Ahmeti: Fondet për Notre Dame, Qeveria më mirë t’i dedikojë për raste sociale në Kosovë

Deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj, se Qeveria e Kosovës do të ndajë mjete financiare për katedralen Notre Dame, ka nxitur reagimin e kryetarit të Prishtinës, njëherësh kryetar i PSD-së Shpend Ahmeti.

Ahmeti thotë se meqë paratë nuk do të jenë problem për riparimin e katedrales, fondet që qeveria do ti ndajë, do të ishte e udhës që të dedikoheshin për strehim të disa rasteve sociale në vend.

Reagimi i Ahmetit në Facebook:

Qeveria e Kosovës paska ndarë mjete për Katedralen e Notre Dame. Përderisa kjo tragjedi ka prekur gjithë botën e edhe Kosovën, po ashtu ka ngjallur edhe solidaritet gjithandej. Duke parë lajmet botërore shihet që paratë nuk do të jenë problemi i riparimit të katedrales, e cila me shpresë do të renovohet shpejtë.

Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata.

Francës ja kemi dëshmu miqësinë dhe solidaritetin dhe besoj se e dijnë që e kemi sinqerisht dhembjen, dhe kjo nuk përmirësohet me para. Por, qytetarit tonë, shteti ka nevojë të ja tregojë edhe solidaritetin edhe përkujdesjen.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet