AKI ende pa drejtor, njohësit e sigurisë thonë se jo stabiliteti politik po dëmton çështjet e sigurisë

Ka një muaj prej kur ka kaluar afati ligjor për emërimin e drejtorit Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, por pozita ka mbetur ende e lirë meqë kryeministri në detyrë dhe ushtruesja e detyrës së presidentit nuk janë pajtuar rreth emrit që duhet të udhëheqë me këtë institucion. Hoti e Osmani shkelën ligjin për AKI-në duke e lënë të zbrazët këtë pozitë për më shumë se 20 ditë, siç e përcakton ligji. Ekspertët e sigurisë po vlerësojnë se jo stabiliteti politik po dëmton edhe sigurinë në Kosovë.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani e cila ushtron postin e presidentit të vendit ende nuk kanë arritur konsensus për emërimin e drejtorit të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, që prej 17 dhjetorit 2020 kur Hoti kishte kërkuar që Kreshnik Gashi të lirojë pozitën e shefit të këtij institucioni.

Ligji për AKI-në specifikon se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë KosovaPress-it se ende nuk ka ndonjë zhvillim në këtë drejtim, ndërsa presidenca nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Për njohësen e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, rasti me AKI-në është vetëm një prej shembujve si dëmtohen çështjet e sigurisë në Kosovë si pasojë e jo stabilitetit politik.

Kabashi-Ramaj: Me qeveri jo stabile po dëmtohen çështjet e sigurisë në Kosovë

“Fatkeqësisht ky është një prej shembujve më flagrant se si çështjet e sigurisë dëmtohen jashtëzakonisht shumë kur ka jo stabilitet politik në vend. Ky është një prej shembujve që është bërë shumë publik, po e vërejmë çfarë dëmi është duke shkaktuar përkundër faktit që dëme të tilla janë shkaktuar në Kosovë në vazhdimësi duke mos pasur stabilitet politik, duke mos pasur qeveri stabile, duke mos pasur qeveri që arrin të përfundojë një mandat dhe duke mos pasur institucione apo qeveri në këtë rast që janë në gjendje me bë bartjen e memories institucionale, me bë bartjen e mandatit nga një qeveri në tjetrën”, thotë Kabashi-Ramaj.

Deri në emërimin e shefit të ri, AKI-në e drejton zëvendësdrejtori, për çka Besa Kabashi-Ramaj konsideron se me një përgjegjësi të tillë zëvendësdrejtori do të duhej të ngarkohej vetëm në 20 ditët e para kalimtare dhe jo në një periudhë kaq të gjatë.

Ajo konsideron se të gjithë liderët e pozitës dhe opozitës në Kosovë do të duhej të merreshin me këtë çështje dhe të gjejnë kandidatë konsensual për të drejtuar AKI-në, në të kundërtën, vlerëson se vakumi në institucionet e sigurisë është i rrezikshëm.

Ndërsa sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, emërimet e drejtuesve të AKI-së janë bërë përmes preferencave politike, çka sipas tij e ka dëmtuar këtë institucion.

Shala: Pozita e shefit të AKI-së është kyçe për sigurinë nacionale

“Pozita e drejtorit të AKI-së është çelësi kyç i sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës, ne jemi në prag të zhvillimeve të qeverisë së re, jemi në prag të zhvillimeve të dialogut me qeverisje ne re, në mungesë të një drejtori në krejt këto procese mund të dëmtojnë sigurinë e Republikës së Kosovës sepse vendimmarrja bazohet vetëm të një ushtrues i detyrës, pavarësisht pozitës, profesionalizmit të saj e cila e ka fushë-veprimtarinë inteligjente, por i mungon një drejtor AKI-së që në proceset vendimmarrëse politike të brendshme e të jashtme, të jemi kredibil për të ushtruar funksionin me të cilin është emëruar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”, thotë ai.

Ai shton se ndërrimi i disa drejtorëve të AKI-së brenda një periudhë të shkurtë e ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës meqë sipas tij ka përcjellë mesazhin që vendi nuk mund t’i mbajë institucionet profesionale larg politikës.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti më 17 dhjetor 2020 i kishte kërkuar Kreshnik Gashit të lirojë pozitën e shefit të AKI-së, për çka ishte mbështetur edhe nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, por që arsyet për një gjë të tillë nuk u bënë të ditura.

Vetëm prej vitit 2015 në AKI janë ndërruar tre drejtorë. i vetmi që e ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë i emëruari i vitit 2009, Bashkim Smakaj.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi