A ka rrëshqitur LDK nga vendi i parë?

«Jemi gati për zgjedhje» – po thonë politikanët, pavarësisht subjektit që përfaqësojnë. «Kurrë më të gatshëm s’kemi qenë» – vijojnë ata me tone të sigurta, ose «partia jonë, është gjithmonë e përgatitur, nuk mund të kapet në befasi»; e megjithatë, disa subjekte kanë probleme serioze, të brendshme, prej të cilave nuk po mund të çlirohen – shkruan Gazeta e Re.

Qysh nga publikimi i analizës së Institutit slloven IFIMES, është intensifikuar debati rreth asaj se cila nga partitë do të mund të dalë e para në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Siç dihet tashmë, sipas analizës gara për vendin e parë do të bëhet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje! (VV-së), dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), ndërsa për vendin e tretë do të shtyhen Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Duket që situata ka ndryshuar paksa, për sa i përket LDK-së. Ajo para zgjedhjeve të brendshme që i kishte, printe pothuajse me një epërsi të lehtë ndaj VV-së.

«Përderisa nga sondazhet para zgjedhjeve të brendshme në LDK, kjo e fundit printe bindshëm para partive tjera me numër të elektoratit, pas riemërimit të Isa Mustafës në krye të LDK-së, sondazhet do ta thonë të kundërtën, për shkak të zhgënjimit dhe thyerjes së madhe të elektoratit të kësaj partie, i cili e priste me padurim ndryshimin në kreun e partisë dhe freskimin e kryesisë me kuadro të reja» – vuri në dukje për Gazeta e Re analisti Florim Zeqa.

Disa prej deputetëve, i ka përfshirë një entuziazëm pas kësaj analize, disa e kanë marrë me rezervë, e disa e kanë zhvleftësuar për fare rezultatin e nxjerrë nga analiza e këtij instituti. Por meqë nga të gjitha partitë po prolongohet ideja e pjesëmarrjes në zgjedhje, pa koalicione, edhe vëmendja e opinionit publik mbetet te ajo se kush do të jetë në maje të piramidës?

Meqë LDK-ja printe deri vonë nëpër sondazhe, si u bë që ta humbë hapin?

«Pas kuvendit të IX-të u vërtetua se LDK mbeti e bllokuar në labirintin e klanit “Riinvest” dhe klikës së vjetër e cila në asnjë rrethanë nuk dëshiron të krijojë hapësirë për ndryshime dhe reformim të thellë të partisë. Kreut udhëheqës të LDK-së do t’i kthehet bumerang abuzimi dhe mos përfillja e vullnetit të elektoratit për ndryshime substanciale. Ndryshimet e lehta kozmetike dhe mos vënia e vijave të kuqe për një koalicion të ri me PDK-në, dëshmojnë se kjo parti nuk është e denjë për qeverisjen e vendit. Paqartësia e LDK-së në prag të procesit zgjedhor, tregon se LDK e PDK më shumë janë partnere sesa rivale në politikbërjen e vendit. Bazuar në këto që ceka më sipër, pritjet janë që LDK-ja do të pësojë fiasko zgjedhore shkaku i ndëshkimit nga elektorati i saj. Mbase vetëm ndëshkimi me votën e lirë do t’i bëjë që të vetëdijesohen krerët e kësaj partie, të cilët i kanë ngulfat reformat dhe shprehjen e lirë në LDK.»

Por nga zyrtarët e këtij subjekti, duket që asgjë nuk do t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme, e për më tepër as fitoren e LDK-së. Megjithatë, sipas kreut të sapozgjedhur të kësaj partie Isa Mustafa, zvarritja e procesit, ka një qëllim:

«Zgjedhjet organizohen për t’ua mundësuar qytetarëve të shprehin masivisht vullnetin politik e jo për inat të njëri tjetrit. Prandaj nuk është e arsyeshme të ndodhin në kohë pushimesh» – është shprehur ndër të tjera Mustafa, duke e komentuar datën e 22 gushtit.

Por sipas liderit të VV-së Albin Kurtit: «Koha që u ka mbetur është vonesa që e shkaktojnë. Dikur ajo matej me muaj, tash me javë, e së shpejti veçse me ditë të numërueshme. Ardhmëria kurrë nuk ka qenë më afër. Meqë 22 gushti u la për shpërndarjen e Kuvendit, i bie që zgjedhjet e reja të jenë me 22 apo 29 shtator, ose 6 tetor. Pra, do të kemi pranverë në vjeshtë. Fitorja jonë në këto zgjedhje e fut shpresën në zemrat e qytetarëve për ta nxjerrë shtetin nga kriza e dështimi» – është shprehur i sigurt Kurti. Ai madje ka sugjeruar një mundësi për t’i fituar zgjedhjet, përpara mbajtjes së tyre, duke u bashkuar opozita e deridjeshme në një kamp.

Në anën tjetër, beteja për vendin e tretë, duket që do të jetë po aq e ashpër, sa edhe për të parin. Ndonëse zyrtarët e PDK-së vazhdimisht po përsërisin se kjo parti është e pa-konkurrencë, sipas sondazheve, ajo po radhitet e treta, e shpesh edhe e katërta pas AAK-së e cila ka gëzuar një rritje të konsiderueshme të elektoratit. Njëherësh kjo parti ka marrë më së shumti “vija të kuqe” nga rivalët politikë. E për partitë e vogla (si Nisma, AKR e Alternativa), variantet e vetme për t’u bërë pjesë e legjislacionit mbeten koalicionet e mundshme para zgjedhjeve./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet