“Agjenti Infektues”

Shkruan: Edi Bushati

Një botë që ndjek rregullat e epidemisë  na qenka një vend shumë më i ndryshëm nga bota në të cilën ne kujtonim se jetonim para saj. Këtë po e vërtetojmë të gjithë, në këtë kohë të pandemisë globale të shekullit XXI në luftën kundër Coronavirusit Covid-19, ku dëshirat tona janë të pafund akoma por jo edhe mundësitë.

Epidemitë, besoj se ngjajnë shumë sikur trendet .Me prezentimin e teknologjive të reja sidomos të smartphonëve,ne jemi infektuar gati që të gjithë nga një “agjent infektues” i cili na e prezantoi për herë të parë. Gjatë çdo viti në vijim, ne kemi  blerë gjithnjë e më shumë smartphone, saqë mori kuptim se çdo njeri duhet të pajisej me një të tillë. Përmes “agjentëve infektues”, personat që bartin lajmin me anë të fjalës së gojës”(që akoma sot në marketingun global zë vend po aq të rëndësishëm sa edhe marketingu dixhital) na infektuan që të gjithëve për ta pasur një smartphone.

Epidemitë janë funksion i njerëzve të cilët transmetojnë virusin, si “agjent infektues”, dhe i mjedisit në të cilin “agjenti infektues” vepron. Që të gjitha epidemitë kanë pika kthese dhe kur një epidemi merr pikën e kthesës, kur del nga ekuilibri, arsyea është sepse diqka ka ndodhur, një ndryshim ka ndodhur në një apo dy apo tre faktorë.

Në ekonomi ekziston një parim që ekonomistët shpesh flasin për parimin e Pareto-s, i njohur ndryshe si ligji 80/20. Ekonomisti italian, Vilfredo Pareto, në vitin 1896 e kishte zbuluar këtë rregull, ku rezulton se 80% e efekteve vijnë nga 20% të shkaqeve. Për shembull, bota biznesit e di mirë se 80% e shitjeve vjen nga 20% e klientëve. Ky ligj le të supozojmë se vlen edhe në rastin e epidemisë coronavirus. Mund të themi se 80% e popullsisë mund të infektohet si shkak i 20% të “agjentëve infektues”.

Duke qenë secili nga ne në lëvizje, ne mund të shëndërrohemi në “agjent infektues”, pra bartës të virusit nga njëri te tjetri, duke e transformuar krejt këtë proces pa vetëdije. Ne jemi të ekspozuar ndaj mundësisë për të qenë të prekur nga ky virus por në të njëjtën kohë edhe për të qenë “agjent infektues” nëse nuk arrijmë të i përmbahemi rekomandimeve të instituteve shëndetësore, me theks të veçantë duke qëndruar të mbyllur në shtëpi.

Ndryshimet e vogla disa herë mund të kenë efekte të mëdha. Ky mund të jetë një nocion mjaft radikal. Ne si qenie njerëzore, jemi tepër të socializuar që të bëjmë një lloj vlerësimi të përafërt midis shkakut dhe efektit. Kur një virus përhapet përmes një popullate, dyfishohet sërish dhe sërish dhe sërish deri në kulmin e saj. Si qenie njerëzore ne nuk e kemi të lehtë ta pranojmë këtë lloj progresioni sepse rezultati përfundimtar, pra efekti, është shumë joproporcional me shkakun.

Për të vlerësuar fuqinë e epidemive, ne duhet që ta braktisim këtë pritshmëri për proporcionalitetin. Ne duhet ta përgatisim veten për mundësinë që ndonjëherë ndryshimet e mëdha rrjedhin nga gjërat e vogla, dhe që ndonjëherë këto ndryshime ndodhin. Në rastin tonë, për luftimin e coronavirusit një nga gjërat e vogla por me impakt të madh që mund të bëjmë, është të qëndrojmë në shtëpi dhe të mbajmë higjienën tonë personale, duke ruajtuar veten dhe familjet tona. ( Kjo një klishe tash e dëgjuar shumë, por vështirë për tu përmbajtur, duke filluar nga vetja.)

Sot, kur po shkruaj këta rreshta, në botë ka mbi 1 milion të infektuar dhe mbi 52 mijë të vdekur. Kjo, kur mendohesh mirë për këtë gjë, është një informacion potencialisht shqetësues. Premisa, ku bazohet ky shqetësim mund të jetë edhe në numrin e vogël të respiratorëve që posedojmë dhe në numrin e kërkesës që mund të rritet për të. Për këtë të fundit, uroj të mos kemi nevojë.

Rikujtim, rri në shtëpi!

Edi Bushati

Prizren, 03 Prill 2020

 


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet