A po vjen era zgjedhje të parakohshme?

Republika e Kosovës tash e sa muaj, është futur në një krizë institucionale. Sot i pari i PDK-së Kadri Veseli u ka bërë ftesë të gjitha subjekteve politike parlamentare, që t’i kthehen kuvendit. Në këtë situatë, disa duket që zgjedhjet e parakohshme po i shohin si të vetmen alternativë – shkruan Gazeta e Re.

Ka disa muaj që spektri politik në vend, është i përçarë, duke i lënë institucionet e vendit në një gjendje bllokade. Një situatë e tillë, ka ardhur si pasojë e qëndrimeve thellësisht të kundërta për sa u përket bisedimeve me Serbinë. Aktualisht, askush nuk pret që të arrihet ndonjë konsensus që do t’i zhbllokonte institucionet dhe ta rikthente gjendjen normale në vend. Në këtë situatë, Qeveria e Ramush Haradinajt, nuk e ka të sigurt mbijetesën.

Pikërisht, në vazhdën e përpjekjeve për të dalë nga kriza, i pari i PDK-së Kadri Veseli, sot ftoi në një takim të gjitha partitë politike, por ftesa e tij u injorua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Në takim, ndërkaq, përveç partive në koalicion, morën pjesë edhe partitë opozitare si Alternativa dhe Partia Socialdemokrate. Në konferencën për media Veseli takimin e cilësoi si mjaft konstruktiv, duke theksuar që: “Kosova duhet të jetë me një zë dhe qëndrim rreth platformës së vet. Rezoluta e propozuar përfshin gjithçka që opozita dhe pozita kanë kërkuar. Kam një mesazh për partitë opozitare nuk mund të jetë Kosova fushëbetejë për pushtet. Më e rëndësishme është e ardhmja se çdo kolltukë”.

Konsensusi i përgjithshëm, në këtë kontekst, sipas tij, është i domosdoshëm. Vetëm në këtë mënyrë sipas Veselit, Kosova mund t’i dalë përballë Serbisë. Ai u ka bërë thirrje partive politike “që t’i lënë interesat partiake” dhe kështu t’i unifikojnë qëndrimet, meqë fjalë bëhet për interesa shtetërore.

Por a mundet që kjo situatë krize, t’i detyrojë institucionet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Shkodran Ramadani, njohës i zhvillimeve politike, për Gazeta e Re tha që mundësitë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, janë ende të vogla.

“Gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme këtë vit nuk janë të mëdha. Edhe sikur të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme këtë vit, ato me gjasë do të mbaheshin vitin tjetër. Deri para disa ditëve gjasat kanë qenë zero për shkak që opozita nuk ka pasur vota të mjaftueshme për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj, por përplasjet e Presidentit Thaçi me Kryeministrin Haradinaj mund të destabilizojnë koalicionin qeverisës në pushtet dhe zgjedhjet e parakohshme bëhen më të mundshme.”

Megjithëse Presidentin Hashim Thaçi dhe rolin e tij e sheh si krucial në zhvillimet e fundit, për shkak të të cilit opozita kundërshtoi ashpër procesin e bisedimeve duke mos ia besuar rolin që iu dha nga koalicioni qeverisës, e për rrjedhojë duke e braktisur edhe parlamentin, ai nuk do të bëhet shkak për prishjen e koalicionit qeverisës.

“Megjithatë, as kjo nuk duket se do të çojë në prishje të qeverisë. Kjo për shkak që edhe Presidentit Thaçi, edhe Kryeministrit Haradinaj u konvenon kjo qeveri. Të parit i duhet një qeveri që e përkrah sadopak punën e presidentit në procesin e dialogut, ndërkohë të dytit i duhet ky koalicion sepse e di që me gjasë kjo do të jetë hera e fundit që ai do të jetë Kryeministër i Kosovës. Në zgjedhjet e parakohshme ai do të ishte favoriti i katërt për kryeministër, që do të thotë me gjasa goxha të vogla. LDK-ja, PDK-ja e VV-ja janë parti dukshëm më të mëdha se AAK-ja. Haradinaj e di që politikisht nuk ka pasur ndonjë sukses me të cilin do të krenohej para qytetarëve. Përkundrazi, ka pasur shumë skandale në këtë mandat. Në mungesë të incentivës ideologjiko-politike, ai mund të mbajë stabilitetin e partisë së tij dhe të shpresojë në rritje të saj vetëm përmes shpërblimeve dhe emërimeve në poste ku mund të ekstraktohet paraja publike. Prandaj i duhet me doemos qeveria që ai të jetë në pozicion ku mund të shtrijë rrjetin e klientelës në administratën shtetërore. Kjo mund ta bëjë atë më fleksibil dhe ta shtyjë të dorëzohet në betejë me Presidentin Thaçi. Po ashtu nuk duhet harruar edhe presionin ndërkombëtar që është kundër zgjedhjeve për shkak të procesit të dialogut.”

Megjithatë në analizën e tij të shkurtër, Ramadani sheh edhe variacione të tjera skenarësh, të cilët mund ta çonin vendin para një akti të domosdoshëm procesi zgjedhor:

“Por prapë ekzistojnë skenare tjera, edhe pse më pak të gjasshme. Për shembull: ndoshta Presidenti Thaçi mund ta prishë koalicionin qeverisës në mënyrë që ardhja e LDK-së dhe VV-së në pushtet të shoqërohej me rritje të trysnisë ndërkombëtare mbi këto parti që të përfshiheshin në dialog. Përveç kësaj, nëse një mocion i mosbesimit është i suksesshëm do të nënkuptonte që pas shpërbërjes së parlamentit, presidenti do të ishte institucioni i vetëm me legjitimitet të plotë në vend dhe kjo do ta forconte pozitën e tij në dialog.”

Qeverinë Haradinaj edhe ashtu përherë e ka karakterizuar brishtësia e një koalicioni të gjerë, koalicion që ka në gjirin e tij subjekte politike të cilat ruajnë qëndrime të kundërta për ato që konsiderohen si çështjet më të rëndësishme për vendin. Megjithatë, shqetësimi i ri, ai i zgjedhjeve të parakohshme, nuk e ka arritur efektin e duhur, sa ta destabilizojë seriozisht punën e qeverisë. Këtij opsioni, sipas Ramadanit, qeveria aktuale ka gjasë që t’i mbijetojë të paktën deri në verën e vitit të ardhshëm. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet