A po ecë Shpejtim Bulliqi në “tehun” e LDK-së?

Foto arkiv

Në mbledhjen e parë të Qeverisë së Ramush Haradinajt u shkarkua Komisioni Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror që udhëhiqej nga Murat Meha. Ajo çka bëri bujë në opinion pas kësaj ishte vendimi i Kryeministrit Haradinaj që në krye të këtij komisioni të vijë ish-deputeti i LDK-së, njëherësh eksperti i kësaj çështjeje Shpejtim Bulliqi, i cili ishte njëri ndër kundërshtuesit e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e vitit 2015 – shkruan Gazeta e Re.

Deklarimet e para të Bullqit pas këtij emërimi ishin që së shpejti do të formojë grupin punues për t’i filluar proceduarat për këtë çështje, duke mos dhënë detaje të tjera me arsyetimin se është ende është herët të flitet për veprimet e këtij komisioni.

Derisa njohësit e çështjeve politike në vend, emërimin e Bulliqit në këtë post e cilësojnë si nderë për atë dhe për LDK-në, anëtarë të kësaj partie përveç deklaratave kundërthënëse mes tyre, akuzojnë Bulliqin se është argat i Qeverisë Haradinaj. “…Ai që dje na akuzonte me agresivitet për koalicionin me PDK-në, sot është futë plotësisht nën sqetullën e tyre dhe të patronëve të tij të mëhershëm”, ishte reagimi i anëtarit të LDK-së Bajram Gecajt.

E nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri  ka deklaruara se Bulliqi nuk ka më lidhje me LDK-në “… ai nuk është më në LDK-në. Ai është argat i Qeverisë Haradinaj. Ramushi po e përdor. Nuk është pjesë e LDK-së, prej ditës së djeshme ai është pjesë me PAN-in. Është argat i Kadri Veselit dhe i Hashim Thaçit më shumë”.  I menjëhershëm ishte reagimi i Bulliqit i cili demantoi atë çka tha bashkë-partiaku i tij. “Njoftoj të gjithë miqtë se unë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Në këtë parti jam nga fillimi dhe askush nuk mund të më largojë prej saj për shkak të qëndrimeve të mija profesionale e kombëtare”, është shprehur Bulliqi.

Se Bulliqi është ende pjesë e LDK-së ka lënë të nënkuptohet edhe nënkryetari tjetër i kësaj partie Agim Veliu, i cili në një prononcim për Gazetën e Re tha se LDK-ja nuk ka diskutuar për përjashtimin ose jo të Bulliqit nga kjo parti, prandaj ai nuk e di se pse Haziri ka dhënë një deklaratë të tillë.

“LDK-ja ka statutin e saj në bazë të së cilit funksion dhe gjithçka do të zhvillohet në bazë të tij. Prandaj edhe vendimet merren sipas tij, pas të cilave anëtarët kanë të drejtë ankese nëse nuk u pëlqen vendimi. Mirëpo, LDK-ja nuk ka diskutuar për këtë çështje dhe nuk kam çfarë të them tjetër”, ka deklaruar Veliu duke mos bërë të ditur nëse pritet që kryesia e LDK-së ta hap këtë temë.

Njohësi i çështjeve politike në vend Ramush Tahiri, emërimin e Bulliqit në krye të Komisionit Shtetëror për Demarkacion nuk e sheh arsye që ai të përjashtohet nga LDK-ja. Përkundër kësaj, këtë emërim ai e cilëson si nderë për Bulliqin dhe LDK-në.

“Jo s’mund të përjashtohet për këtë arsye. Komisioni është shtetëror nuk është partiak. Është komision i përhershëm e jo komision ad hoc. Si i tillë i bënë nder edhe Bulliqit edhe LDK-së edhe secilës parti që vizion e ka ndërtimin e shtetit të së drejtës”, potencoi Tahiri.

I pyetur nëse LDK-ja është e gatshme për reformime në një situatë të tillë në të cilën gjendet ajo tani, Tahiri duke mos e pohuar e as mohuar, ka thënë se, secila parti e ka të nevojshme reformimin.“Secila parti e ka të nevojshme reformimin permanent si në shtrirje horizontale ashtu edhe në strukturë edhe organizative, edhe gjinore, edhe të moshës. Kjo bëhet me hapje të dialogut të brendshëm dhe me profilizim edhe ideologjik”, përfundoi Tahiri.

Përjashtimi i mundshëm i Bulliqit nga LDK-ja ishte përmendur edhe më herët. Ai ishte deputeti më i zëshëm i legjislaturës së fundit për sa i përket kundërshtimit të formës aktuale të demarkimit me Malin e Zi, përkundër që shumica e deputetëve të partisë së tij ishin pro kësaj marrëveshjeje. Ai ishte edhe kundërshtues i shumë politikave brenda partisë së tij, për shkak të së cilave besohet se ai u largua nga lista për deputetë për zgjedhjet e qershorit. Rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte më i dobëti në historinë e LDK-së, për çka njohësit e çështjeve politike në vend vlerësuan se shkak ishin lidershipi dhe politikat e gabuara të kësaj partie./Yllnora Shala/ Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet