zgjat deri në pambarim. Konform kësaj, mendoj se forca të caktuara politike, çoftë individë apo grupe, janë të gatshëm t’ia hapin qiellin politikës dhe zhvillimit të Kosovës.

GER: Te libri juaj i publikuar para pak kohësh, i cili është treti me radhë dhe titullohet: Në vitin tjetër në…; ju jeni shfaqur kritik edhe ndaj diplomacisë kosovare. A ende mendoni që politika, përkatësisht diplomacia jonë, është larg stadit të pjekurisë?

Maloku: Po gjithsesi. Diplomacia e Kosovës nuk po arrin të kap taktin e vet. Këto ditë në Prishtinë u mbajt Konferenca e Ambasadorëve të Kosovës në Botë dhe asnjëri nga këta ambasadorë nuk doli të tregojë se ky, apo ai, qe suksesi i tij e i Kosovës, për këtë apo atë çështje. Ndërsa kulminacioni i ironisë ishte, kur kreu i Qeverisë së Kosovës Ramush Haradinaj, i cili është edhe shef i ambasadorëve, u tha atyre se ju nuk duhet të pritni instruksione nga shteti i juaj. Pra, mësoni për qëllimet dhe planet tona nga mediet, ngase ato po e japin çdo mbledhje të Qeverisë e Kuvendit drejtpërdrejt. Faktikisht u pajtova me kryeministrin kur u tha diplomatëve të Kosovës “qyqana”. Shefi i diplomacisë së Kosovës Behxhet Pacolli, pas mbarimit të mandatit, opinionit do t’i arsyetohet se nuk ka pas hapësirë manovrimi. Pakrahasueshmërisht ai dallon nga koha kur lobonte për njohjet, ani që nuk ishte në pozitën në të cilën ndodhet sot. Njohjet stagnuan, INTERPOLI, UNESCO e të tjera, janë procese që i ka zënë gjumi si çështje. Gjithsesi kuptohet, politika vendore e Kosovës e determinon edhe diplomacinë e saj.

GER: Le t’i kthehemi edhe njëherë çështjes së presidentit, respektivisht “akrobacioneve” të tij politike. Ka zëra ndërkombëtarë të cilët kanë paralajmëruar për rrezikun e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Disa madje mendojnë që pasojat do të ishin zinxhirore në tërë Ballkanin. A pajtoheni me këto interpretime?

Maloku: Është për tu çuditur se si presidenti Hashim Thaçi i dha një kahje krejt tjetër çështjes së dialogut Kosovë-Serbi. Futja e çështjes së kufijve është ndryshim total i kursorit që ai vet promovonte nga 17 shkurti i 2008-tës. Ndryshimi i kufijve mes Kosovës e Serbisë nuk ka qenë për presidentin çështje, në agjendën e tij politike, por se çka i ndodhi, nuk mund të paragjykojë. Në kapacitetin personal të hulumtimeve e lëvizjeve nëpër vende të ndryshme të Ballkanit, tetë vite më parë në një analizë timen, pata thënë se ndërrimi i territoreve është jo produktiv, korrigjimi i kufijve do të dridhte zemrat e jo realistëve, por do ta qetësonte rajonin. Dhe ky konstatim rrjedh si nevojë e prezantuar nga liderët politikë në Sanxhak, Luginë të Preshevës, Republika Serbe në BeH, IRJ të Maqedonisë, por edhe në Ulqin. Pra po dua të them që ky korrigjim i kufijve mes Kosovës e Serbisë nuk mund të kufizohet vetëm në këto dy vende dhe si i tillë, për momentin, është i dëmshëm.

GER: Për fund, na lejoni diçka edhe për euro-skepticizmin tuaj. Ju përherë jeni veçuar si i tillë, madje kjo reflekton edhe në komentin që ju së fundi e bëtë për të përditshmen sllovene Delo. Aty keni folur se si lindja e një grupi politik ekstrem djathtist, është një tregues që Bashkimi Evropian e ka humbur ekuilibrin. Çka domethënë kjo dhe për më tepër, kjo përlindje e djathtizmit ekstrem, a mund të reflektojë edhe në skenën tonë politike?

Maloku: Një politikan në Slloveni, që ishte edhe kandidat për president të vendit, i njohur si Andrej Sisko, ka krijuar një grupacion të prezantuar si “Garda Stajerskas”. Ky grup që i përket krahut të djathtë ekstrem, synim ka “të sigurojë paqen dhe rendin publik”. Për mua, ky është reflektim i një Bashkimi Evropian ku e djathta ekstreme gjithandej po mbinë, e defekti qëndron te politikat e Brukselit zyrtar. Të tilla mendësi politike edhe pse nuk po arrijnë edhe aq t’i prezantohen opinionit publik, ato veç po mbahen të mbyllura nga mediet por jo që ka politika konkrete nga Brukseli se si t’u qasen atyre. Kur mediumit në fjalë i thash se në Kosovë e Shqipëri, pavarësisht gjendjes politike e ekonomike, nuk ka të tilla grupacione, sikur edhe gazetarit i tingëlloi si diçka e çuditshme. Në Serbi, po ashtu, pati një grupacion të rinjsh që ushtroheshin nga instruktorë nën sponzorizimin rus. I mendimit jam që Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të marrin model në asnjë konstelacion ekstremin e djathtë evropian. Të tilla politika nuk i shërbejnë qytetarit shqiptar, kudo që ai jeton në hapësirën shqiptare të Ballkanit./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
INTERVISTA

Të ngjajshmet