A po bëhet ushtria?

Votimi i tri projektligjeve që ndërlidhen me transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, ia ka çelur dyert mbajtjes së një seance plenare, që në agjendë do ta këtë çështje. Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i ka proceduar ato në Kuvend, ndërsa subjektet politike, duke i përfshirë ato opozitare, janë dakorduar në parim, që procesit t’i shkojnë deri në fund – shkruan Gazeta e Re.

Shndërrimi i FSK-së në Ushtri të Republikës së Kosovës, i ka bërë bashkë të gjithë akterët politikë vendor. E siç edhe pritej, përveç Listës Serbe, askush nuk ka treguar shenja kundër finalizimit të këtij projekti. Kjo çështje ka zënë vend në krye të titujve në mediat kosovare si Zëri, Koha Ditore, Telegrafi etj, të cilat kanë përcjellë gatishmërinë për ta përkrahur procesin në fjalë, jo vetëm të krerëve institucional, por edhe të partnerëve strategjik ndërkombëtarë.

Presidenti Hashim Thaçi në një konferencë për media, dje shkarazi përmendi edhe çështjen e formimit të ushtrisë duke thënë se: “Jemi në hapat e fundit të procesit të transformimit dhe këta hapa si gjithmonë do të bëhen në mënyrë graduale në bashkëpunim me NATO-n, SHBA dhe partnerët strategjikë.”

Pikërisht për sa i përket partnerëve ndërkombëtar, ShBA-të i kanë dhënë përkrahje të plotë procesit duke thënë se: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin transformimin transparent të FSK-së në ushtri profesionale, multietnike e ndërvepruese me NATO-n, e cila do të kishte të drejtën e mbrojtjes së territorit. Asnjë vend nuk mund ‘të vendosë veto’ për këtë transformim.”  Të paktën kështu është raportuar të ketë dhënë përgjigje Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, ndaj një pyetjeje të parashtruar nga RTK2, para disa ditësh. Për më shumë, amerikanët i kanë ftuar liderët politikë të Kosovës, që ky proces të shkojë ashtu siç duhet, në mënyrë që ushtria të dëshmojë “natyrën multietnike të Kosovës. Rëndësi të veçantë ka që Kosova tani e tutje të bashkëpunojë ngushtë me aleatët e NATO-s dhe të angazhohet së bashku me të gjithë qytetarët që ky transformim të përparojë”.

Krerët e shtetit nuk i kanë shpërfillur sugjerimet e miqve ndërkombëtarë, prandaj përveç presidentit edhe Kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar që koha e formimit të ushtrisë, ka ardhur. “Kosova po bëhet me  ushtri”, po bëhet pjesë e interpolit dhe po i hiqet regjimi i vizave,  përsëriti Haradinaj para pak ditësh në Suharekë, për të mos qenë i vetmi rast në këto ditët e fundit që e përmend këtë gjë.

Procesi në fjalë, ku përveç transformimit parasheh edhe ngritjen e kapaciteteve të nevojshme, ka një kosto të lartë. Nuk dihet saktësisht kostoja totale e gjithë procesit, për mungesë të përllogaritjeve të detajuara, por dihen shifrat që janë planifikuar për shpenzim vjetor. Nga buxheti i Kosovës, i cili për këtë vit ishte 1.8 miliardë, 55 janë dedikuar për FSK-në përkatësisht shndërrimit të saj në ushtri. Dyfishimi i buxhetit, ndërkaq, do të bëhet gradualisht. Pra nga 55 milion euro në vit sa janë të dedikuara tash për tash,  vitet në vijim pritet të dyfishohen në afro 100 milion euro në vit, saktësisht pas një periudhe pesë ose gjashtë vjeçare.

Të vetmit që pritet të mbajnë qëndrim negativ dhe që nuk do ta përkrahin, janë deputetët e Listës Serbe. Së fundi këtë qëndrim e ka përsëritur deputeti Zoran Mojsinoviq, sipas të cilit, procesi është në kundërshtim me rekomandimet e vet NATO-s. Ai është shprehur të jetë ndier i befasuar me iniciativat e fundit meqë “kjo është në kundërshtim me rekomandimet e marra nga NATO gjatë vizitës sonë të përbashkët këtë vit në Bruksel. Për bashkësinë serbe, e vetme nga forcat ushtarake është e pranueshme KFOR-i” – citohet të ketë thënë Mojsinoviq. Duke e përsëritur qëndrimin që Lista Serbe, përkundër asaj që është pjesë e koalicionit qeverisës, ajo nuk do ta mbështetë këtë ligj.

Por Haxhi Shala, deputet nga radhët e Nisma-s Socialdemokrate, i cili njëherësh është edhe Kryetar i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e FSK-së, siguroi që Lista Serbe nuk do të mund ta ndalë procesin dhe se ligjin do ta votojnë mbi 100 deputetë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet