Ahmeti: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, një shans për paqen në rajon

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se deklaratat e krerëve të Serbisë lidhur me vizitën e presidentit rus Vlladimir Putin në Beograd, vërtetojnë edhe më shumë se njohja e pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i saj në OKB dhe integrimi euro-atlantik, të përfshira në rezolutën për dialogun me Serbinë, janë jo vetëm kushte të domosdoshme për marrëveshje eventuale, por edhe garanci për paqen e demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.

Ai në një postim në Facebook shkruan se vizita e sotme e Putin në Serbi shpërfaq më së miri nevojën urgjente të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor.

“Glorifikimi i regjimeve autoritare nga Serbia shtetërore, e cila po përballet po ashtu me protesta masive qytetare kundër autoritarizmit po dëshmon se rajoni, e sidomos Serbia, duhet t’i jep urgjentisht përparësi demokratizimit të saj dhe vlerave universale për të drejtat e njeriut. Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë synim vetëm se për investime dhe për zhvillim ekonomik, por sidomos për vlerat e saj për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut”, shkruan Ahmeti, i cili është pjesë e ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, pas normalizimit të marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Greqisë, normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një shans për një rajon të nesërm të paqes, të demokratizuar dhe të zhvilluar, si dhe për një realitet tjetër nga atë që shihet sot në Beograd.

Kategoritë
Vendi

Të ngjajshmet