A do t’ju kthehet shpresa qytetarëve?

A do të mund të jenë zgjedhjet e gjashtë tetorit, një pikë kthese për qytetarët e Kosovës? Numrat e atyre që e kanë lëshuar vendin për një jetë më të mirë, prej vitesh, ka qenë i lartë. Pakënaqësia në rritje, po ashtu, e vazhdueshme. Por qeveria e ardhshme, mund t’ua ndryshojë kursin qytetarëve – shkruan Gazeta e Re.

Krimi i organizuar, korrupsioni e nepotizmi, janë faktorë që e luftojnë të drejtën e barabartë të konkurrimit në tregun e punës, dhe pikërisht kjo sipas Gernord Erler, President i Shoqatës për Evropën Juglindore, i demotivon të rinjtë.

«…kur në kohën e tyre të studimeve shohin raste të tilla, pra kur nuk vlerësohet merita, por pagesa në para ose klientelizmi. Të rinjtë këtu thonë qartë, që kjo duhet të marrë fund dhe kështu me këtë do të luftohej një shkak i largimit të të rinjve.»

Në një intervistë për Deutsche Welle-n, ai vë në dukje që sfida kryesore e të rinjve mbetet standardi ekonomik.

«Sfida kryesore është ende gjendja sociale dhe dallimi në paga mes vendeve të tjera dhe Ballkanit, si edhe pasiguria për integrimin në Bashkimin Evropian. Integrimi në BE ende është aspiratë e këtyre vendeve, por duket se ka ngecur, edhe pse që nga viti 2003 ata e kanë të drejtën për integrim në BE.»

Sipas tij ky kapitull mund të mos përmbyllet deri në vitin 2025. «Pas Sllovenisë dhe Kroacisë nuk është integruar më asnjë vend tjetër edhe pse ka pasur bisedime të shumta. Këto dyshime kanë ndryshuar shumë çka dhe duhen gjetur mënyra të tjera për stabilizimin e këtyre vendeve» – ka shtjelluar më tej ai.

Kosova nuk përbënë një dallim në kontekstin ballkanik. Në shumë plane, madje, mbetet prapa edhe vet vendeve të Ballkanit. Standardi i ulët, mungesa e perspektivës, i ka shtyrë shumë të rinj të emigrojnë drejt vendeve të BE-së. Sipas një raporti të paradokohshëm të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës (tashmë e dorëhequr), vetëm në periudhën 2013 – 2017- nga vendi në drejtim të vendeve perëndimore kanë emigruar mesatarisht 35 mijë qytetarë.

Viti më trishtues ka qenë ai i 2015-tës, kur besohet që nga vendi janë larguar më shumë se 75 mijë qytetarë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ende ekziston një hendek i lartë ndërmjet të punësuarve në sektorin privat dhe atij publik. Sektori privat, përveç që ofron më shumë vende pune, paga mesatare aty është më e ulët se sa në sektorin publik:

«Në vitin 2012 pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 431 Euro, derisa në vitin 2018 ishin 558 Euro, një rritje prej 127 Euro ose 29.6%. Ndërsa, paga neto nga 384 Euro sa ishte në vitin 2012 është rritur në 498 Euro në vitin 2018, me 114 Euro më shumë, ose 29.8%.

Paga mesatare bruto në Sektorin Publik në vitin 2012 ishte 407 Euro, derisa në vitin 2018 ishte 573 Euro, që është një rritje për 166 Euro ose 40.8%. Kurse, paga mesatare neto nga 353 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 509 Euro, një rritje prej 156 Eurosh ose 44.1%.

Sektorit Privat kishte një pagë bruto mesatare prej 367 Eurosh, në vitin 2012, ndërsa në vitin 2018 ishte rritur në 401 Euro, një rritje prej 34 Eurosh ose 9.3%. Derisa, paga neto nga 333 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 364 Euro, një rritje prej 31 Eurosh, ose 9.3 %.

Paga mesatare bruto në Sektorin e Ndërmarrjeve Publike në vitin 2012 ishte 518 Euro, derisa në vitin 2018 ishte 699 Euro, që është një rritje prej 181 Eurosh ose 34.9%. Ndërkaq, paga neto nga 465 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 620 Euro në vitin 2018, një rritje prej 155 Eurosh ose 33.3%.»

Legjislacioni i fundit arriti që ta votojë ligjin për paga, por vetëm për sektorin publik, ndërsa sektori privat, i cili është punëdhënësi më i madh në Kosovë, përveç pagave mesatare më të ulëta, karakterizohet edhe për shpërfillje të të drejtave bazike të punëtorëve. Shumë prej të punësuarve punojnë pa kontratë, duke punuar shumë më tepër se sa normat e parapara me ligj. Kushtet e rënda të punës, në kuadër të këtij sektori, kanë bërë që shumë punëtorë ta humbin jetën në vendin e punës. Pikërisht për këtë, qeveria e ardhshme që mund të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, mund të bëjë shumë në përmirësimin e kushteve të punës, respektimin e të drejtave të punëtorëve dhe përgjithësisht kthimin e shpresës tek qytetarët./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet