A janë në rrezik raportet e Kosovës me ShBA-të?

Presioni mbi Qeverinë e Ramush Haradinajt, për sa i përket taksës 100% të vënë për produktet serbe e boshnjake, ka arritur kulmin. Zyrtarë të huaj e vendorë kanë konsideruar se tashmë ka ardhur koha që ajo të shfuqizohet. Megjithatë, më shumë debat është duke nxitur shpërfillja e thirrjeve të ShBA-së, për shfuqizimin e taksës, nga ana e Prishtinës zyrtare – shkruan Gazeta e Re.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot deklaroi se: “…taksa mund të jetë në pakufi, përjetësisht, deri të zgjidhet problemi Kosovë – Serbi. Nuk ka sanksion që na detyron ta heqim, qoftë prej vendeve nacionale, qoftë prej organizatave të tjera”.

Atij sot i ka trokitur në derë ambasadori amerikan Philip Kosnett, i cili ia ka dorëzuar një letër nëpërmjet së cilës ka kërkuar që taksa të anulohet. Sipas raportimeve, letra karakterizohet me tone mjaft të ashpra, ndërsa nga një e tillë u është dorëzuar edhe Presidentit Hashim Thaçi si dhe Kryeparlamentarit Kadri Veseli. Se bëhet fjalë për një kërkesë të tillë nga aleatët, këtë e ka pranuar edhe vet kryeministri, por ai nuk është zmbrapsur nga qëndrimet e tij.

Duke i komentuar raportet ShBA – Kosovë, në kontekstin e rrethanave të reja që i ka krijuar taksa, analisti Shkodran Ramadani tha që: “ShBA-të e kanë bërë të ditur shumë herë javëve të fundit se dialogu duhet të fillojë. Për herë të parë në shumë vite ShBA-të po flasin në terma eksplicitë diplomatikë, duke thënë se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është interes nacional amerikan. Dështimi i dialogut është dështim i agjendës amerikane dhe cenim i interesave të tyre. Kësisoj, amerikanët janë bërë më agresivë në këmbënguljen e tyre për pezullimin e taksës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se në rast se Kosova nuk i përgjigjet pozitivisht kërkesës amerikane për suspendimin e taksës, do të ketë pasoja për marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-të.”

Për Gazeta e Re ai ka kujtuar se pasojat mund të prekin disa “elemente dhe procese kyçe që mundësojnë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës. Ne e dimë se ligji që shndërroi FSK-në në ushtri u bë i mundur nga ShBA-të, përkundër faktit se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s doli kundër. Po ashtu, reforma që FSK-në e shndërron në ushtri që zgjatë një dekadë nuk është e mundur pa mbështetjen e ShBA-ve. Vizita e Gjeneralit Christopher Connor e paralajmëruar për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës është anuluar për shkak të refuzimit të Qeverisë së Kosovës për të pezulluar taksën. Ky është një paralajmërim për masa më të rënda. Meqenëse ndihma amerikane për Ushtrinë është edhe financiare dhe materiale, edhe ky donacion i Humvee-ve leht mund të anulohet si levë për presion. Kosova është 10 vite larg ndërtimit të plotë të ushtrisë dhe ndihma ushtarake amerikane është qenësore në rrethana të tilla. Rrezikimi i marrëdhënieve me ShBA-të do të prodhonte pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Mjafton të pushojë kjo përkrahje dhe Kosova të mbetet pa institucionin që do të mund ta mbronte integritetin e vendit në rrethana të agresionit të jashtëm.”

Për më shumë, sipas Ramadanit – “amerikanët po dërgojnë sinjale të qarta se nëse nuk pezullohet taksa, pezullohet reforma që e pajis Kosovën me ushtri. Por masa të tilla nga ShBA-të pritet të afektojnë edhe sektorë të tjerë, siç është ai i drejtësisë dhe i politikës së jashtme. Qasja e tillë e amerikanëve mund ta prekë negativisht aftësinë diplomatike të Kosovës. Afirmimi ndërkombëtar i Kosovës është i pamundur pa mbështetjen e ShBA-ve. Pa përkrahjen e amerikanëve Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për më keq, pa lobin amerikan vështirë që Kosova do të mund të merrte ndonjë njohje substanciale nga ndonjë shtet tjetër. Prandaj insistimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar me çdo kusht pezullimin e taksës duhet të rimendohet. Kërkesa amerikane për pezullim të taksës nuk duhet të shihet si kapitullim para Serbisë, por si hap që mundëson nisjen e një dialogu të udhëhequr nga partneri më i qëndrueshëm i Kosovës, ShBA-të” – ka përfunduar ai.

Një këndvështrim të ngjashëm për taksën, sikurse të analistit Ramadani, siç e dimë, kanë edhe zyrtarë të tjerë politikë, që njëherësh janë edhe partnerë të koalicionit qeverisës me Haradinajn, por me të cilët kryeministri, nuk e ndanë të njëjtin mendim. Ai është  i vendosur që taksa të mos hiqet, pa shijuar rezultatet e luftës diplomatike kundër Serbisë. Ai, po ashtu, është i bindur që taksa nuk do t’i dëmtojë raportet diplomatike me amerikanët. /Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet