A po shpërfillen porositë amerikane?

Amerikanët po vazhdojnë me presion ndaj Qeverisë së Kosovës, për shfuqizimin, apo të paktën, pezullimin e taksës. Ky vendim po del të jetë pengesa kryesore për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ndërsa rekomandimi i ndërkombëtarëve është që ai të vazhdohet aty ku ka ngecur – shkruan Gazeta e Re.

David Hale, Nënsekretar për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, pas Beogradit, ka vizituar Prishtinën. Në media është raportuar se ai ka ardhur me porosinë që taksa 100% ndaj produkteve serbe e boshnjake, të shfuqizohet apo anulohet përkohësisht, në mënyrë që të vazhdohet procesi i bllokuar i bisedimeve me Serbinë.

Ndonëse nuk ka informata të detajuara, një postim i Presidentit të Republikës së Kosovës

Hashim Thaçi, hedh dritë mbi bisedën që është bërë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, aty ku edhe është zhvilluar takimi:

“Sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale” – ka shkruar ai në facebook. Megjithatë në postimin e Presidentit Thaçi, askund nuk përmendet taksa:

“Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona. Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun. Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme.”

Por nga Beogradi reagimet kanë qenë pikërisht edhe për sa i përket Platformës për Dialogun e cila u votua në Parlamentin e Kosovës pak ditë më parë. Sipas zyrtarëve serbë, taksa më nuk është i vetmi problem. Presidenti Serb Aleksandër Vuçiq, nuk pikërisht pas takimit me të deleguarin amerikan Hale, tha që Platforma për Dialogun e votuar në Parlamentin e Kosovës, s’paraqet veçse “vendimin e Prishtinës për t’i dhënë fund dialogut me Beogradin”. Sipas tij, zyrtarët nga Prishtina, nuk kanë lënë vend për kompromis, prandaj as për dialog.

“Qëndrimi i Beogradit karshi situatës së krijuar do të jetë i vendosur, serioz dhe i përgjegjshëm” – ka thënë Vuçiq duke e siguruar opinionin publik serb se në “një afat relativisht të shkurtër kohor do të marrë masa, me të cilat do të reagojë ndaj mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe ndërprerjes së dialogut me Serbinë nga ana e Prishtinës.”

Në lidhje me porositë amerikane dhe takimin që s’ka pak orë që u zhvillua, njoftoi edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ishte i pranishëm në takim:

“Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë Philip Kosnett së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.

Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit.”

Por tërthorazi, Kryeministri Haradinaj ka treguar se nuk ka lëvizur nga qëndrimi për sa u përket ideve të ndryshimit apo shkëmbimit të kufijve:

“E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.”

Betonizimi i qëndrimeve, sipas njohësve të zhvillimeve në vend, jo vetëm që e ka vështirësuar zhvillimin e mëtejmë të procesit, por e ka vënë thellësisht në pikëpyetje atë. Prandaj zërat se qeveria aktuale mund të rrëzohet pikërisht për këtë shkak, po shtohen çdo ditë e më shumë. Sipas vet partnerit kryesor në koalicion – PDK-së, nuk mund të shpërfillen në vazhdimësi porositë amerikane, përndryshe qeveritë mund të ndërrohen më lehtë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet