A po rrezikohemi nga një epidemi e re e fruthit?

Është shënuar edhe viktima e dytë nga epidemia e fruthit. Personi i cili ndërroi jetë ishte 37- vjeçar nga komuna e Lipjanit. Javë më parë vdiq edhe një foshnje 15-muajshe, nga e njëjta sëmundje. Literatura mjekësore thotë se fruthi nis si grip i zakonshëm, vazhdon me temperaturë shumë të lartë, skuqje të trupit deri në komplikime të rënda. Autoritet shëndetësore bëjnë apel për vaksinimin e fëmijëve. Por, për shkak të debateve në mbarë botën se kjo vaksinë shkakton autizimin, shumë prindër kanë refuzuar marrjen e këtij injeksioni për fëmijët e tyre-shkruan Gazeta e Re.

Ardita Tahirukaj, zyrtare në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, për Gazeta e Re ka thënë se fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus. Virusi përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë, por edhe përmes ajrit dhe mund të përhapet shpejt sidomos aty ku përfshirja me vaksinim rutinor ka qenë vazhdimisht nën 95%, duke lejuar akumulimin gradual të individëve lehtë të prekshëm nga virusi. Sëmundja mund të jetë vdekjeprurëse, sidomos tek fëmijët dhe të rriturit me sëmundje të tjera ekzistuese si dhe sistem imunitar të komprometuar.

Tahirukaj, e cila për lexuesit e mediumit tonë dha një mori informacionesh, ndër të tjera tha se: “Fruthi mund të përhapet në çdo vend, duke përfshirë edhe ato vende që kanë eliminuar transmetimin endemik të virusit. Grupe të mëdha të individëve lehtë të prekshëm mund të rezultojnë në epidemi të mëdha të fruthit me pasoja potencialisht tragjike. Duke iu falënderuar intensifikimit të aktiviteteve të imunizimit, vdekjet globale të fruthit janë ulur për 79% nga 651 600 në vitin 2000, në 134 200 në vitin 2015. Megjithatë, afërsisht 134 200 njerëz ende vdesim nga fruthi, në vitin 2015 – kryesisht fëmijë nën moshën 5 vjeç. Përkundër disponueshmërisë me një vaksinë të lirë, të sigurt dhe efektive, fruthi mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjes në mesin e fëmijëve të vegjël globalisht”.

E vetmja mënyrë për të parandaluar fruthin është nëpërmjet imunizimit.

Tutje ajo vijon duke treguar se popullatat që kanë një nivel të lartë të imunizimit (d.m.th., përfshirje të vazhdueshme me vaksinim prej 95% me dy doza të vaksinës kundër fruthit) nuk do të përjetojnë qarkullim të qëndrueshëm; dhe imuniteti i fituar nëpërmjet përfshirjes se lartë me vaksinim do të mbrojë ata që nuk kanë ende të drejtë të vaksinohen. “Në popullatat me shkallë të ulët të vaksinimit, një virus i futur do të vazhdojë të qarkullojë midis individëve lehtë të prekshëm. E vetmja mënyrë për ta ndaluar është nëpërmjet një përgjigjeje të menjëhershme dhe gjithëpërfshirëse për të vaksinuar të gjithë ata që janë lehtë të prekshëm”.

Sipas saj, për të vlerësuar rrezikun e epidemisë, autoritetet publike shëndetësore duhet të rishikojnë dhe analizojnë të dhënat e përfshirjes me vaksinim në vitet e fundit dhe historikisht, të përcaktojnë se kush është i prekshëm dhe menjëherë të fillojnë aktivitetet për të mbyllur boshllëqet e njohura të imunitetit.

Kurse, Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, bëri të ditur se, fruthi është një sëmundje që i prek të gjitha moshat të cilat ose nuk janë të vaksinuar ose nuk kanë pas kontakt natyror me këtë virus, respektivisht ata të cilët nuk e kanë kaluar sëmundjen dhe nuk kanë imunitet natyror.

Kështu që “të gjithë njerëzit e të gjitha moshave të cilët nuk kanë imunitet artificial, vaksional apo imunitet natyral, bien në kontakt me viruset dhe ta marrin sëmundjen. Te ne, për shkak të lëvizjeve të ndryshme për arsye të ndryshme ndoshta të pakujdesisë së qytetarëve nuk është bërë vaksinimi me kohë, dhe të gjithë këta persona të pavaksionuarmund të preken nga fruthi”, ka thënë Ahmeti.

Më tej ai ka paraqitur një situatë alarmante duke treguar se, numri i tyre nuk është edhe qa i vogël, “…ne i kemi rreth 200 raste që i kemi spitalizuar këtu në klinikë. Por nëse ky numër i njerëzve është i pavaksinuar atëherë ky është një rrezik potencial për shpërthimin e epidemisë së kësaj sëmundje. Dhe mbrojta nga kjo sëmundje është vaksinimi”.

Nga ana tjetër, mjeku i përgjithshëm Astrit Morina, tregon rëndësinë e kësaj sëmundje endemike tepër ngjitëse.

“Burim i infeksionit është njeriu i infektuar me virusin e fruthit. Ky virus prek në mënyrë të veçantë fëmijët dhe karakterizohet klinikisht me ethe, temperaturë deri në 40 gradë, lodhje, mungesë oreksi, dhimbje koke, fotofobi, lotim i syve, rrjedhje nga hunda, kollë (përshtypje e një gripi), në mukoza e faqeve shfaqen njollat e Koplikut (pika të vogla me ngjak të kuqe me qendër të bardhë), ndërsa në lëkurë shfaqen ekzantema (puçrra) para veshëve, në ballë, fytyrë, qafë ,trup. Prognoza në përgjithësi është e mirë, por mund të ketë ecuri të rendë tek fëmijët e pambrojtur(pavaksinuar) ata me imunitet të ulët p.sh me leukemi, HIV. Parandalimi: Imunizimi (vaksinimi) rreth moshës 13 muajshe, në rastet kur kemi epidemi duhet filluar vaksinimi nga foshnjat 6 muajshe deri tek ato 12 muajshe dhe pastaj duhet vaksinuar në moshën 15 muajshe përsëri. Pastaj duhet bëhet një dozë kujtese çdo 5-6 vjet ose çdo 12 vjeç!”, shpjegon Morina.

Ndërsa përmes një komunikate Shërbimi Spitalor dhe Klinika Universitare e Kosovës (SHSKUK), kanë thënë se vendi nuk rrezikohet nga epidemia e fruthit, “ekipet mjekësore të Klinikës Infektive janë nën kujdes 24 orë të vazhdueshëm pët të ofruar shërbime shëndetësore për pacientët e paraqitur si të dyshuar me fruth dhe rastet e tjera të konfirmuara nga laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe se furnizimi me barna në këtë klinik është i mirë”.

Kujtojmë që, ashtu sikurse në vitet e mëparshme, edhe këtë vit, fruthi ka qarkulluar në disa vende të Rajonit Evropian dhe të OBSH-së. Shumë vende aktualisht raportojnë epidemi, me mbi 12,000 raste të konfirmuara në 34 vende këtë vit. Në të gjitha vendet, shumica e rasteve janë të pa vaksinuar dhe shpesh anëtarë të nëngrupeve të veçanta, rastet shpesh kanë udhëtuar ose kanë pasur kontakte me dikë që ka udhëtuar nëpër kufijtë ndërkombëtarë./Fahrije
Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet