A e përhapin kondicionerët koronavirusin?

Tani që moti i ngrohtë është afër dhe urdhrat e karantinës janë duke u hequr, njerëzit pyesin: A munden kondicionerët e ajrit ta përhapin koronavirusin, veçanërisht ato në vendet publike, sikur zyrat, kafenetë apo restorantet?

Disa hulumtime kanë ngritur shqetësime rreth kësaj. Sipas një studimi të fundit të publikuar në “Emerging Infectious Diseases”, është gjetur se nëntë njerëz në Wuhan të Kinës, (epiqendra e përhapjes së koronavirusit) ishin infektuar me COVID-19 vetëm duke qëndruar afër një kondicioneri të ajrit në një restorant.

Sipas hulumtuesve, virusi ishte përhapur nga një klient që nuk shfaqte simptoma dhe i cili ishte ulur të tavolinën përpara kondicionerit. Katër persona nga kjo tavolinë më vonë ishte testuar pozitiv me koronavirus, njësoj sikurse edhe pesë të tjerë të cilët po qëndronin në tavolinat përreth

Ekspertët vlerësojnë se kondicionerët në vende të mbyllura si, restorantet, kafenetë, zyrat e punës dhe palestrat, janë rrezik i mundshëm për ta përhapur sëmundjen vdekjeprurëse. Kjo për shkak të mënyrës së si kondicionerët funksionojnë. Ata e qarkullojnë ajrin më shpejtë, dhe kështu mund t’i përhapin edhe spërklat e vogla në ajër të cilat kryesisht përmbajnë ujë, por edhe të gjithë patogjenët me të cilët trupi ynë mund të jetë i infektuar, përfshirë këtu koronavirusin, e të cilët ne i dëbojmë kur marrim frymë, flasim, kollitemi apo teshtijmë.

Këto spërkla të përmasave të ndryshme, mund të udhëtojnë në distanca të caktuara, por kur kondicioneri është i ndezur, ajri i cili del nga ventilatori i tij i shtynë ato drejt njerëzve.

Pra mos harroni, derisa kondicioneri ua bënë dhomën më të freskët apo më të ngrohtë, ai thjeshtë e riciklon ajrin ekzistues në ambientin tuaj.

Pra, a duhet të qëndrojmë larg kondicionerëve të ajrit deri sat ë kalojë rreziku i COVID-19? Besohet se jo. Kondicioneri në shtëpitë tuaja nuk ju rrezikon shumë nga infektimi me koronavirus, ndryshe nga kondicionerët në vende publike. Prandaj, nëse në shtëpitë tuaja nuk kanë qarkulluar shumë njerëz të huaj, atëherë rreziku për t’u sëmurë nga koronavirusi është pothuajse i pamundur.

Mirëpo, nëse keni filluar t’i vizitoni restorantet apo vendet e mbipopulluara me njerëz ku ka kondicioner, ju duhet të jeni të vëmendshëm rreth distancimit social, dezinfektimit të shpeshtë të duarve dhe evitimit të prekjes së fytyrës me duar, si dhe qëndroni në shtëpitë tuaja nëse ndiheni të sëmurë apo po shfaqni simptoma të koronavirusit.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme

Të ngjajshmet