Aktori i “Çukur” në Tiranë, interes i jashtëzakonshëm nga fansat shqiptarë

Nën kujdesin e Institutit “Yunus Emre” në Tiranë është organizuar një bashkëbisedim me aktorin turk Ercan Kesal, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, qytetarë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Bashkëbisedimi filloi me fjalën përshëndetëse të drejtorit të Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, i cili foli rreth institutit dhe karrierës së aktorit turk.

Demirbaş, duke iu drejtuar pjesëmarrëse për figurën dhe veprimtarinë e Kesal, tha se “Pranë keni një intelektual shumë të vyer. Është edhe një doktor që e ka dedikuar jetën e tij në shërbim të shëndetit të njerëzve. Jemi përballë me një mysafir kaq të vyer. Natyrisht e njihni atë vetëm si artist, nga seriali Çukur, ndërkohë që ai ka një vlerë shumë më të madh.”

Ai theksoi se Instituti “Yunus Emre” është një institucion që gjendet në Shqipëri për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet midis dy vendeve.

Gjatë bashkëbisedimit, Kesal foli për vizitat e tij në vendet e Ballkanit, karrierën e tij në disa fusha si në aktrim dhe krijimtari.

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që ndodhem këtu. Kisha udhëtuar pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit përveç Shqipërisë, ku në shumicën e rasteve për shkak të festivalit të filmave. Kam udhëtuar në këto vende si skenarist dhe si aktor. Duke parë ambientin që gjeta këtu them sikur të kisha ardhur më përpara. Duke qenë këtu bashkë me ju e ndiej veten si në shtëpinë time, si një ambient që unë e njoh”, tha Kesal.

Ai u shpreh më tej se prej shumë vitesh është marrë edhe me letërsi, ka shkruar lloje të ndryshme të letërsisë duke filluar që nga vitet 80-të dhe theksoi se “Ato që lexoni përpara se të filloni të shkruani janë shumë të rëndësishme”.

“Nëpër filma gjejmë një pjesë të jetës tonë. Arsyeja pse një film apo shfaqje pëlqehet nga publiku është se përmbajnë një pjesë të realitetit… Shumica e skenave që krijohen janë të vërteta. Ajo që të ndihmon më shumë kur je në skenë është përjetimi në realitet i të njëjtave gjëra që luhen në skenë”, tha ai.

Kesal u shpreh se “Për aktrimin nuk është se ka receta fikse ose këshilla fikse. Nuk bëhesh aktor thjesht duke u diplomuar në degën e aktrimit dhe kaq. Për të qenë një aktor i mirë duhet të jesh brenda jetës”.

Bashkëbisedimi u organizua në kuadër të aktiviteteve për edicionin e 22-të të Panairit të Librit “Tirana 2019”, ku merr pjesë edhe Instituti “Yunus Emre” Tiranë.

Kesal, i cili erdhi në Shqipëri si i ftuar i Institutit “Yunus Emre” Tiranë, u takua edhe me studentët e Universitetit New York Tirana, universiteti i Fondacionit Turk Maarif, ndërsa vizitoi edhe institucionet turke në Shqipëri.

Aktori dhe shkrimtari Ercan Kesal i cili ka ardhur në Shqipëri si i ftuari i Institutit Yunus Emre Tiranë, ishte i ftuar në emisionin Pasdite me Rudinën në TV Klan, ku i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me botëkuptimin e tij artistik.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet