A do të vendosen limite për rrogat e futbollistëve profesionistë?

Federatës Gjermane të Futbollit i janë prezantuar dy ekspertiza të parlamentarëve të Bundestagut për mundësinë e vënies së një limiti për rrogat e futbollistëve profesionistë. Ekspertët thonë se çështja është komplekse.

Prej parlamentit gjerman, Bundestag, erdhi ideja e vendosjes së një kufiri maksimal për rrogat e futbollistëve profesionistë. Thënë më saktë ideja erdhi nga zëvendëspresidenti i Bundestagut, Thomas Oppermann. Ky politikan socialdemokrat është po ashtu Kryetar i komisionit të etikës për DFB. Sipas informacioneve të gazetës “Süddeutsche Zeitung”, Oppermann ka ngarkuar zyrën që merret me çështjet shkencore të bëjë dy ekspertiza, për të parë mundësinë e vendosjes së kufirit maksimal për rrogat në futbollin europian. Ajo që thonë ata është, se e ashtuquajtura “Salary Cap” është parimisht e mundur, dhe se nuk shkel ligjet europiane. Pikërisht ky ka qenë argumenti krysor që ka përdorur deri tani sektori i futbollit për të qenë kundër vendosjes së një tavani për rrogat e profesionistëve.

Për Jan F. Orth, jurist për të drejtat në fushën e sportit, në Universitetin e Këlnit, ekspertizat e prezantuara ditën e martë Ligës Gjermane të Futbollit lenë shumë pyetje pa përgjigje. “Nuk është as e qartë për cilat forma të Salary Caps po flasim. Tema është shumë komplekse sa i përket çështjeve juridike”, thotë Orth për Deutsche Welle-n.

“Në to flitet për çështje shumë të vështira të së drejtës europiane, veçanërisht të ligjeve europiane për kartelet dhe për ligjet gjermane të së drejtës së punës.” Zgjidhja duhet të jetë europiane jo gjermane, thotë ai: “Nga ekspertiza mua më duket se mund të bëhet një zgjidhje mbarë europiane duke përfshirë edhe UEFA-n, nëse duan që në politikën e sportit ta vendosin Salary Caps.”

Trajnim i Borussia Dortmund-it

Anëtarët e Federatës Gjermane të parët?

Në këtë mënyrë Orth prek edhe një problem tjetër, sepse, megjithë modestinë e re që propagandohet nga sektori i futbollit, ideja e Oppermannit nuk gjen përkrahje të madhe, siç të lenë të kuptosh fjalët e Uli Hoeneß-it. Klubet e Ligës Gjermane të Futbollit duhet të kryesojnë gjetjen e një zgjidhjeje europiane, thotë Thomas Hoeren, jurist për çështjet e sportit në Universitetin e Mynsterit. “Klubet e vogla mund të mbijetojnë vetëm, nëse klubet e mëdha shfaqen me etikë më të mirë”, i tha Hoeren emisionit të ARD,  “ARD-Rubrika Sportive”: “Në Angli dhe Spanjë ka koka turku. Edhe aty bëhet rezistencë kundër vendosjes së kufirit maksimal. Por, zërat gjermanë kanë peshë në UEFA.”

Sindikata e lojtarëve, VDV, mendon se nuk ka shumë kuptim vendosja e kufirit maksimal për futbollistët. „Në ekonominë sociale të tregut çmimin e vendos tregu,” thotë drejtori i VDV, Ulf Baranowsky për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: “Nëse duam ta mbrojmë futbollin nga krizat e së ardhmes, do të duhet që fillimisht klubet të krijojnë më shumë kapital të vetin dhe të fusin instrumenta më të mira sigurie. “Kostot e personelit, thotë ai më tej, zenë 37 përqind të buxhetit të klubeve gjermane”.

Në sportin amerikan, Salary Caps aplikohet prej kohësh, për shembull në Ligën e Basketbollit, NBA. Aty bihet dakort në fillim të sezonit sa do të jetë buxheti i përgjithshëm, që do të japë çdo ekip si rroga. Rregulli është për një rrogë minimale. Meqenëse shuma e përgjithshme është e limituar, arrihet të pengohet që ekipet e forta financiarisht, të marrin me kontrata lojtarë të caktuar.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet