97-vjetori i Shërbimit pyjor shqiptar, aksion për mbjelljen e 1000 pemëve

Me rastin e 97-vjetorit të themelimit të institucionit të Shërbimit pyjor shqiptar, nxënës të shkollës së Lalmit, vullnetarë të “Qendrës Rajonale Rinore Tiranë”, punonjës të Bashkisë së Tiranës, si dhe banorë të zonës, mbollën sot 1000 fidanë të rinj në Parkun e Liqenit të Vaqarrit.

Aksionit iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se përvjetori i krijimit të Shërbimit Pyjor është tregues i vëmendjes që ka pasur Tirana ndaj pemëve, që në fillimet e saj si kryeqytet.

“Më vjen mirë që sot mbjellim disa mijëra fidanë pishash, në një vend ku komuniteti në vitet ’90 i preu dhe – siç e shikoni – ka marrë me vete një pjesë të madhe të kodrës, duke iu afruar shtëpive, për të rikuperuar atë që mundemi. Shpresoj që 97 apo 100vitet e ardhshme të Shërbimit Pyjor t’i gjejë ata me aleatë në gjithë popullatën”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se mbjellja e pemëve nuk duhet të jetë monopol vetëm i institucioneve shtetërore dhe ftoi qytetarët e bizneset që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuuar për një mjedis më të pastër dhe më të gjelbëruar.

Ai nënvizoi se asnjëherë nuk është vonë për të bërë paqe me natyrën, dhe për t’iu rikthyer traditës që themeloi Shërbimin Pyjor 97 vjet më parë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet