Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të dalë në konferencë për media.
Sipas komunikatës, konferenca do të mbahet në ora 15:00 tek objekti i kësaj ministrie.
Më 11 nëntor, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”.
Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Me këto veprime, katër të pandehurit ngarkohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, në vlerë prej afër 3 milionë euro.
Prokuroria njofton se Hajdari, Lipovica e Gara akuzohen në periudhën shkurt-mars 2022, keqpërdorën detyrën me qëllim të përfitimit pasuror për persona tjerë dhe shkaktim të dëmit ndaj buxhetit të shtetit.
“Të pandehurit R.H., I.L. dhe H.G., akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, Në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, njofton PSRK.
Ata ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke zbuluar vendndodhjen e rezervave shtetërore tek Muharremi. E ky i fundit akuzohet se u krijoi kushte tre të pandehurve tjerë për kryerje të veprës penale, duke ndërmjetësuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për rezervat shtetërore.
“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, njofton PSRK-ja.


















