Aksidentet në trafik, vazhdojnë të marrin jetë njerëzish

Me ardhjen e mërgimtarëve, fluksi i veturave që qarkullojnë në rrugët e Kosovës, është shtuar dukshëm. Por për rrjedhojë edhe numri i aksidenteve. Viktimat në trafik, vijojnë të shënjojnë norma të larta të shifrave, ndërsa nga autoritetet bëhet apel që të kihet më shumë kujdes gjatë vozitjes – shkruan Gazeta e Re.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë ditës së djeshme në territorin e Kosovës kanë ndodhur 99 aksidente. Pjesëmarrësit në 25 prej tyre kanë pësuar lëndime, ndërsa 74 të tjera vetëm me dëme materiale.

Po ashtu, përgjatë ditës së djeshme policia ka shqiptuar 1 mijë e 118 tiketa trafiku. Për vepra të ndryshme penale, policia ka arrestuar 15 persona, ku 6 nga ta janë dërguar ndërsa 2 në vuajtje të dënimit. Një ditë përpara kësaj, ndërkaq, janë raportuar 75 aksidente një prej tyre me fatalitet.

Duke u mbështetur në këto të dhëna të frikshme, edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHP),  ka shprehur shqetësimin dhe ka bërë thirrje që të kihet shumë më shumë kujdes:

«Në dy vitet e fundit mbi 300 persona humbën jetën në komunikacion» – vë në dukje IKSHP, duke shprehur shqetësimin e thellë lidhur me numrin tejet të lartë të aksidenteve me fatalitet. Sipas tyre, vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, janë humbur jetën mbi 30 persona.

Sipas IKSHP, «nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 300 persona, prej tyre 137 kanë vdekur më 2017, 129 më 2018.»

Shkaqet, sipas tyre, janë të ndryshme, por faktori njeri është ai themelori. Për t’i parandaluar sadopak aksidentet, IKSHP, jep disa rekomandime:

«• Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.

  • Zbatimi me rigorozitet i Ligjit për komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.
    • Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.
  • Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.
    • Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.
  • Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.
    • Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.
  • Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, të kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.
  • Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.
  • Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patentë-shoferëve.
  • Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.»

Sipas ekspertëve të institutit, këto masa janë emergjente dhe duhet medoemos të merren parasysh. Në të kundërtën, numri i viktimave do të vijojë të mbetet i lartë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet