A mund të shmanget kriza institucionale dhe pasojat e saj?

Në zgjedhjet e 11 qershorit më së shumti vota grumbulloi koalicioni  PAN, kurse e dyta u rendit Lëvizja Vetëvendosje!. Njohësit e këtyre proceseve thonë që çështja do të kalohet në duart e presidentit, i cili do t’ia jap rastin fillimisht PAN-it, për ta formuar qeverinë. Ai pritet që të bisedojë me të gjitha formacionet politike, duke mbajtur qëndrim neutral në raport me secilin.

Por a do të shmanget ngërçi politik? A do të ofrohen koalicionet, a do të bashkohen subjektet për ta formuar qeverinë? Cilat do të mund të ishin pasojat për vendin? Këto kriza mund të shkaktojnë vonesa në proceset integruese drejt BE-së.

Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare, mendon që ajo që më së paku do t’i duhej vendit është ngërçi politik apo konsekuenca të ngjashme.

“Siç dihet, edhe me faktin që patëm qeverisje deri në zgjedhje, vendi pothuajse ka vendnumëruar prandaj nëse vazhdon me brishtësi apo mbajtje peng të procesit të themelimit të institucioneve, vendi do humbiste shumë në procese të ndryshme e në veçanti në fushën e integrimit evropian”, deklaron Hoti.

Tashmë i kemi të ditura kushtet që duhet plotësuar për këtë integrim, shprehet Hoti, dhe po ashtu kushtet për liberalizimin e vizave – temë kjo tashmë e dalë mode. “Është më se urgjente themelimi i institucioneve dhe ecja përpara me detyrat dhe përgjegjësitë shtetërore sepse edhe ashtu jemi skajshmërisht të vonuar”.

Nga ana tjetër politologu Ramush Tahiri, mendon se nuk ka asnjë arsye që vendi të kaplohet nga një krizë e re politike dhe të mos e zgjedhë qeverinë. Të gjitha partitë politike e sidomos i ashtuquajturi koalicioni i madh PAN-it, deshën zgjedhjet parlamentare dhe me votim në Kuvend e rrëzuan Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Ai bënë me dije se: “Qytetarët presin prej tyre që të jenë të përgjegjshëm konform votave të marra dhe besimit të dhënë nga populli. Ata duhet t’i bëjnë të gjitha përpjekjet dhe sakrificat që ta krijojnë qeverinë. Në rast të dështimit, ata duhet ta dorëzojnë mandatin duke i dhënë shansin partisë dhe koalicionit tjetër, duke kaluar kështu në opozitë konstruktive. Kjo opozitë e ndershme do të mund t’i shtynte në parlament agjendat politike në të mirë të Kosovës e të popullit të saj”. Përndryshe, çdo shmangie nga interesat madhore për hir të interesave të ngushta personale partiake e dëmtojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës, konkludon Tahiri.

Sipas tij, “Nëse Kosova hynë në krizë, nëse bëhen kompromise jo parimore por pazare interesash meskine, për hir të interesave grupore e klanore, që nuk i lejojnë të vinë në shprehje politikat e ndryshimeve si vullnet i shprehur i popullit me votë, atëherë Kosova vonohet në proceset integruese në BE. Do të shënohen ngecje në politikat zhvillimore, pastaj në reformat e përgjithshme, e sidomos nuk do të kemi sukses në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, sepse kjo bëhet vetëm me njerëz të rijnë e jo me ata që tash e sa dekada ishin pjesë e sistemit qeverisës”.

Ndërsa analisti Blerim Burjani, tha se: “Mos themelimi i insitutcioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit, ngadalësimi i proceseve të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik, social etj, ngadalësim i procesit të integrimit të Kosovës në BE, mos liberalizimi i vizave , mos funksionimi i sistemit kushtetues etj, Kosova është në një ngërç tashmë politik”, shkruan shkurt Burjani.

Kujtojmë që, në zgjedhjet e 11 qershorit koalicioni PDK-AAK-Nisma doli të jetë partia me më se shumti vota me  237.159  33,92%, e dyta Lëvizja Vetëvendosje me 189.857 27,16%, kurse LDK-ja doli partia e tretë me 180.336 votues 25,79%./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet