A ka filluar të ndërtohet Xhamia Qendrore në Prishtinë?

Një pjesë e imazhit të kryeqytetit, së shpejti do të ndryshojë. Në lagjen Dardania, fare pranë objektit të Telekomit, pritet të ndërtohet njëra prej xhamive më të mëdha në Ballkan. Për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, besimtarët është dashur të presin më shumë se një gjysmë dekade – shkruan Gazeta e Re.

 Projekti do të financohet nga Fondacioni i Dinajetit të Turqisë, ndërsa ka një kosto mjaft e lartë. Sipas vlerësimeve fillestare, Xhamia Qendrore e Prishtinës, për ndërtimin e së cilës janë ndarë tetëdhjetenjë ari tokë (81 ari),  do të kushtojë nga 35 deri në 40 milionë euro. Dje është vendosur një pllakat, që në një mënyrë paralajmëroi fillimin e punimeve.

Megjithatë nga Bashkësia Islame e Kosovës, për Gazeta e Re konfirmuan që punimet ende nuk kanë filluar, por “po bëhen përgatitjet e para për fillimin e tyre.” Projektit ende nuk i është vënë një afat kohor, pra nuk dihet se kur do të përmbyllet.

 Besimtarët i gëzohen lajmit

Besimtarët muslimanë u janë gëzuar lajmeve të disa mediumeve që gjatë ditës së djeshme që për tituj kishin: “Fillon ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë”. Megjithatë bëhej fjalë për pllakatin e vënë pranë lokacionit të paraparë, shenjë kjo që sipas zëdhënësit të BIK-ut Ahmet Sadriu, nënkupton se shumë shpejt do të fillojnë punimet.

1.Sahiti ka shpërndarë fotografinë e pllakatit që qarkulloi dje nëpër rrjetet sociale, duke i përgëzuar besimtarët me këtë sihariq. “Hajde more përhajr!” – ka shkruar ai në faqen e tij, ndërsa miqtë, i janë përgjigjur, me të njëjtën mënyrë.

Por ka pasur prej atyre që megjithatë, kanë pasur kritika në drejtim të BIK-ut, për shkak të zvarritjes së fillimit të punimeve, për më shumë se një gjysmë dekade.

“Në vend se me u pre shiriti sot… po shnosh. Për hajr!” – ka shkruajtur D. Ibrahimi, një tjetër besimtar musliman.

Pritjes së gjatë, i ka ardhur fundi

Ua kujtojmë që ndonëse gurthemeli qe vënë në tetor të vitit 2012, çështja pat hasur në një kontest ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, duke bërë që leja për fillimin e punimeve të vonohet me vite të tëra. Atëbotë në ceremoninë e fillimit të punimeve, patën marrë pjesë ish Presidentja Atifete Jahjaga, ish Kryeministri Hashim Thaçi, ish Kryeparlamentari Jakup Krasniqi,  Myftiu Naim Tërnava dhe zyrtarë të tjerë të huaj e vendorë.

Por, kostoja e lartë, ka qenë një prej problemeve që e ka shoqëruar projektin që nga fillimi. Vet godina, sipas projektit, parashihet të jetë një kompleks në vetvete. BIK ka bërë përpjekje që nga fillimi që i gjithë procesi, të jetë krejtësisht transparent. Madje në kuadër të këtyre përpjekjeve ajo pat shpallur konkurs ndërkombëtar për projektin ideorë të kësaj xhamie. Arkitektë të njohur vendor e të huaj, qenë bërë pjesë e garës, duke dorëzuar kështu 81 punime. Boshnjaku Amir Pashiq, turku Ibrahim Numan, italiani Atillio Petruqolli bashkë me dy arkitektët kosovarë Muhamet Morina dhe Jusuf Xhepa, si dhe dy përfaqësues të BIK-ut, patën përbërë komisionin vlerësues të punimeve. Një ekspozitë me modelet (maketet), e propozuara, i pat paraprirë aktit të vënies simbolike të gurthemelit, por prej atëherë është dashur të pritet plot 6 vite. Megjithatë, zyrtarët e BIK-ut po thonë që kësaj pritjeje i ka ardhur fundi dhe se ata kanë qenë të kujdesshëm në respektimin e normave ligjore. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet