A mund Shqipëria ta ndihmojë Kosovën në rastin Haradinaj?

Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë i ka dorëzuar një kërkesë INTERPOL-it, për fillimin e procedurës për lirimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze.

Në kërkesën drejtuar Interpolit, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, kërkon që të shqyrtohet urdhër-arresti ndërkombëtar. “Më lejoni që t’ju kërkoj zyrtarisht rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit Ndërkombëtar Nr.2005/18986, date 06.06.2005 ndaj Z. Ramush Haradinaj për ta hequr këtë Urdhër Arresti përfundimisht nga sistemi  e ASF”, thuhet në letrën e Ministrit Tahiri.

Kërkesa e Tahirit u bë publike një ditë pasi që Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë rezolutën për rastin Haradinaj.

Eksperti  i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, në një prononcim për Gazeta e Re, thotë se në aspektin ligjor, Shqipëria nuk do të mund t’i ndihmojë Kosovës në rastin Haradinaj, por se kjo do të ketë ndikim në opinion publik.

“Pa dyshim se Shqipëria mund t’i ndihmojë çështjes Haradinaj. Nëse jo për ndonjë gjë tjetër, opinion publik e politik i një shteti që është anëtarë i NATO-s, një shtet që ka traditë shtetërore e ka influencën e vet. Juridikisht nuk ka mbështetje, por politikisht është transparente sepse është tendencioze prandaj ky veprim është i qëlluar dhe i përshtshëm dhe pa dyshim se do të ketë influencë pozitive”, ka thënë Smaka.

Sipas tij, në aspektin juridik, kërkesa e shtetit serb për arrestimin dhe ekstradimin e Haradinajt nuk ka mbështetje ligjore. “Kërkesa është bërë para 14 vjetësh nga Jugosllavia e cila nuk ekziston më. Kjo kërkesë nuk ka mbështetje ligjore sepse ai shtet nuk ekziston më tutje. Sipas kërkesës së shtetit serb supozohet se krimet i ka bërë në Kosovë, por kudo në botë është parimi që e përcakton trajtimin e çështjeve penale në vendin ku është kryer krimi. Prandaj Serbia nuk ka legjitimit aktiv për të ngritur kërkesa të tilla përderisa pretendon se krimi qenka kryer në gjetiu, por jo në Serbi, pra është kërkesë hegjemoniste e Serbisë”, ka theksuar Smaka.

E sipas juristit dhe analistit politik, Blerim Burjani, krejt çka mund të bëjë Shqipëria për rastin Haradinaj është t’i ofrojë informacione INTERPOL-it.

“Është për t’u vlerësuar lartë angazhimi i Shqipërisë në këtë drejtim edhe pse këto çështje janë të natyrës që del prej domenit të saj por vullneti për angazhim është i lartë. Shqipëria e tëra që mund të bëjë është t’i ofrojë informata Interpolit dhe përshkrim të këtyre fletarresteve të Serbisë, pra është ofrim i informacioneve. Përderisa Interpol nuk duket të jetë serioz në këtë temë, nuk do të duhej të mbetet pa informata për këtë rast dhe të shumë rasteve të kësaj natyre të fletarresteve serbe pa bashkëpunim me Kosovën, edhe pse ende s’është ende anëtare e saj të komunikojë për këto raste. Këtë s’mund t’ia ndal askush Interpolit sepse Kosova ka disa bashkëpunime më këtë organizatë”, thotë Burjani duke shtuar se shlyerja e fletarresteve serbe është e komplikuar sepse këtë do duhej ta bëjë vet Serbia.

Dje Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme e cila u inicua me nismën e partisë së liderit Haradinaj, Alencës për Ardhmërinë e Kosovës. Pas debatit u nxorën në votim dy projektrezoluta të propozuara dhe asnjëra nuk kaloi. Projektrezoluta e Grupit Parlamentar të opozitës u votua nga 36 deputetë të pranishëm në seancë, prej të cilëve 28 ishin pro, 3 kundër dhe 5 abstenuan. Ndërsa projektrezoluta e propozuar nga dy partitë në pushtet PDK-LDK, u votua nga 47 deputetë, nga të cilët 38 ishin pro, 6 kundër e 3 abstenuan./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet