A kanë nevojë për gjak të ri, partitë e mëdha në Kosovë?

Dy prej subjekteve më të mëdha politike në vend, po kalojnë nëpër një proces zgjedhor të brendshëm. Partia Demokratike e Kosovës (PDK), veç është në fazën përmbyllëse të zgjedhjeve, ndërsa Lidhja Demokratike (LDK), është ende në fazën fillestare. Rezultatet e zgjedhjeve nacionale, sipas njohësve të zhvillimeve, varen shumë nga këto përgatitje të brendshme të partive – shkruan Gazeta e Re.

Asnjë nga zyrtarët e LDK-së nuk ka dashur që t’i komentojë zërat rreth kandidatëve potencialë për të parin e partisë. Disa nga emrat të cilët janë lakuar janë edhe ata të Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut. Aktualisht dy të lartpërmendurit, përveç janë shumë lart të ranguar në hierarkinë e partisë, janë edhe kryetarë të dy komunave – Gjilanit, përkatësisht Podujevës.

Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së në një emision televiziv, nuk e përjashtoi mundësinë që edhe Isa Mustafa t’i futet përsëri garës së brendshme. Sipas tij, riemërimi i Mustafës, do të ndikonte eliminimin e çarjeve të mundshme, të cilat janë të rrezikshme në prag të zgjedhjeve nacionale.

Megjithëse pakkush u beson sondazheve apo anketave të realizuara në vendin tonë (meqë ato dyshohet të jenë të porositura), LDK-ja nuk del aq keq. Një të tillë e ka realizuar para pak kohësh Lëvizja Vetëvendosje, ku LDK-ja është renditur e para me 21.2%, e ndjekur nga VV-a me 17.7%. E treta, ndërkaq, është renditur partia e Kadri Veselit (PDK-në), me vetëm 16%. Rezultatet e anketave dhe sondazheve, janë duke e pasqyruar një rënie të popullaritetit të kësaj të fundit. Megjithëse PIPOS,  Instituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik, ndryshe nga anketa e VV-së, PDK-në e nxori në vendin e parë me 26%, e ndjekur nga LDK-ja me 24%, pastaj nga VV-ja me 19%, AAK-ja me 14% dhe NISMA me 5%. Më konkretisht:

  1. A) Fjala 1%
  2. B) PSHDK 1%
  3. C) Një parti minoritare
  4. D) Alternativa 1%
  5. E) Lëvizja për Bashkim 2%
  6. F) PSD 3%
  7. G) AKR 3%
  8. H) Nisma 5%
  9. I) AAK 14%
  10. J) Vetëvendosje 19%
  11. K) LDK 24%
  12. L) PDK 26%

Por për sa i përket PDK-së, analistët konsiderojnë se koalicioni me partitë më të vogla (AAK-në dhe NISMA-n), po del të jetë me pasoja negative. Një gabim tjetër, të cilin ajo e ka bërë gjatë këtyre viteve të pushtetit, është se nuk i ka shfrytëzuar mjaftueshëm resurset e brendshme. Sipas analistit Blerim Burjani, reformimi rrënjësor brenda subjektit në fjalë, ndonëse është i nevojshëm, ai është pak i gjasshëm të ndodhë:

“Partia Demokratike ka mjaft figura te reja politike, por as ata ekspertë që i ka, përfshirë shumë tjerë të shoqërisë civile, nuk i ka shfrytëzuar. Në këtë parti vijon të qeverisë garda e vjetër e njerëzve të luftës. Pra duhet të ndodhë një transformim pozitiv ose ndryshim në qeverisje dhe në lidership. Kuptohet, PDK merr njerëz më shumë servilë se sa njerëz adekuat, kjo parti duhet të ndryshojë konckeptin prej servilit deri te dëgjimi i zërit dhe ndikimit të rinjve, megjithëse gjasat e transformimit të kësaj partie në kuptimin e liderëve të rinj, apo modelit qeverisës, janë zero.”

Sipas Burjanit: “Ndryshimi i porklamuar duhet të reflektohet me ndalimin e politikës së kapjes së institucioneve, pastaj punësimit nepotist e partiak… me fjalë të tjera, larg është të ndodh kjo punë te ky subjekt politik.”

Anëtarët e rivales së vjetër të PDK-së, LDK-istët, janë lavdëruar se në këtë aspekt kanë bërë më shumë, duke u krijuar hapësirë të mjaftueshme të rinjve. Ndryshe flasin ata që i kundrojnë këto dy parti nga jashtë. Sipas tyre, po të ishte kështu siç thonë drejtuesit e këtyre dy subjekteve, Vetëvendosje nuk do të dilte e para në zgjedhjet e fundit nacionale./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet