A po ndikon media në përhapjen e imoralitetit?

Se imazhi i grave në media sot, degradon deri në një objekt seksi, këtë e pranojnë edhe sociologët, por problemi shtrihet përtej këtij fakti. Duke qenë që kemi të bëjmë me breza që “bashkëjetojnë” me teknologjinë informative, shqetësimi se sidomos të miturit po bien viktima të redaksive të papërgjegjshme, po bëhet gjithnjë e më i madh – shkruan Gazeta e Re.

A po “degjenerohet” shoqëria kosovare dhe cili është roli i mediave në këtë kontekst? – Shtrojnë pyetjen qytetarët e shqetësuar, pas rasteve të raportuara së fundmi për abuzim seksual me të mitur. Nisur nga vet termi “degjenerim”, që sipas fjalorëve të shqipes bartë ndër të tjera këto kuptime: “1. vet. veta III. Humbet karakteristikat e veta dalluese e thelbësore; humbet vetitë a cilësitë më të mira të llojit të vet, prishet, zvetënohet, degjeneron. Fara është degjeneruar. U degjenerua raca. 2. Largohem a shmangem nga rruga e drejtë, humbas virtytet dhe cilësitë më të mira morale, politike etj., prishem, zvetënohem; kryes. veta III ndryshon vijën e vet politike, humbet karakterin e vet përparimtar a revolucionar, prishet, shthuret; degjeneron. Degjenerohet politikisht (moralisht)” etj, – duket sikur misioni i disa mediave është vërtetë ky (t’ia zhbëjnë karakteristikat thelbësore – shoqërisë sonë).

Shumë artikuj rozë në media elektronike, që ilustrohen me imazhe grash, shfaqin pamje mjaft ekiplicite. “Enca shtrydh gjoksin, fansave iu ikë truri”; “I ka vënë flakën” Instagramit, kjo është shqiptarja që po çmend Italinë”; “Këngëtarja me gjoksin shpërthyes”; “Të pasmet bombastike të…”, ““Të ta lëpijë pak?”, gazetari lë me gojë hapur balerinën shqiptare” etj, etj, janë vetëm disa nga titujt provokues që mund t’i hasësh nëpër portale elektronike. Lidhja e këtyre me rrjetet sociale dhe fakti që të rinjtë në Kosovë shquhen për përdorimin e këtyre rrjeteve, nënkupton që ata janë të ekspozuar dhe të pambrojtur nga artikujt e tillë që tejkalojnë çdo normë etike.

Sipas një raporti të publikuar vitin e kaluar nga Instituti Gnosis, 62% e përdoruesve meshkuj, kanë deklaruar se interneti ka ndikuar negativisht te ta, ndryshe nga përqindja relativisht e ulët e femrave që ka dalë të jetë 37%. Po i njëjti raport, të rinjtë kosovarë i nxjerr në krye të listës së përdoruesve më të mëdhenj të rrjeteve sociale.

Në këtë kontekst, të dhënat tregojnë që miturit janë tërësisht të pambrojtur nga ngacmimet, shantazhimet, dhe abuzimet seksuale. Këtë e vënë në dukje vet statistikat e Policisë së Kosovës.

Në një konferencë të mbajtur së fundmi, del që në vitin 2017 janë raportuar 62 raste të keqpërdorimit seksual ndaj personave të mitur, kurse në vitin 2018 numri i raportimeve ka qenë 61. Për më keq, të dhënat e policisë tregojnë se në dy vitet e fundit kanë ndodhur 6, përkatësisht 7 raste të “keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi”.

Abuzimet seksuale me të mitur, janë shqetësim global dhe vendi ynë, për fat të keq, veç është duke i plotësuar këto “standarde” ndërkombëtare. Por cilat janë pasojat e përdorimit të pakontrolluar të internetit nga ana e të miturve?

Hulumtimi “Ngacmimi Seksual në Kosovë – Shkaqet dhe Pasojat” i autorëve Ferdi Kamberi dhe Muzafer Ramiqi, vë në dukje që kjo dukuri është mjaft e pranishme në shoqërinë kosovare.

49% e të anketuarve kanë pranuar që ngacmimi seksual është i pranishëm në vendet e punës ndërsa 41% prej tyre janë të vetëdijshëm që veprimet e tilla janë të ndëshkueshme me ligj. Rreth 51% e tyre konsiderojnë që institucionet kanë bërë mjaft në ndërgjegjësimin e shoqërisë. Po ashtu, 41% janë të bindur se shumica e rasteve të ngacmimit seksual, nuk raportohen fare në organet përkatëse.

Dy vite më parë Qendra për Studime të Avancuara FIT, në bashkëpunim me “Save dhe Children” në Kosovë zbuloi të gjeturën tronditëse se 26% e të miturve (nga mosha 9 – 15 vjeç), shikojnë pornografi. Po ashtu, 28% e të anketuarve kanë pranuar se janë ngacmuar nëpërmjet internetit.

Por cila është lidhja e mediave me këtë rritje enorme të kësaj dukurie negative, apo thënë më drejtëpërdejt a përmbajnë pamje pornografike ato? Mjafton të bredhësh nëpër portale dhe të bindesh. Nën rubrikat ShowBiz, mund të hasësh mjaft pamje të tilla. Të rralla janë mediat që paralajmërojnë përdoruesit me shenjën +18. Të ashtuquajturat “rrëfime erotike”, grumbullojnë aq shumë klikime, duke na e bërë të ditur se vetëm kjo iu intereson redaksive. Në këtë pikë, as kanalet televizive nuk qëndrojnë më mirë. Nuk është aspak e befasishme që madje edhe në programin e mëngjesit në televizionin publik, të emetohet ndonjë këngë e ndonjë këngëtari, videospoti i së cilës ka nevojë për censurë. Në këtë mënyrë, mediat janë duke i kultivuar maniakët seksualë./Gazetaere.com/

___________________________

*http://centrum.mk/wp-content/uploads/2017/06/Ferdi-Kamberi-Muzafer-Ramiqi.pdf

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet