A mund ta rrëzojë PDK-ja Qeverinë Haradinaj?

Koalicioni aktual qeverisës, me gjithë problemet me të cilat karakterizohet, duket që po ia del t’i kalojë e rehabilitojë tronditjet. Ndonëse ka pasur mospajtime e fërkime edhe përbrenda PAN-it, ato nuk e kanë gjunjëzuar Qeverinë Haradinaj, ndërsa sipas analistëve, vet garantuesja më e madhe e mbarëvajtjes së punës së koalicionit – PDK-ja, nuk është e interesuar që qeveria të bjer nga froni – shkruan Gazeta e Re.

Çështja më e debatueshme në opinionin publik, ajo e taksës 100%, njëherësh ka qenë edhe shkak për të mos u pajtuar dy krerët më të lartë në kuadër të koalicionit qeverisës. Fillimisht u bë një garë, për t’i mbledhur atributet e “këtij vendimi të drejtë”, por më vonë, pas presionit të vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare Kryeministri Ramush Haradinaj, mbeti i vetmi që këmbëngulte ta mbronte vendimin.

Ishte partneri i tij në kuadër të koalicionit, Kadri Veseli, ai i cili propozoi një variant më të zbutur që çonte në zgjidhjen e problemit. “Anulimi i përkohshëm” i vendimit, ishte varianti që e propozoi ai. Por kundërshtimi i rrebtë i Haradinajt, bëri që gjërat të mbesin në vend.

Kjo përplasje, mbetet ndër më të fortat në këto kohët e fundit, përplasje, e cila megjithatë, nuk çoi deri te shembja e qeverisë.

Një tjetër debat erdhi edhe pas raportimeve për punësime masive, mbi baza të nepotizmit e korrupsionit, në disa sektorë publik.

Por: “PDK është përgjegjëse pse kjo qeveri nepotiste, zhvatëse dhe korruptive vazhdon të sjell shqetësime në shoqëri. Përplot skandale, vetëm për dy vjet. Përplot punësime familjare, ndarje të parave të rezervave shtetërore, shpenzime enorme. Pa koncept zhvillimor të buxhetit, duke manifestuar papërgjegjshmëri, e mos dhënie llogari. Rritja e pagave për shërbyesit civilë e publikë, duket qartë që ka nxitur ikjen e  të rinjve dhe punëtorëve të sektorit privat. E për rrjedhojë, ne nuk po shohim zhvillim por stagnim dhe një lloj shteti komunist si Kina duke mbajtur administratën e shtetit me para të sektorit privat, përmes taksa paguesve” – tha për Gazeta e Re analisti Blerim Burjani.

Sipas tij, pikërisht rritja e pagave si dhe diskriminimi i sektorit privat “ku rreth 300 mijë punëtorë punojnë aty, me paga që variojnë nga 170 deri në 300 euro, për dallim me sektorin shtetëror 83 mijë punëtorë, ku pagat pritet të sillen nga 600 deri në 1200 euro” – përbënë motiv të mjaftueshëm që qeveria të bie. Veç këtyre arsyeve, kemi edhe një administratë të tejngarkuar me “përplot ministra dhe zëvendësministra e këshilltarë politikë një administratë galopane, por e pa hajr.”

Burjani e cilësoi qeverinë aktuale si zhvatësen më të madhe të buxhetit të shtetit, e cila po e gërryen shtetin. Punësimi i 500 punëtorëve për një periudhë të shkurtër në PTK dhe Vala, tregon shumë.

Ai tha që pikë së pari është e nevojshme të ndryshojë ligji i punës,  për të bërë “kategorizim të pagave dhe niveleve me ligj si dhe për të marrë masa ndaj punëdhënësve për shkak të mos pagës së rregullt të paraparë me kontratë.”

Me gjithë vërejtjet që mund t’i kenë për koalicionin, vet PDK nuk dëshiron ta rrëzojë qeverinë. Arsyeja sipas Burjanit është e thjeshtë, sepse po ruhen “interesat e saj për mrekulli.” Veç kësaj, “të tërë sektorët kontrollohen nga PDK-isetët” dhe kjo gjë po ndikon në rritjen e dëshpërimit në masë, përkatësisht ikjen e të rinjve nga Kosova.

I bindur që PDK nuk është e interesuar ta përçajë e shemb qeverinë, janë edhe disa analistë të tjerë. Analisti Ramush Tahiri në një prononcim të dhënë ditë më parë për një medium tonin, shprehet që Qeveria Haradinaj hë për hë, nuk do të bie, sepse vet “kryeministri nuk po dëshiron të japë dorëheqje, por po thotë bëni 61 vota dhe dihet që partitë opozitare nuk i kanë. Kjo po ia zgjat jetën atij. As PDK-ja nuk e ka përkrahjen e partive tjera që të rrëzojë qeverinë ‘Haradinaj’, votat e saj nuk mjaftojnë. Ndërsa Vetëvendosja është deklaruar që nuk e rrëzon Qeverinë me PDK-në”.

Të sigurt në këtë pikë, janë edhe disa deputetë të AAK-së. Në deklaratat e tyre duket qartë që mbizotëron një siguri, qoftë edhe solide, e cila ua garanton atyre rehatinë, meqë PDK nuk do t’i rrëzojë nga pushteti. Kadri Veseli, bartësi i koalicionit qeverisës, ditëve të fundit ka bërë thirrje edhe për luftë më të hapur ndaj korrupsionit, duke u treguar të pakompromis, e të “pamëshirshëm”. Ai madje ka thënë që do t’i prijë kësaj lufte dhe se këto dukuri nuk do të tolerohen, pavarësisht kush qëndron prapa tyre. E në anën tjetër, koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Haradinaj, pjesë e të cilit është edhe Veseli, është vënë në qendër të kritikave dhe raportimeve, pikërisht për çështje të korrupsionit e nepotizmit. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet