Abbas: Asnjë palestinez nuk mund ta pranojë shtetin palestinez pa Jerusalemin si kryeqytet

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ka kundërshtuar të martën planin e paqes së presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se “nuk do të kalojë”, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë se posa dëgjoi deklaratat hapëse në lidhje me Jerusalemin, ai kuptoi se i gjithë plani duhet të refuzohet.

“Asnjë palestinez nuk mund ta pranojë shtetin pa Jerusalemin si kryeqytet”, tha Abbas.

“Pas marrëzisë që kemi dëgjuar sot ne i themi mijëra herë jo Marrëveshjes së Shekullit”, tha ai.

Ndryshe, presidenti amerikan, Donald Trump, ka prezantuar “marrëveshjen e tij përfundimtare” për paqen në Lindjen e Mesme, duke thënë se plani i tij i detajuar prej 80 faqesh do të ishte një “zgjidhje realiste dy-shtetesh”, për të cilën tashmë ishte rënë dakord nga Izraeli.

“Sot Izraeli bën një hap të madh drejt paqes”, tha Trump në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë.

Ai vazhdoi duke thënë se ai ka folur me liderët izraelitë dhe tha se “vizioni i tij paraqet një mundësi fituese për të dy palët, një zgjidhje realiste që zgjidh rrezikun e shtetësisë palestineze por edhe sigurinë e Izraelit”.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet