AAK dhe PDK për sa i përket keqqeverisjes së deridjeshme, nuk mund t’ia hedhin fajin njëra tjetrës

Disa nga zyrtarët e PDK-së në debate, mjaft shpesh janë justifikuar që ky subjekt të vetmin gabim që e ka bërë është ai i zgjedhjes së partnerit të gabuar. Një tendencë e tillë është hetuar edhe te ish kryeministri i fundit, i cili kur është pyetur rreth profilit të dobët të disa ministrave ka thënë thjesht që s’ka pasur zgjidhje tjetër, pasi që ashtu i janë servar nga vet partnerët e koalicionit. Këto justifikime sipas njohësve të zhvillimeve politike, nuk janë aspak me vend – shkruan Gazeta e Re.

 Në një intervistë të paradokohshme për REL, Kadri Veseli, kryetar aktual i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe njëkohësisht partneri kryesor i koalicionit që u shpërbë, pat thënë ndër të tjera se tash e tutje: «Nuk ka kompromise, për vet faktin se unë po flas si kryetar i PDK-së, dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira».

Kjo përgjigje është përsëritur edhe prej disa zyrtarëve të tjerë të kësaj partie, gjithnjë në funksion të një justifikimi, për sa herë janë pyetur për fajet rreth dështimeve të shumta të cilat e kanë karakterizuar koalicionin e fundit qeverisës.

Ndërsa së fundi Ramush Haradinaj, i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe njëkohësisht ish kryeministër i vendit, në një intervistë në Rubikon tha që qysh në fillim të mandatit ka hasur në vështirësi të mëdha, duke ia ngarkuar një pjesë të fajit për këtë, pikërisht PDK-së si partneri kryesor i koalicionit.

Por këto akuza të ndërsjella, sipas njohësit të zhvillimeve politike Florim Zeqa, nuk janë aspak të arsyeshme. Pikërisht për shkak të dështimeve, ata edhe duhet të dënohen:

 «Harresa (e qëllimshme) është dukuri e të gjithë pushtetarëve në fazën e proceseve zgjedhore. Secili subjekt politik apo politikan që deri dje ishte në qeverisjen e vendit, nuk e mendon shumë të kaluarën sa e mendon të ardhmen në pushtetin e ri. Bazuar në performancën e dobët në qeverisjen e pasluftës dhe pas pavarësisë, kush më pak e kush tjetër më shumë, të gjitha subjektet politike e meritojnë ndëshkimin në këto zgjedhje. Nëse edhe më 6 tetor nuk ndëshkohen partnerët e deridjeshëm të koalicionit qeverisës, edhe një kohë relativisht e gjatë do të vazhdojë keqqeverisja, korrupsioni dhe krimi i organizuar.»   

 E nga fajet, sipas Zeqës, nuk mund të shkarkohet askush aq lehtë:

 «Nuk mund të shkarkohen kaq lehtë nga barra e përgjegjësisë siç po mendojnë partnerët e deridjeshëm të koalicionit qeverisës, sikurse që nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia edhe ata që ishin suporti i tyre nga pozicioni opozitar. Sikurse që janë të kota përpjekjet e Kadri Veseli për t’ua hedhur fajin ish-partnerëve për qeverisje të keqe, ashtu do të jenë të kota edhe orvatjet e Ramush Haradinajt që të shfajësohet për të gjitha parregullsitë të cilat e kanë shoqëruar qeverisjen e tij dyvjeçare.»  

 Zeqa shkon edhe më tej, duke i identifikuar fajtorët në gjithë historinë politike të pasluftës: «E ka të vështirë që të lirohet nga përgjegjësitë edhe LDK-ja, partneri i PDK-së në dy qeverisjet e pas pavarësisë dhe suporti më i madh i ngritjes së Hashim Thaçit në postin e presidentit. Në këtë prizëm nuk mund ta lëmë pa e përmendur as LVV-në, e cila është i vetmi subjekt politik që e ka mbajtur fjalën në raport me PDK-në. Në rast të fitores eventuale të PDK-së në këto zgjedhje, përgjegjësia për mos arritjen e marrëveshjes parazgjedhore për koalicion LDK-LVV do të bie mbi këto dy subjekte, për çka, si njëra, ashtu edhe tjetra, për mbrojtjen e parimeve dhe premtimeve elektorale rrezikojnë të mbetën në opozitë. Bazuar nga përvojat e së kaluarës, mëdyshjet mbetën tek LDK-ja, e cila më shumë se një herë i ka shkelur premtimet dhe betimet elektorale për të “mirën” e shtetit!»  

 Sipas Zeqës, 6 tetori do të jetë një moment kritik. Subjektet politike, e veçmas ato që u ndodhën në opozitë në mandatin e kaluar, duhet të kenë kujdes që të mos e zhgënjejnë elektoratin:

 Nëse elektorati kosovarë mashtrohet edhe kësaj radhe nga mashtrimet e politikanëve, nga premtimet dhe “betimet” elektorale e të nominuarëve për kryeministra, zhgënjimin do ta kenë akoma më të madh pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Në mungesë të një alternative tjetër politike, elektoratit i mbetët të zgjedhë “mesin e artë”, për të siguruar një parlament funksional dhe qeveri stabile përballë sfidave që e presin Kosovën në javët dhe muajt e parë pas konstituimit të institucioneve të reja qeverisëse.»

 Hë, për hë, skena politike duket e ndarë në dy fronte, në njërën anë dy ish partitë opozitare, të cilat ani që nuk arritën të formojnë koalicion parazgjedhor, kanë raporte relativisht të mira, e ndërsa duken të kujdesshme karshi njëra tjetrës edhe në këtë fillim të parakohshëm të fushatës zgjedhore, dhe në anën tjetër ish partnerët e koalicionit të fundit qeverisës, të cilët më shumë po shpenzojnë energji kundër LVV-së dhe LDK-së, se sa që po e thumbojnë njëra tjetrën me akuza. Mbetet të shihet, megjithatë, se ç’do të ndodhë më 6 tetor, mbështetur në trendet aktuale sipas sondazheve dhe matjeve të ngjashme, LVV dhe LDK mbeten përpara të tjerave, për kah numri i elektoratit./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet