“Akrobacionet” qeveritare në tregti dhe bujqësi, të rrezikshme për ekonominë e vendit

U deshtë të kalonte vetëm një javë, që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Republikës së Kosovës, respektivisht qeveria, ta shfuqizonte vendimin për vendosjen e masave mbrojtëse për disa produkte bujqësore, duke i rënë kështu pishman, brenda një periudhe shumë të shkurtër. Bujqësia, që konsiderohet si një ndër sektorët më strategjik për ngjalljen dhe stabilizimin ekonomik e social të vendit, duket që nuk po merret seriozisht as pas një dekade pas pavarësimit. Tregtarët e pemëve dhe perimeve, të cilët janë goditur nga ky vendim, kanë thënë se çmimet për produktet në fjalë, janë ngritur risht, duke shprehur pakënaqësinë me “lojën” e qeverisë – shkruan Gazeta e Re.

S’ka më tepër se një javë që MBPZHR mori vendim për vendosjen e masave mbrojtëse për 21 produkte bujqësore, por që Qeveria e Kosovës e ndryshoi atë duke e larguar taksën doganore për 30% për 14 produkte, raportojnë të përditshmet tona.

Kështu për pataten, karotën, trangullin, shalqirin, pjeprin, lakrën e hershme, fasulen monokulture, dredhëzën, manaferrën, qershinë, misrin, spinaqin, qepën dhe sallatën – ndërkrehen masat e përkohshme mbrojtëse në import. Ndërkaq, këto masa kanë vazhduan vetëm për 7 produkte, e që janë domatja, speci, molla, dardha, kumbulla, mjedra dhe rrushi i tryezës, deri para pak ditësh, kur edhe qeveria mori vendim ta shfuqizojë atë.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë (ASK), hapësira e shfrytëzuar e tokës bujqësore rrokë një territor prej 416 072.33 hektarësh (përfshirë tokën e përbashkët). Prej kësaj sipërfaqe pjesa më e madhe u përket <<livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 52.5%; si dhe tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 44.9 %, kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanet) 2.3%, dhe kopshtet me 0.3%.

Nga gjithsej tokë e punueshme – ara (186 954.16 ha), pjesa më e madhe është me drithëra 120 746.28 ha (64.6 %); bimë foragjere me 35 998.79 ha (19.3%); perime gjithsej (në fushë të hapur, në serra dhe kopshte) janë 9 698.75 ha, prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra janë 8 499.76 ha (4.5%); patate 4 290.29 ha (2.3%); bishtajore 3 559.50 ha (1.9%); bimë industriale 450.45 ha (0.2%); kultura të tjera 2 333.11 ha (1.2%) dhe tokë djerrinë 11 075.99 ha (5.9 %).>>

Pikërisht mbi këto kapacitete aktuale të shfrytëzimit të tokës, shpjegohet edhe raporti tregtar me vendet përreth për sa u përket produkteve bujqësore. Po sipas ASK-së eksporti <<i mallrave në muajin qershor 2018 kishte vlerën 37.1 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë euro, që është një rënie prej (-2.8%) për eksport dhe një rritje prej 19.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017>> – që do të thotë se aktualisht milionat (e eksportit), janë inferiorë karshi miliardave të (importit). Vetëm nga Serbia, sipas këtyre të dhënave, brenda vitit përafërsisht importohen afro 400 milionë euro produkte. Por ekspertët mendojnë se Kosova, megjithatë, ka mundësi t’i zgjerojë kapacitetet e prodhimit. Për më shumë, Marrëveshja  e Stabilizim Asocimit (MSA), u jep të drejtë prodhuesve kosovarë të marrin pjesë në një treg prej 500 milionë banorësh, të cilën këta të fundit nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë si duhet.

MBPZHR ka vijuar planin mbështetës për bujqit dhe fermerët, ndërsa procesi i aplikimit për grande është mjaft transparent. Megjithatë mbështetja e tyre dhe forcimi i sektorit, duhet të bëhet me anë të politikave tregtare të menduara më mirë. Në lidhje me vendimet e fundit të MBPZHR-së përkatësisht Qeverisë së Kosovës, për shfuqizimin e vendimit për masat mbrojtëse të produkteve bujqësore, ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila vendimin e ka cilësuar të ngutshëm dhe të pamenduar mirë.

<<Vendimi për aplikimin e masës mbrojtëse për pemë dhe perime jo vetëm që ka çrregulluar tregun vendor, por ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe në çmimin final të produkteve për kompanitë përpunuese dhe tregtare, lënda e parë e së cilave bie në kategorinë e produkteve të mbrojtura.

Oda Ekonomike e Kosovës është angazhuar që ta kuptojë efektin e këtij vendimi direkt nga kompanitë e industrisë përkatëse, ku është raportuar se rritja mesatare e çmimeve për produktet që ka prekur masa mbrojtëse është 21.6%, kjo për arsye se është rritur çmimi i lëndës së parë dhe kostoja e importit për kompanitë tregtare. Si rezultat i matshëm i këtij vendimi është vërejtur zvogëlim i marzhës së fitimit dhe sasisë së shitur. Për më shumë, shumica e bizneseve të industrisë kanë theksuar se nuk ka prodhim vendor të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorëve për pemë dhe perime dhe se vendimi nuk është marrë në kohë të përshtatshme>> – thuhet në reagimin e OEK-ut. Më tej, OEK, mendon se qeveria me këto “akrobacione” nuk i ka analizuar mirë të gjitha segmentet e industrisë së prodhimit dhe përpunimit, duke u ndihmuar disave, por duke i dëmtuar të tjerët. Aktualisht të dhënat flasin për një GDP  – tejet të ulët për kokë banori, ndërsa besohet që po të mos ishin remitencat nga diaspora, vështirë do të përballej ndonjë krizë më e rëndë socio-ekonomike. Përkundër kësaj, sugjerimi i ekspertëve dhe organizatave të ndryshme është që sektori i bujqësisë, nëse menaxhohet siç duhet, mund ta shpëtojë Kosovën nga rrethana të tilla krize./Gazetaere.com/

Kategoritë
EkonomiLajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet