Afrim Hoti: Nëse një shtet do ta tërhiqte njohjen e një shteti, rendi ndërkombëtar do t’i nënshtrohej një kaosi të paparashikueshëm

Profesor Afrim Hoti është njohës i shkëlqyeshëm i së drejtës ndërkombëtare. Ai është profesor në Departamentin e Shkencave Politike, në Universitetin ‘Hasan Prishtina’ në Prishtinë. Por përvoja e tij nuk ndërlidhet vetëm me të qenit profesor, ai ka qenë edhe këshilltar i lartë politik dhe juridik në disa institucione të rëndësishme në vend. Ai ka bashkëpunuar edhe me organizata të ndryshme që kanë operuar në Kosovë si UASAID, OSBE etj. Ai njihet si një ekspert i rrallë politik dhe jo vetëm.

Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai ndër të tjera ka thënë se rruga drejt forcimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, është specifike. Pengesat të cilat ajo i ka hasur gjatë këtij procesi, janë të vështira. Sipas profesor Hotit, asnjë shtet i Ish – Jugosllavisë nuk ka pasur kaq shumë barriera sa po hasë vendi ynë përgjatë këtij rrugëtimi.

GeR: Z. Hoti, që prej shpalljes së pavarësisë kaluan më shumë se nëntë vite dhe forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës po vazhdon të përcillet me sfida të ndryshme. Sipas jush, pse nuk arritëm të kemi një diplomaci më dobiprurëse për vendin?

Hoti: Tashmë është i njohur botërisht fakti se rruga e Kosovës për konsolidimin e shtetësisë dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar është e veçantë dhe si e tillë, normalisht përballet me sfida të ndryshme, sfida këto me të cilat nuk përballen shtetet normalisht dhe nuk janë përballur shtetet që dolën nga ish Jugosllavia apo shtete të tjera gjetiu. Megjithatë, mendoj se janë dy lloje pengesash me të cilat u përball vendi në veto vitet të post-pavarësisë; të jashtmet dhe të brendshmet.

Në kuadër të problemeve të jashtme mendoj se janë qëndrimet diametralisht të kundërta të akterëve kryesorë ndërkombëtarë të cilët, normalisht, kanë tërhequr pas vetes numrin e shteteve që kanë mbështetur njërin respektivisht tjetrin pozicion apo qëndrim politik. E kam fjalën për shtetet që u rreshtuan në krah të Kosovës dhe mbështetje të saj dhe ato të cilat u vunë kundër dhe sulmuan atë.

Në kuadër të problemeve të brendshme mendoj se është fakti i brishtësisë institucionale, politike dhe diplomatike të cilat, pa asnjë dilemë, reflektuan në imazhin ndërkombëtar të vendit duke vënë në sprovë dhe mëdyshje kapacitetin e vendit për të qenë i pavarur dhe sovran dhe duke reflektuar dilema nëse vendi mund të ekzistojë pa tutelë ndërkombëtare. U mor vesh, nuk po flasim me terma absolut, porse vërtet është për keqardhje pamundësia e sigurimit të një qeverisjeje të shtetit ligjor, luftë të qartë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformë të administratës publike, sistem të pavarur, efikas dhe të paanshëm gjyqësor, integrim të minoriteteve në jetën institucionale etj. Plotësimi dhe avancimi në këto aspekte, pa dilemë, do ishte shtytje e madhe për diplomacinë tonë për të prezantuar argumente shumë të fuqishme në vendet e caktuara të cilat përtej imazhit pozitiv, sigurisht se do ndikonin edhe në numrin e njohjeve, thithjen e investimeve dhe paraqitjen e vendit si atraksion turistik e të ngjashme. Kur kësaj i shtohet edhe fakti i ndërtimit të diplomacisë sonë, në masë të madhe joprofesionale, politike dhe të pa kriter, atëherë është e pritshme çdo gjë tjetër, pos suksesit dhe dobisë.

GeR: Siç e dini pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pati edhe një opinion të dhënë nga GJND-ja për legjitimitetin e pavarësisë nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare. Sa e konsideroni që u përdor ky opinion nga diplomacia e vendit tonë për të dëshmuar se shteti i Kosovës e ka të patentuar shtetësinë edhe sipas së drejtës ndërkombëtare?

Hoti: Mendoj se Opinioni i GJND-së për Kosovën është argumenti më i fuqishëm që Kosova ka mundur ta ketë në dorën e saj për të bindur komunitetin ndërkombëtar për rrugën e saj të drejtë dhe të ligjshme të shtet-ndërtimit. Në momentin e dhënies së këtij Opinioni, në vend të ofensivës për të përdorur atë, neve e kemi “hijezuar” Opinionin e GJND-së, duke u futur në krizë politike dhe institucionale të cilat quan vendin në zgjedhje. Në ndërkohë, si duket ka pasur përpjekje për përdorimin e saj porse jashtë momentit të duhur dhe si rrjedhojë efekti ka qenë skajshmërisht i vogël.

GeR: Paqartësia rreth numrit të njohjeve që i ka pranuar shteti i Kosovës vazhdon të jetë ende prezent. E konsideroni këtë si jo seriozitet të diplomacisë së Kosovës ndaj ndjeshmërisë së situatës në të cilën ndodhet procesi i njohjeve apo si dështim? Pse po ndodh kjo paqartësi me numrin e njohjeve?

Hoti: Janë dy arsye kryesore:

–           E para, “Bajraktarllëku” kosovar për sigurimin e njohjeve dhe trumbetimi i suksesit nga akterë kosovar, dhe;

–           E dyta, situatat politike në vende të caktuara mund të sjellin konfuzion për autoritetin qeverisës të shtetit në fjalë. E kam fjalën këtu për situatat në vendet e “Botës së Tretë”, që qëndrojnë me vite të tëra në konflikte dhe luftëra dhe për të cilat ka konfuzion për autoritetin shtetëror.

GeR: Republika e Kosovës nuk është se ka shtrirje të vogël të diplomacisë së saj nëpër botë. Vendi i ka mbi 30 ambasada, me një numër përafërsisht edhe konsullatash nëpër vende të ndryshme të botë. Cili është mendimi juaj, çfarë pune janë duke bërë diplomatët tanë nëpër botë?

Hoti: E theksova pak më lartë, një numër, për aq sa kam informacion dhe i njoh janë në nivelin e detyrës ndërkohë që një numër tjetër mendoj se janë vetëm “barrë” e buxhetit dhe e qytetarëve tanë sepse nuk kuptojnë as nocionet elementare të diplomacisë. Nisur nga fakti se në diplomaci nuk operohet me njohuri të përgjithshme por me aftësi të veçanta, mendoj se është dashur dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm, madje shumë më të kujdesshëm se ndërtimi dhe funksionimi i resorëve të tjerë shtetëror. U mor vesh, kam parasysh faktin e mungesës së kuadrove dhe kapaciteteve të duhura e adekuata megjithatë kemi pasur hapësirë dhe është dashur të bëhet më e mirë se që është aktualisht.

GeR: Ditë më parë presidenti serb Aleksandër Vuçiq në një takim me shefin e UNMIK-ut Zahir Tanin, ka kërkuar që mos të ndërrojë formati i raportimeve tremujore për Kosovën në KS të OKB-së. Pavarësisht se Kosova e ka ulur nivelin nga Presidenti, Kryeministri e Ministri i Jashtëm në ambasadorin e saj në SHBA për të prezantuar në këto raportime, a do të duhej që të mos vazhdonte ky lloj raportimi i cili Kosovës nuk duket se po i shërben ndonjë gjë?

Hoti: Mendoj se është kërkesë e qeverisë britanike ndryshimi i formatit madje edhe ndalesa e raportimeve tremujore për Kosovën. Ky do të ishte skenari më i mirë i cili, fatkeqësisht nuk varet nga ne. Nëse do të ndryshojë, kjo do varet nga faktorë të tjerë ndërkohë që nuk mendoj se është ide e mirë që Kosova të mos përfaqësohet në forume ku flitet për të. Ajo duhet të jetë aty, e adoptuar në rrethana përkatëse, të përçoj zërin e saj.

GeR: Dhe për fund, sa mund të jetë kërcënuese për Republikën e Kosovës kjo çështja rreth tërheqjes së njohjes nga Republika e Surinamit?

Hoti: Kjo, mendoj se është lojë dhe skenar i politikës serbe para dy momenteve aktuale; krizës spanjolle-katalonase, duke tentuar të tërhiqen paralele të paqena të cilat të paktën do e shtonin konfuzionin në botë dhe ndalonin vende të tjera ta njohin Kosovën, dhe dialogut të brendshëm serb për Kosovën. E kam thënë disa herë prandaj dhe po e përsëris; njohja është akt juridik, i njëanshëm, ndërkombëtar dhe i parevokueshëm. Themi se është akt juridik, sepse prodhon efekte dhe pasoja juridike, themi se është i njëanshëm sepse reflekton vullnetin e njëanshëm të secilit shtet a qeveri, bazuar në interesat e veta, për të marr vendimin e njohjes, themi se është ndërkombëtar për faktin se bëhet në mes të subjekteve ndërkombëtare dhe themi se është i parevokueshëm sepse nuk mund të kthehet apo tërhiqet. Shtetet në mes vete mund të shkëpusin lidhjet, mund të ndërpresin komunikimet, mund të rrisin tensionet, madje mund edhe të futen në luftë, por jo të ç’njihen. Nëse kemi lindjen e fëmijës nga barku i nënës, mendoj se është përgjegjësi e jona të kujdesemi, ta ushqejmë e rrisim si duhet. Mase edhe mund të mos tregohemi të denjë e të kujdesemi, ndonjëherë edhe ilustrativisht po e them, mund të përdorim dhunë, por asnjëherë nuk mund ta rikthejmë në barkun e nënës. Prandaj, si analogji për lexuesit Tuaj të nderuar, po e them se njohja nuk mund të tërhiqet sepse po të ishte ky rasti, atëherë rendi juridik ndërkombëtar do i nënshtrohej një kaosi dhe anarkie, fundi i së cilës do të ishte i paparashikueshëm./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet