Alarm, botën po e kërcënon një konflikt i ri

Beteja ekonomike ndërmjet Kinës dhe SHBA-së, si dhe kërcënimet që vijnë ndaj kësaj të fundit nga Irani, ka ngritur një valë shqetësimesh kudo në opinionin botëror. Mediat vënë në pah dallimet e interesave ndërmjet këtyre vendeve të fuqishme, duke i evidentuar përplasjet si dhe skenarët e mundshëm që mund të çojnë në një krizë te re globale – shkruan Gazeta e Re.

Londinezja The Economist ka një titull të frikshëm rreth një konflikti të mundshëm “shpërthyes” ndërmjet Iranit dhe SHBA-së, pas tensioneve të shtuara së fundi ndërmjet dy vendeve. E përjavshmja në fjalë raporton se pas kërcënimeve nga pala iraniane: “Një grup i aeroplanëve amerikan udhëtoi drejt Gjirit Persik, për t’iu bashkuar bombarduesve b-52, pas kërcënimeve të paspecifikuara nga Irani. John Bolton, këshilltari i sigurimit kombëtar, tha që çdo sulmi ndaj Amerikës apo aleatëve të saj “do t’i kundërvihemi me forcë të rreptë!.”

Iranianët kanë deklaruar se nuk do ta respektojnë marrëveshjen, por kanë pranuar kufizime në programin e tyre bërthamor, në këmbim të një ndihme ekonomike.

Në një fron tjetër, ndërkaq, SHBA-të po përpiqen t’ia ndalin hovin Kinës, e cila ka shtrirë këmbët deri në Evropë. As tarifat e larta nuk e kanë penguar gjigantin aziatik që të depërtojë e ta dominojë një pjesë të tregut, ku synon t’i mund rivalët.

“Javën e kaluar një marrëveshje dukej mjaft afër, ndërsa frika tani është një konflikt total komercial” – shkruan The Ekonomist.

Deutsche Welle (DW), shkruan se pavarësisht mekanizmave tregtar ndëshkues ndërmjet palëve, Kina dhe SHBA-të vazhdojnë bisedimet, për ta sqaruar grindjen tregtare. “Mysafirët nga Pekini bëjnë thirrje për të qenë të arsyeshëm e i dorëzojnë “një letër të bukur” presidentit Trump” – shkruan ndër të tjera berlinezja.

“Zëvendëskryeministri kinez Liu He shpreson për një “shkëmbim të hapur dhe të arsyeshëm mendimesh”, siç është shprehur ai. Në fillim të takimeve dyditore në Uashington, ai bëri më se të qartë, se shpreson tek ujdia. Rritja e tarifave doganore nuk është zgjidhje, sipas tij. Ndërkohë SHBA-të forcojnë presionin ndaj Kinës. Nga mëngjesi i të premtes, sipas të dhënave të autoriteteve amerikane do të ngrihen me 25% tarifat doganore për produkte të caktuara kineze në vlerë 200 miliardë dollarëshe. Më parë tarifat dogaore të importit ishin vetëm 10%. Qeveria në Pekin bëri të ditur në një reagim të parë se do të ketë “kundërmasa të nevojshme”.”

Kështu SHBA-të janë dyzuar në këto dy fronte, duke u përpjekur që ta kontrollojnë tregun, por edhe t’i sprapsin të gjithë ata që ua kërcënojnë sigurinë.

Shkaku i tensioneve me Iranin, është edhe më i qartë, por siç shkruan The Economist, i mundshëm që të jetë edhe “shpërthyes”.

“Me vendimin për të mos i shitur më jashtë rezervat e pakta të pasuruara të uranit, por për t’i lenë brenda territorit të vendit, dhe me paralajmërimin për hapa të tjerë, – si pasurimin e mëtejshëm të uranit – Irani rrezikon marrëveshjen atomike, të cilën, veç SHBA-së, e respektojnë të gjitha shtetet e tjera deri më tani. Ky vendim i jep fund edhe “epokës së  maturisë, diplomacisë dhe shpresës”, që Irani donte të ndiqte që me ardhjen në pushtet në vitin 2013 të presidentit Hasan Rohani. E që arriti pikën kulmore me nënshkrimin e marrëveshjes atomike në vitin 2015” – shkruan Jamshid Barzegar, në një analizë të publikuar në DW.

“Që nga fillimi Rohani ndeshej me valën kundërshtuese të ndjekësve të linjës së ashpër, sidomos të liderit fetar, Ali Khomenei dhe gardistëve të revolucionit. Ata nuk ishin të interesuara për suksesin e marrëveshjes dhe i hapnin telashe presidentit, ku të mundnin, si në politikën e jashtme ashtu edhe të brendshme” – vijon artikulli.

Në këtë arenë ballafaqimesh ekonomike, politike e diplomatike, sipas analistëve, rreziku është të shpërthejë ndonjë shkëndijë edhe konflikti fizik, çka do të mund të ishte me pasoja fatale për tërë globin. /Gazetaere.com/

Kategoritë
BotaEkonomiLajmeTema e Ditës

Të ngjajshmet