A do të kemi a po nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme?

Janë dy variante, nga tri gjithsej, që po qarkullojnë si ide në opinionin publik. Përderisa pakkush beson që koalicioni PAN do t’ia propozojë presidentit një kandidat të ri për kryeministër, gjasat që problemi të zgjidhet nga një zarf ndërkombëtarësh nuk janë të vogla. Zgjedhjet e parakohshme, mbesin, ngjana tjetër, ajo që po e kërkojnë shumica e partive, duke e përfshirë edhe një pjesë të pozitës, – shkruan Gazeta e Re.

U spekulua që dorëheqja e Kryeministrit Ramush Haradinaj qe një akt që i parapriu rrëzimit të tij me anë të votës së mosbesimit. U tha, madje, që edhe nga kampi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK-së),  veç kishin filluar të bëheshin gati disa deputet, që ta dënonin kryeministrin. Nga disa u cilësua si veprim për t’i përfituar zemrat e votuesve, e nga disa si akt patriotik, por këto tashmë i takojnë së kaluarës.

Çështja që ka filluar të shtrohet me nge, nga të gjitha këndet e perspektivat, është kjo: si do të formohet qeveria e ardhshme? Dhe si do të duhej të dukej ajo?

«Përtej politikës ditore, që në masë të madhe nuk vlen as të përcillet, fokusi kryesor duhet të jetë në atë se çka e pret Qeverinë e ardhshme (e cila duhet t’i ketë maksimum 15 ministri)» – e ka hapur debatin, deputeti Ilir Deda.

 

Sipas tij, në mënyrë që vendi t’i zgjidhë disa çështje prioritare, përkatësisht të reduktohen ikjet dhe të pengohet izolimi i vendit, duhet ndërmarrë disa hapa në dy plane, në atë të brendshëm dhe të jashtëm. Krejt kjo të bëhet për të paktën 100 ditë:

 

«Në rrafshin e brendshëm, brenda 100 ditëve të para:

  1. Duhet të ndërrmiren masa për zhvillim ekonomik dhe punësim, duke i siguruar më së paku € 200 milion për këtë, ose ikja vazhdon. Gjithashtu, duhet rishikim i thellë i buxhetit që të çbllokohen paratë nga asfallti dhe të drejtohen në investim ekonomik.
  2. Ngritje thelbësore e besimit dhe mirëkuptimit me bashkësitë minoritare etnike.
  3. Duhet të ndërrmiren hapa të shpejtë për çkapje të shtetit, hapat e guximshëm për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar duke a) bërë kallëzim penal për keqpërdorim të buxhetit publik në të gjitha ministritë ku diçka e tillë ka ndodhë; b) duke goditur rrjetet kriminale në vend; c) departizim të bordeve të agjensioneve publike dhe uljen e numrit të tyre; d) fillimin e hetimit të pasurisë së paligjshme të figurave me profil të lartë. (Po, brenda 100 ditëve të para). Ose ikja vazhdon. 
  4. Pastrimin e listave të veteranëve të rrejshëm dhe pastrim të listave të përfituesve të rrejshëm të skemave të ndryshme sociale.
  5. Ah po, edhe do të fillojë ngritja e aktakuzave ndaj figurave kyqe politike nga Prokuroria Speciale e Gjykatës Speciale. Qëndrimi i Qeverisë së re nuk guxon të jetë folklorik. Ose ikja vazhdon.»

Ndërsa në planin ndërkombëtar brenda kësaj periudhe ai i ka paraparë këto pika:

«1. Menjëherë ta suspendojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës; 2. Nuk do të ketë shumë kohë për konsolidim. Qeveria e re duhet të ndërtojë platformë në dialog me Serbinë që ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje optimale për vetëqeverisjen e serbëve në Kosovë. Nuk ka “nuk munden”, vetëm “duhet”. Ose pason izolimi më i thellë, e ikja nga Kosova do të vazhdojë.»

 

POR çështja është: si të bëhet qeveria? Duke e komentuar kontekstin aktual politik, analisti Blerim Burjani mbështetë idenë për një qeveri teknike.

 

«Do të ishte pozitive që Kosova të ketë një qeveri teknike deri në pranverë të vitit 2020. Duke pas parasysh zhgënjimin e madh të qytetarëve me partitë politike, që lidhet mos zgjidhjen e problemeve për shkak të interesave partiake; luftës për t’i kontrolluar asetet publike; punësimeve partiake e nepotiste; një qeveri teknike përkohësisht do të kryente së paku reformën zgjedhore dhe do t’ia propozonte kuvendit një ligj të ri për zgjedhjet që është i domosdoshëm. Kjo qeveri do të kishte mandat të limituar në vendimmarrje, do të rishikonte vendosjen e taksës si dhe do të konsolidonte shtetin në zhvillimet politike, duke krijuar pauzë në luftën për pushtet në mes partish.»

 

Sipas tij, pikërisht, duke e marrë parasysh që situata është mjaft e komplikuar si dhe faktin që ky mosbesim ndaj partive politike, të cilat nuk dallojnë shumë në aspektin e qeverisjes me njëra tjetrën, ideja e qeverisë teknike është ideale. Sipas Burjanit, me gjithë mandatin e cunguar, ajo do t’i merrte përsipër realizimin e disa reformave si në fushën e shëndetësisë, siç është mbrojtja shëndetësore e cila është lënë anash «për arsye biznesi mes partive politike, mjekëve dhe spitaleve»; konsolidimin e UP-së, bordi i të cilit s’është veçse i pakualifikuar, por edhe politik, si dhe disa korrigjime në reformën sociale, ku shpenzohen «600 milionë euro për skema sociale brenda vitit».

 

Por edhe Burjani e thotë që, megjithëqë kjo është ideja më e mirë, në këtë kontekst të ngatërruar politik, është pak e gjasshme që të realizohet. Vet kryeministri në dorëheqje, bashkë me partnerin e tij kryesor qeverisës – Kadri Veselin, kërkuan që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet