“Aksham Pazari” i PDK-së

Të paktë janë ata që besojnë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do t’ia dalë ta ribëjë një koalicion qeverisës të ri. Opozitarët vijojnë t’ua kenë drojën ditëve të mbetura, përpara datës së paraparë për shpërndarje të kuvendit. Megjithatë rreziku potencial ekziston – thonë ata, që deri më datën e 22 gushtit, të gjendet një kandidat i ri për kryeministër, e t’i propozohet presidentit – shkruan Gazeta e Re.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), bashkë me Nismën dhe Partinë Social Demokrate (PSD), tashmë i kanë dorëzuar listat me nënshkrimet e deputetëve për seancën e jashtëzakonshme, të fundit për këtë legjislacion, ose thënë ndryshe: seancën e shpërndarjes së parlamentit. Të vetmit që po vonohen, janë deputetët e PDK-së, të cilët, sipas deklaratave, do ta dorëzojnë listën e nënshkrimeve javën e ardhshme.

Pikërisht për shkak të hezitimit të tyre, pjesa më e madhe e partive parlamentare, janë “gjithë sy e vesh”, duke vëzhguar me vëmendje se ç’hapa po hedh ky subjekt.

«Më 2017-n të tmerruar nga humbja, pesë minuta para 00:00 postin e kryeministrit ia dhanë një partie të vogël e tash duan ta japin tërë qeverinë» – është shprehur së fundi deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli. Sipas deputetit në fjalë, i tërë fokusi i PDK-së është në ruajtjen e pushtetit, sepse përndryshe, ajo ka frikë që mund të pësojë keq në këto zgjedhje të parakohshme.

«Si është e mundur që një parti hyn në treg për ta marrë qeverinë e ta japë mandatarin, pse ekziston si parti? Përgjigjja është se ata japin tërë pozitat e larta me kushtin për ta ruajtur pushtetin e padukshëm» – citohet të ketë thënë ndër të tjera deputeti Avdyli.

Ditë më parë edhe lideri i LVV-së Albin Kurti tha që PDK-së nuk i ka mbetur më asgjë në dorë, veç mundësisë për ta zvarritur kohën: «Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër.»

Përndryshe, sipas deputetes Albulena Haxhiu, kjo legjislaturë është shquar pikërisht për probleme e zvarritje procesesh. Për Zërin ajo ka thënë se ish Qeveria Haradinaj, qysh me pazaret me «Listën Serbe, pastaj pazaret me njëri-tjetrin e problemet që kanë dalë në vijim ka qenë e qartë se edhe Kuvendi do të ketë pasoja dhe nuk do të jetë funksional. Ne si opozitë kemi qenë shumë aktiv. Në qoftë se shohim prej janarit e deri në korrik, shumë më shumë ka pasur seanca të cilat janë thirrur nga opozita, sepse sa më shumë që kishte skandale ne detyroheshim të vepronim me seanca të jashtëzakonshme».

Faton Topalli nga PSD, duke e komentuar hezitimin e PDK-istëve, përjashton tërësisht gjasat për formimin e qeverisë teknike. Në një intervistë për Zërin ai ka thënë se ato janë zero. «Shpresoj që të mos ketë një qeveri teknike, sepse kemi një gatishmëri të përgjithshme të partive politike dhe të qytetarëve, prandaj nuk ka asnjë arsye të njohur që të mos shkojmë në zgjedhje. Sa më shpejt dhe më herët të shkojmë në zgjedhje, aq më mirë do të krijohet mundësia të kemi më shpejt një qeveri të re, e cila do të merret me tema me rëndësi për vendin.

Entuziastë duken edhe deputetët e AAK-së dhe NISMA-s. Këta, të paktën publikisht, kanë përjashtuar idenë vazhdimit të koalicionit, ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë duke i pritur me ankth. E ndonëse deri më 22 gusht ka ende kohë për të ndodhur të pandodhurat, PDK-së po i ngushtohet rrethi i partnerëve, andaj është pak e gjasshme që t’iu shmangemi zgjedhjeve, thonë analistët./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet