A është Bitcoin një skemë Ponzi?

A është Bitcoin një skemë Ponzi, apo një prej skemave piramidale me të cilat shqiptarët kanë një histori fortë të hidhur?

Në vitin që po lemë pas, Bitcoin, monedha të tjera dixhitale si dhe teknologjia që i mundëson ato, e ashtuquajtur Blockchain, janë ngritur në piedestal. Mediat e huaja i kanë trumbetuar pa pushim, njerëz që fare pak ose aspak kanë pasur të bëjnë me teknologjinë janë hedhur papritur në fushën kripto. 2017 ka qenë viti ku për të qenë interesant në ekosistemin vibrant të Berlin-it, New York-ut apo Hong Kong-ut, duhej medoemos të merresh me kripto.

Por sa njihen këto teknologji të së ardhmes në Shqipëri? Fare pak. Në Shqipëri këto tema sapo kanë filluar të eksplorohen.

Që t’i përgjigjesh pyetjes 1 Milionë dollarëshe të parashtruar në krye të artikullit është e nevojshme të njihet natyra e kripto monedhave e se si ato funksionojnë. Jini mosbesues ndaj çdokujt që ofrohet t’ju thotë të vërtetat mbi monedhat kriptografike. E vërteta është që shumë pak njerëz zotërojnë informacionin më minimal si funksionon rrjeti Bitcoin e aq më pak se ku mund të na çojë motori fitimprurës kripto. Të analizosh këtë fushë kërkon një kombinim unik dijesh mbi ekonominë, kriptografinë e teknologjinë. Ç’mund të bëjmë nëse nuk i përkasim kësaj kategorie? Në përpjekje për të qëndruar me këmbë në tokë, më e mira që mund të bëjmë është të informohemi nga burime të ndryshme, të ruajmë balancën e të zhvillojmë një sens sa kritik po aq kurioz.

Përtej titujve provokues, një gjë është e sigurt – parimet mbi të cilat Bitcoin u krijua zgjidhin probleme reale dhe konceptualisht e përmirësojnë jetën në tokë. Ato përbëjnë themelet e një bote të decentralizuar ku njerëzit ndërveprojnë më mirë e më drejtë me njëri-tjetrin pa ndërmjetësit që historikisht kanë përfituar nga të dhëna individuale.

Kriza financiare e 2007, komisione të ekzagjeruara sa herë që kryejmë transferta bankare jashtë shtetit apo miliona të dhëna përdoruesish që vidhen në sulme piraterike çdo muaj. Me siguri keni dëgjuar për këto. Arsyeja? Mbështetja në njësi të vetme totalisht të centralizuara. Nëse banka falimenton, falimentojmë të gjithë. Nëse serverat e bankës sulmohen, humbim të gjithë. Këto janë vetëm disa prej arsyeve pse ekonomistë, matematicienë, njerëz të teknologjisë janë përpjekur prej më shumë se 50 vitesh të ripërcaktojnë kuptimin e parasë. Dhe këtu të mos ngatërrohemi – nuk bëhet fjalë për kartat e kreditit të cilat i menaxhojmë tërësisht online. Bëhet fjalë për një mënyrë krejt të re të dizenjimit të parasë.

Shumica prej nesh do të binte lehtë dakord për faktin që teknologjia e “gjërat dixhitale” kanë sjellë një mori të mirash. E lehtë të jemi të lidhur me njëri-tjetrin përmes Facebook, Twitter apo Google. Problemi i aseteve dixhitale është një problem i cili ka penguar ardhjen e Bitcoin më herët se 2008. Quhet “Problemi-i-të-Shpenzuarit-Dyfish”. Çdo të thotë kjo? Sa herë që i dërgojmë njëri-tjetrit foto në mënyrë dixhitale, për shembull përmes WhatsApp apo Facebook, ne nuk dërgojmë foton por një kopje të fotos; pra në fund të ditës të dyja palët kanë të njëjtën foto. E imagjinoni një gjë të tillë të ndodhë me lekun? Nëse shkëmbejmë para me njëri-tjetrin duhet të jemi katërcipërisht të sigurt që dërguesi realisht ka lekët që pretendon të ketë dhe në fund të transfertës ato lekë kanë lëvizur nga llogaria e njërit e janë shtuar në llogarinë e tjetrit. Në të kundërt vlera e lekut zhvlerësohet. A mund të realizohet kjo pa banka?

Në 2008, një person (apo grup personash) nën emrin anonim Satoshi Nakamoto, publikuan një shkrim shkencor me titullin“Bitcoin – Një sistem elektronik për shkëmbimin palë-më-palë të parasë”. Revolucioni qëndron pikërisht në togfjalëshin “palë-më-palë”. Bitcoin është një rrjet njerëzish që ndërveprojnë pa praninë e bankave apo institucioneve financiare. Në këtë rrjet ka palë që thjesht blejnë, shesin a transferojnë lekë si dhe palë të cilat marrin përsipër verifikimin e transaksioneve. Këto të fundit shpërblehen me një vlerë të vogël Bitcoin për transaksionet që verifikojnë e në simbolikë të zbulimit të “arit dixhital” quhen palë minatore.

Ajo që përbën risi është fakti që transaksionet përhapen në të gjithë rrjetin përmes një konsensusi, duke lejuar të gjithë ata që verifikojnë të shohin ç’po ndodh. Në këtë mënyrë bëhet e pamundur manipulimi i vlerave të transferuara sepse manipuluesit do t’i duhej të ishte në të njëjtën kohë kudo për të rindërtuar historinë e transakisoneve, histori e cila ruhet në mënyrë të pakorrigjueshme e të pamanipulueshme përmes teknologjisë Blockchain.

Nëse kjo u bë disi e komplikuar për tu kuptuar, mbani mend këtë: Bitcoin sigurohet nga pjesëmarrja e individëve në rrjet e është rrjeti ai që e mban gjallë. Informacioni përhapet kudo në mënyrë të njëjtë. Blockchain, protokolli mbi të cilin Bitcoin ekzekutohet, lejon palë të ndryshme të ndërveprojnë pa i besuar njëri-tjetrit. Besimi, për herë të parë në historinë e njerëzisë, i lihet teknologjisë e jo më bankave apo institucioneve të kahershme.

Vështirë të ndalet rrjeti Bitcoin tashmë. Kjo për arsye se asgjësimi i nyjeve verifikuese nuk përbën asnjë problem për pjesën tjetër të rrjetit për sa kohë që ekziston një shumicë nyjesh verifikuese. Të ndalosh Bitcoin është njëlloj sikur të ndalosh një besim, një ideologji. Dhe është pikërisht një ideologji ajo në të cilën është shndërruar. Në 8 dhjetor 2017 Bloomberg publikoi një statistikë interesante ku rezulton se 40% e vlerës totale të Bitcoin mbartet nga vetëm nga 1000 persona.

A është kjo një rishpërndarje e fuqisë monetare në botë?

Një përcaktim i ri e përkufizon Bitcoin si një skemë Nakamoto, skemë e cila ka avantazhet e skemave Ponzi dhe atyre piramidale, në atë që premton fitime të papara për një kohë të shkurtër, por në të njëjtën kohë nuk ka asnjë prej disavantazheve të tyre duke qenë se është ende e parregulluar. Sot Bitcoin nuk përdoret për transaksione financiare të decentralizuara, siç Satoshi pati propozuar në 2008. Sot nuk ia vlen blesh kafe me Bitcoin sepse rrjeti është në ngërç; kohë e gjatë për verifikimin e transaksionit si dhe komisione që do ta kalonin vetë çmimin e kafesë (në ato raste kur dëshironi të përshpejtoni konfirmimin e transaksionit).

Korporatat gjigande kanë filluar të eksplorojnë teknologjinë Blockchain për ri-dizenjimin e proceseve industriale. Nëse Blockchain lejon shkëmbimin e monedhave virtuale, pse mos ta përdorim si një mjet për shkëmbimin e çfarëdolloj aseti dixhital në mënyrë të decentralizuar? Shumë prej monedhave kriptografike do të kapitullojnë; të tjera do të jenë rrënjësisht pjesë e përditshmërisë sonë, madje më shpejtë nga ajo që mendojnë skeptikët.

Mes gjithë polemikave mbi Bitcoin, ekspertët mendojnë që Blockchain e monedhat kriptografike që do të mbijetojnë do të ndryshojnë rrënjësisht botën siç e njohim sot. /Dritare

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet