Alarmojnë bletarët, sëmundje të panjohura po na i mbytin bletët

Bletarët prizrenas, i janë ankuar drejtorisë së Bujqësisë në Prizren se sëmundje të panjohura po ua mbytin bletët, prandaj ata kanë kërkuar që Komuna e Prizrenit, por edhe Ministria përkatëse të parasheh buxhet për vitin e ardhshëm, për mbrojtjen e shëndetit të bletëve, duke e angazhuar ekspertë nga jashtë.

Rreth 50 përqind e bletëve në Komunën e Prizrenit sipas bletarëve të këtushëm janë viktimë e një sëmundjeje të panjohur për ta, dhe për të cilën nuk gjejnë ilaç, prandaj kanë kërkuar ndihmën e Komunës dhe të Qeverisë së Kosovës për angazhimin e ekspertëve nga jashtë.

Nexhat Kovaçi, u ankua se pas dimrit të fundit rreth gjysma e bletëve të tij kanë pësuar nga një sëmundje e panjohur. Nga analizat që janë bërë në Kosovë ai thotë se kanë dalë rezultatet, sipas të cilave bletët kanë pësuar nga një virus që sipas tij është prezent gjatë verës e jo në stinën e dimrit.

Ai duke mos iu besuar këtyre analizave kërkon ndihmë nga jashtë. “Janë tri sëmundje të bletëve që po dominojnë” tha ai

Rrezak Krasniqi, gjithashtu ka kërkuar ndihmë. “Gëlqeroza po na i mbyt bletët ndërsa asnjë zgjidhje nuk po e gjejmë për t’i mbrojtur ato” u ankua Krasniqi i cili gjithashtu kërkoi ndihmë nga institucionet.

Bletarët propozojnë që Komuna e Prizrenit në buxhetin e vitit të ardhshëm të ndajë buxhet për kontrollimin e shëndetit të bletëve.

“Asnjë ekspertë s’ka njohuri për sëmundjet e bletëve, prandaj kërkojmë angazhimin e ndonjë eksperti  nga jashtë” thanë njëzëri bletarët.

Bletarët gjithashtu janë ankuar se gjatë sezonit, në terrenet që ata i bëjnë gati për bletët e tyre vijnë bletar nga komunat tjera. Ata pohuan se e kanë paraqitur rastin por nuk janë ndërmarrë masa.

Bletarët gjithashtu kanë kërkuar që të ndihmohen me fidanë për pyllëzimin e pjesëve të caktuara të pyjeve.

Ata gjithashtu kanë apeluar që ndihmat që ndahen për bletarët të bëhen në bashkëpunim me Shoqatat e bletarëve që të përfitojnë ata që vërtetë kanë nevojë.

Këto shqetësime dhe kërkesa, bletarët i kanë paraqitur në debatin e Komunës së Prizrenit për buxhetin në Bujqësi për vitin 2018.

Drejtori për Bujqësi Pal Geci dhe drejtori i Financave Ertan Simtçi i dëgjuan me kujdes shqetësimet dhe kërkesat e bletarëve dhe premtuan se këto kërkesa do t’i adresohen kryetarit të Komunës, i cili është autoriteti përfundimtar për përcaktimin e buxhetit. /R.Berisha/ Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet