A e ka seriozisht Veseli luftën kundër korrupsionit?

Disa nga mediat vendore e cilësuan si “stuhi”. Vendimi për përjashtimin nga pozitat partiake dhe institucionale zyrtarët e PDK-së të cilët kanë aktakuza, megjithatë, nuk e ka entuziazmuar një pjesë të shoqërisë kosovare. Disa madje ende konsiderojnë që ky subjekt, ka ende punë me korrupsionin – Gazeta e Re.

Një ditë më parë Kadri Veseli, Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në një konferencë për shtyp sqaroi arsyet për aksionin e ndërmarrë në dobi të “pastrimit të shtëpisë”.

Sipas tij, pas ri-konfirmimit në krye të njërit prej subjekteve më të mëdha politike në vend, ia ka përcaktuar disa prioritet vetes, e njëra ndër to për ta shndërruar subjektin politik që e udhëheqë në një <<parti moderne me profil demokratik e perëndimor.>> Ai ia ka bërë të qartë opinionit publik se qysh në fillim, ashtu siç ka premtuar prej kohësh, do të angazhohet “fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të tjera të neveritshme…”

 POR, në sytë e analistëve politikë, ky aksion, është parë me rezerva.

<<Vendimi, apo më mirë të themi veprimi i Kadri Veselit për të larguar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë, përveçse i pasinqertë, i padrejtë dhe i vonuar, është vendim jo për të larguar të inkriminuarit nga partia e tij, por për të mënjanuar zërat kundër në PDK-së. Për më tepër se kaq është një lojë perfide e Kadri Veselit, për të paraqitur veten si reformator pas zgjedhjeve partiake>> – u shpreh ndër të tjera Florim Zeqa, analist i njohur politik.

Në të vërtetë sipas Zeqës, <<sikur Kadri Veseli, vendimin që e mori një ditë pasi u rizgjodh kryetar ta merrte një ditë para “konventës” zgjedhore, me siguri ai sot nuk do të ishte kryetar i PDK-së me votat maksimale, për shkak se jo të gjithë delegatët e konventës zgjedhore do ta kuptonin lojën e tij djallëzore. Sikur “Vettingu” i Kadrisë të mos ishte skenarë i përgatitur, menjëherë brenda këtij subjekti do të fillonte një luftë e ashpër klasash nga të akuzuarit për afera korruptive dhe kriminale. Ndryshe, vendimin e kryetarit të posa rizgjedhur të PDK-së, duhet kuptuar si skenarë për ngritjen e imazhit të PDK-së para zgjedhjeve të parakohshme nacionale të vjeshtës së këtij viti. Të gjithë zyrtarët e dëgjueshëm të PDK-së, të larguar nga pozitat partiake dhe institucionale, do ta kenë të garantuar pafajësinë nga organet e drejtësisë, të cilët do t’i kthehen nënës parti të pastruar nga gjitha mëkatet,…ku më pas shefi i partisë do i shpërblejë sërish me poste akoma më të larta partiake dhe institucionale (shtetërore), për t’i dhënë kështu “shëmbullin e mirë” qytetarëve të vendit për “pastërtinë” e PDK-së me kuadro të verifikuara nga drejtësia për “atdhedashuri” dhe “antikorrupsion!>>

Për më tepër, sipas analistit në fjalë, ky <<veprimi i fundit i Kadri Veselit, është tregues se ‘Qeveria Haradinaj” i ka ditët e numëruara. Akoma më keq se kaq, mosuniteti i opozitës kosovare, flet qartë, se Kadria që tani e ka në xhep partnerin e ri (vjetër) qeverisës pas zgjedhjeve të parakohshme. Ndryshe, zgjedhjet do të jenë vetëm një maskaradë politike dhe maltretim i qytetarëve të dorëzuar përballë kusarëve politikë.>>

Edhe sipas analistit Astrit Gashi, ky akt nuk është gjithaq premtues.  Sipas tij: <<Partia Demokratike e Kosovës është në rrënjë e korruptuar dhe e kriminalizuar. Veprimi i sotëm i Kadri Veselit, është një mesazh i mirë – por vetëm i publicitetit. Ai nuk ka për qëllim dhe nuk do të rezultojë me dekriminalizimin e kësaj partie. Në liste të KD të PDK’së shumicën i ke të korruptuar, ndonëse ende nuk kanë aktakuzë.
Për të pastruar PDK-në nga krimi duhet të prehen rrënjët e saj- që gati se është e pamundur sepse fatkeqësisht janë bërë po aq të thella sa edhe vet partia.>>

Megjithatë, i pari i PDK-së i ka thënë në një mënyrë se këto veprime janë për ta kthyer besimin tek qytetarët. <<Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë. Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë”, është shprehur ai i vendosur.

Një pjesë e opinionit publik, këtë “stuhi” e ka cilësuar si një taktikë politike, tash kur vota e mosbesimit po troket në dyert e kuvendit. Gjithçka, sipas tyre, ka të bëjë me reklamë për vota. Gjithsesi, koha do të dëshmojë pro, ose kundër Veselit./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet